Çështja e vezëve të importit nga Serbia dhe Turqia, duket se po shndërrohet në një lojë “ping pongu”, duke mos u marrë asnjë masë e duhur. Sakaq, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vazhdon të mos iu përgjigjet pyetjeve të Qendrës ALERT në lidhje me; së pari, lejimin e importit të vezëve të Klasit A, në kundërshtim me rregulloret e Komisionit Europian dhe së dyti, me mungesën e gjurmueshmërisë për Klasin B, të cilat nuk duhet të vijnë në tryezat e shqiptarëve, por të shkojnë për industrinë përpunuese.
Megjithëse çdo muaj vazhdojnë të importohen miliona vezë nga Serbia dhe Turqia, AKU nuk iu dha përgjigje pyetjeve të Qendrës ALERT, duke krijuar kështu hije dyshimi për pamundësi të ndalimit të tyre, të gjurmueshmërisë së tyre e mbi të gjitha, për produkte të pasigurta për konsum.
Me datën 25 gusht 2022, në vijim të komunikimeve dhe e-maileve të mëparshme totalisht të paqarta dhe pa përgjigje, pa përmbajtje, Qendra ALERT i dërgoi AKU-së pyetjet e mëposhtme:
“–Për të dyja shtetet, është thënë që importohen vezë, Klasën e të cilave askush nuk na e vërteteton. Por, nëse janë A, përse duhet të vijnë në Shqipëri, kur BE, rregulloret e saj e ndalojnë???!!! Përse, kur Shqipëria është e detyruar të zbatojë rregulloret e Komisionit Europian???!!! Përse Ministria e Bujqësisë nuk urdhëton institucionet e varësisë, ligjzbatuese, të zbatojnë legjislacionin shqiptar, por detyrimisht dhe atë të BE???!!!
Nëse janë B, ku kanë shkuar???
–Ku kanë shkuar? Cilat janë kompanitë/subjektet që përpunojnë vezët e klasit B, kanë pajisjet dhe teknologjinë e duhur, që bëjnë ndarjen e tyre, desinfektimin, heqjen e lëvozhgës, ndarjen e të bardhës nga e verdha, përpunimin e tyre, shndërrimin në pluhur apo forma tjera dhe bërjen gati për industrinë e prodhimit që përdor vezë në produktet e tyre? Cilat? Sa kokrra vezë janë importuar të kategorisë A dhe B të importuara nga të dy shtetet, Serbia dhe Turqia?????
–Qendra ALERT i ka kujtuar AKU-së për të dytën herë rregulloret e Komisionit Europian, të cilat e saktësojnë shumë qartë se nga cilat shtete duhet të eksportohen drejt BE vezë të klasit A dhe nga cilat jo. Këtu janë të përfshira dhe Serbia e Turqia. Ne nuk jemi vend i BE, por jemi të detyruar të punojmë me legjislacionin dhe rregulloret e BE.
–Sëmundje virusale, si influenca e pseudopesti nuk janë problem për sigurine ushqimore, por për parandalimin e mbërritjes së infeksionit në vendin tonë.
Meqenëse përmendni në përgjigjen tuaj dhe pseudotestin dhe influencën, ç’lidhje kanë këto me vezën?! Këto janë analiza qe kryhen në shpend të gjallë!!!
–Sa është numri i mostrave për vezët e importuara nga Turqia dhe Serbia që kanë marrë inspektorët në PIK, por edhe nëpër stabilimentet ku janë magazinuar, që janë analizuar???!!!
–Çfarë analizash u janë bërë këtyre vezëve, për çfarë? Me çfarë metode, me çfarë reagentësh janë kryer analizat? Sa analiza për salmonelë janë bërë për vezët e importuara nga Turqia e Serbia??? Si kanë rezultuar????
–Duke qenë se me Serbinë, reciprociteti dhe miratimi i cetifikatës veterinare funksionon në baze të ‘Open Balkan’ dhe jo si vend anëtar i BE-së: A ju ka vënë në dispozicion shteti serb të dhena mbi gjurmueshmerinë e produktit vezë kokërr të kategorisë A? Cilat janë skemat e vaksinimit dhe a ka marrë informacion MBZHR mbi rastet me influencë aviare në territorin e këtij shteti???
–Turqia a ndodhet në listen e vendeve të kufizimit të importit dhe tranzitit të shpendëve të gjallë dhe produkteve të tyre, sipas përditësimeve të shfaqjes se kësaj semundjeje në shpendë???
— Sa mostra janë marrë në PIK nga inspektoret dhe në vendet e magazinimit? Si kanë rezultuar? Për çfarë janë analizuar dhe përse nuk i publikoni apo me këtë rast të na i vini në dispozicion raport-analizat??!!
Ndersa përgjigjia e AKU erdhi më 8 shtator 2022. Siç mund ta lexoni të plotë më poshtë, për asnjë prej pyetjeve nuk është dhënë përgjigjia e saktë dhe e qartë.
“Të nderuar,
Lidhur me sqarimet e kërkuara nga qendra “Alert”, sa i përket një komunikimi publik, bëjmë me dije si më poshtë vijon:
Shqipëria ka importuar nga shteti serb 13 ngarkesa vetëm vezë të klasit A. Shqipëria ka importuar nga shteti turk 36 ngarkesa vetëm vezë të klasit B. Të gjithë ngarkesat e importit të vezëve të klasit B kanë patur si destinacion tregun e industrisë së përpunimit në përputhje me legjislacionin në fuqi, në kompani të licencuara për kryerjen e veprimtarisë.
