Menu

Dhjetë të vdekur pas daljes së autobusit nga rruga në Kroaci

Dhjetë persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, si pasojë e daljes nga rruga të një autobusi me targa të Kosovës në Sllavonski Brod në Kroaci, ka thënë policia kroate e asaj zone.

Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur shtetësinë e viktimave.

“Gjatë hetimit, policia ka konstatuar se bëhet fjalë për një autobus me tabela të Kosovës dhe sipas informacionit që kemi aktualisht, dhjetë persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë dërguar në spitalin në Sllavonski Brod për trajtim mjekësor”, ka thënë zëdhënësi i Policisë në Brod Posavina, Damir Breziq, për Radio-Televizionin Kroat (HRT).

Sipas tij, situata është shumë e vështirë dhe se shumë persona janë në rrezik për jetën.

Shefi i policisë së trafikut në Sllavonski Brod, Franjo Galiq, u ka thënë gazetarëve se policia ka marrë raportime më 25 korrik në orën 6:20, se një autobus ka dalë nga rruga.

“Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, është përcaktuar se ishte një autobus me targa të regjistrimit të Kosovës, i cili po udhëtonte në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë. Hetimi është duke vazhduar, ne e dimë me siguri se disa njerëz kanë vdekur, më shumë se 30 persona janë transportuar në spital”, ka thënë Galiq.

Aksidenti ka ndodhur afër shtëpizës për pagesë të rrugës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur tragjik, lajmin për aksident.

“Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë!

Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë”, ka thënë Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ende nuk ka konfirmime zyrtare për detajet e aksidentit.

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një autobusi me targa të Kosovës. Ndonëse ende nuk kemi konfirmime zyrtare për detajet, lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit. Ministri ynë i Punëve të Brendshme po niset për Kroaci, ndërkaq drejt vendit të aksidentit te autostrada e Sllavonski Brodit tashmë është nisur ambasadori ynë në Zagreb”, ka thënë Kurti përmes një postimi në Facebook.

 

Ndërkohë kryeministri i Krocisë, Andrej Plenkoviq, ka thënë në Twitter se me trishtim të madh e ka pranuar lajmin për incidentin me autobus, me targa të Kosovës.

“Bashkëndjejmë me familjet e viktimave, autoritetet dhe popullin e Kosovës, të cilëve u shprehim ngushëllime të thella. Shpresoj që pasagjerët e plagosur të shërohen”.

Ndërkohë ministri i Jashtëm kroat, Gordan Gërliq Radman, ka thënë se ka biseduar me ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Qeverinë e Kosovës, Donika Gërvalla, për t’i shprehur ngushëllime popullit të Kosovës dhe familjeve të viktimave.

Burimi: Radio Evropa e Lirë

alert.al/

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed