Pasi Dr. Ifenayi Nsofor dhe gruaja e tij morën dy dozat e vaksinës AstraZeneca në Nigeri, ata menduan se gjatë kësaj vere do të mund të udhëtonin në ndonjë prej shteteve evropiane. Por, u gabuan.
Ky çift –dhe miliona persona të tjerë që janë vaksinuar kundër COVID-19 me ndihmën e Kombeve të Bashkuara – mund të ndalohen që të hyjnë në shumë shtete evropiane dhe shtete të tjera, pasi ato shtete nuk e njohin për udhëtim versionin e vaksinës AstraZeneca që është prodhuar në Indi, shkruan Associated Press.
Edhe pse vaksina AstraZeneca prodhohet në Evropë dhe është miratuar për përdorin nga Agjencia Evropiane e Barnave, e njëjta vaksinë, që prodhohet në Indi, ende nuk ka marrë dritën e gjelbër për përdorim.
Në Kosovë po ashtu administrohet vaksina AstraZeneca, por nga Ministria e Shëndetësisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse në vend përdoren vaksina AstraZeneca të prodhuara në Indi.
Kosova ka pranuar vaksina AstraZeneca si donacion nga programi COVAX, po ashtu nga Norvegjia, Kroacia dhe Mali i Zi.
Rregullatorët e BE-së thanë se AstraZeneca nuk ka përfunduar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për fabrikën indiane, përfshirë këtu edhe detajet mbi praktikat e saj të prodhimit dhe standardet e kontrollit të cilësisë.
Por, disa ekspertë e përshkruajnë këtë lëvizje të BE-së si diskriminuese dhe të pabazuar në shkencë, duke theksuar se Organizata Botërore e Shëndetësisë ka inspektuar dhe miratuar fabrikën në Indi. Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se situata jo vetëm që ta komplikojë udhëtimin dhe do të frustrojë ekonomitë e ndjeshme, por gjithashtu do të minojë besimin për vaksinat duke etiketuar disa vaksina si vaksina që janë nën standardin e kërkuar.
Derisa fushata e vaksinimit po përfshin mbarë Evropën dhe shtete të tjera të pasura, autoritetet janë në ankth që ta shpëtojnë turizmin veror, duke lehtësuar masat kufizuese për kalimin e kufijve.
Burimi: Radio Evropa e Lirë
LINI NJË KOMENT