Veza e klasit B për strukturat e Bashkimit Evropian është ajo që eksportohet nga vende të treta për listimin e produkteve për BE-në: si Shqipëria, Turqia, Kanadaja, SHBA, Singapori, etj..
Pavarësisht çka rezultojnë në vërejtjet e dokumentacionit gjatë kontrolleve zyrtare rutinë, AKU po monitoron me program pune të gjithë sektorin e operatorëve të biznesit ushqimor që operon me produktin vezë.
Duke marrë shkas nga mungesa e informacionit, bëjmë me dije se Shqipëria ka detyrim të zbatojë legjislacionin e BE-së, kur bëhet shtet anëtar i saj dhe për momentin është ende në rrugën e përafrimit të legjislacionit sipas kapitujve në negocim. Legjislacioni në fushën e sigurisë ushqimore vijon të përafrohet në përputhje me kapitullin XII “Siguria ushqimore, veterinaria dhe politikat fitosanitare” dhe është një proces në vazhdim.
Të gjitha produktet vezë që kanë hyrë në territorin e vendit tonë janë importuar nga vende të pastra nga influenca aviare dhe pseudopesti, të shoqëruara me certifikatë veterinare, e cila vërteton gjendjen shëndetësore të shpendëve nga kanë ardhur këto vezë, si dhe sigurinë e këtij produkti. Kjo është një kërkesë që jo vetëm e parashikon certifikata veterinare e produktit vezë, por edhe certifikatat e vendeve të BE-së e parashikojnë një konformitet të tillë.
Siç është shpjeguar edhe me sipër, vezët e importuara në Republikën e Shqipërisë vijnë nga zona të pastra nga influenca aviare dhe as Turqia dhe as Serbia nuk ndodhen në listën e vendeve që është kufizuar/ ndaluar importi/ tranziti i shpendëve të gjallë dhe produktet e tyre, ku përfshihet edhe veza.
Gjithësi, Shqipëria është pjesë e Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve, ku siç njoftohet lidhur me shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme, ashtu edhe njofton nëpërmjet strukturave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Këto produkte veç nënshtrimit të kontrollit zyrtar në pikat e inspektimit kufitar, i nënshtrohen kontrolleve zyrtare edhe në industrinë e përpunimit, ku për treguesin “salmonelë” mostrohen dhe analizohen në mënyrë të vazhdueshme. Për periudhën janar-qershor 2022 nga drejtoritë rajonale janë marrë në total 31 mostra për t’u analizuar për tregues mikrobiologjikë për produktin vezë të cilat kanë rezultuar brenda normave të lejuara.
Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit janë në gatishmëri për kryerjen e kontrolleve zyrtare, me objekt inspektimi produktin vezë kundrejt kërkesave ligjore dhe në rastet e konstatimit të shkeljeve, janë marrë masat administrative përkatëse për gjetjet e evidentuara si: masë administrative “gjobë”, bllokime dhe ndërprerje aktiviteti.
Siç thënë dhe më lart, AKU po monitoron me program pune të gjithë sektorin e operatorëve të biznesit ushqimor që operon me produktin vezë dhe sipas rastit po kryen bashkëpunime me organe të tjera ligjzbatuese.
Ju faleminderit!”
Çdokush që merr sadopak vesh nga komunikimi, nga mediat, si dhe nga siguria ushqimore, e kupton lehtë që kjo përgjigje e AKU është kthyer vetëm për të zbatuar afatet ligjore e për të mos lënë shteg që Qendra ALERT të ankohet për mungesë përgjigjie pranë Komisinerit për të Drejtën e Informimit.
Gjithashtu, çdokush e kupton lehtësisht se, një përgjigje e tillë, për pyetjet e sipërcituara, është dhënë në këtë mënyrë, edhe për faktin që personat që e kanë përgatitur nuk kanë kuptuar pyetjet, nuk e kuptojnë detyrën dhe punën që duhet të bëjnë në raport me sigurinë ushqimore, kontrollet në PIK, importet, analizat e për të gjithë zinxhirin e sigurisë së një produkti ushqimor.
Në këto kushte, kur Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, me miratimin në heshtje të Ministrisë së Bujqësisë, rrezikon shëndetin e shqiptarëve. Miliona vezë importohen nga Serbia dhe Turqia çdo muaj, pa asnjë barrierë, ndërsa askush nuk e di se çfarë vezësh vijnë, ku shkojnë, sa janë analizuar, si kanë dalë rezultatet etj., etj., pyetje të cilave AKU mund dhe duhet t’u ishte përgjigjur.
Në këto kushte, AKU dhe Ministria e Bujqësisë, jovetëm stabilimentet e prodhimit të vezëve, por çdonjëri që dëshiron, mund të hapë një NIPT në QKB nga zyra e tij, për kioskë qoftësh, librari apo autoshkollë dhe të nesërmen porosit kamionët me vezë në Rusi, Serbi, Turqi, Indi e ku të dëshirojë. Askush s’do ta ndalojë dhe kjo mënyrë funksionimi e institucioneve është e frikshme dhe e jashtëligjshme!!!
©Qendra ALERT
LINI NJË KOMENT