Vendet e BE-së po miratojnë njëra pas tjetrës direktivën e Komisionit Europian për kufizimin e ambalazheve plastike dhe për riciklimin e tyre. Institucionet e BE-së dhe vendeve anëtare kanë vendosur që të ndalojnë praktikën e deritanishme me shishe të lëna kudo, kanaçe të hedhura në rrugë, si dhe një mjedis ujor dhe tokësor të ndotur plot me mbetje plastike, si dhe do të ndalojë edhe 9 artikuj plastik njëpërdorishëm, të tilla si pjatat, gotat apo lugët plastike.
Bëhet fjalë për një rikthim tek praktikat e vjetra të dikurshme, të kohës kur blerësit detyroheshin të kthenin shishet e qelqit të birrës, të qumështit apo të kosit. Drejt një praktike të tillë po shkojnë edhe vendet europiane, praktikë e cila pritet të hyjë në fuqi duke filluar që nga 1 janar 2022.
Direktiva merret kryesisht me paketimin dhe sidomos paketimin plastik. Nuk do të ketë një ndalim të shisheve plastike, por do të ketë një kontroll dhe grumbullim të rreptë të tyre. Ligje të caktuara të vendeve anëtare flasin edhe për stimuj dhe shpërblime ekonomike për shitësit me pakicë që do të përdorin këto metoda.
Deri tani është i njohur riciklimi i shisheve të qelqit, dhe madje në disa vende të zhvilluara riciklohet rreth 50% e shisheve plastike. Por direktiva e re europiane kërkon që të mbledhë të gjitha shishet plastike në mënyrë që ato të mos përhapen në mjedis. E njëjta gjë vlen dhe për paketimet dhe ambalazhet e tjera plastike, të tilla si qeset, përdorimi i të cilave do të jetë shumë i kufizuar. Sipas parashikimeve të Komisionit Europian, deri në vitin 2024 pritet që të riciklohen rreth 90 përqind e shisheve plastike në vendet e BE-së.
Burimi: EU Single-Use Plastics Directive
Qendra Alert
alert.al
LINI NJË KOMENT