Menu

EKSKLUZIVE/ Raporti i KLSH: Abuzimi me karburantin, 1 makinë e DRAKU-së bën 414 km në ditë në Tiranë, u dyfishua konsumi brenda vitit

Abuzimi me konsumin e karburantit të makinave është “korrupsioni i vogël” që ndodh rëndom në çdo institucion, por tek DRAKU ka një rritje eksponenciale. A e dini se DRAKU çdo vit e rrit me 150 % konsumin e naftës, ndërsa numri i makinave është i njëjtë?

KLSH në auditimin e bërë për tre vitet e fundit në DRAKU*, zbulon se konsumi i karburantit, nga 1200 litra në vitin 2018, arriti në 4170 litra në vitin 2020!

Rritja e konsumit të karburantit

Blerja e karburantit është kryer nga AKU Qendër, ndërsa sipas planit dhe nevojave, është shpërndarë në drejtoritë rajonale. Sipas të dhënave të akt-rakordimeve të karburantit të magazinieres X, rezulton se: në vitin 2018 institucioni kishte 1 mjet Land Rover Defender me targa AA720NS, ku janë bërë hyrje 1,200  litra dhe janë bërë dalje 1,084 litra. Diferenca gjendje 116 litra naftë ka kaluar dhe përdorur në vitin 2019.

Një vit më pas, institucioni kishte në përdorim 7 automjete të reja dhe 1 furgon, ku janë bërë hyrje 2,660  litra naftë dhe janë bërë dalje 2,630 litra. Diferenca  gjendje 146 litra nafte ka kaluar dhe është përdorur në vitin pasardhës.

Bumi i harxhimit të karburantit ka ndodhur në vitin 2020. Institucioni kishte në përdorim 8 automjete, pra po aq sa një vit më parë, por janë bërë hyrje 4,170 litra naftë dhe janë bërë dalje 4,166 litra karburant. Tepruan vetëm 150 litra naftë.

Rritja e konsumit të karburantit për të njëjtin numër mjetesh dhe përfafërsisht të njëjtin volum pune të inspektorëve, nuk ka nevojë për koment.

414 km brenda Tiranës një makinë për një ditë!    

DRAKU Tiranë ka hartuar dhe miratuar me komision normativat e konsumit të karburantit për automjetet e veta, sipas aktit teknik nr.3114/6  datë 11.03.2019.      – Janë mbajtur procesverbale të shoqëruara me autorizimet e inspektimit për justifikimin e karburantit të përdorur sipas automjeteve dhe inspektorëve.

Nga auditimi i dokumentacionit të karburantit, KLSH konstaton se: Në fletë-udhëtimet ose përmbledhëset sipas muajve e datave përkatëse, pasqyrohen km e kryera në mënyrë të pasaktë, pasi shtohen km në distancat e linjave  brenda qytetit Tiranë dhe jashtë saj, duke mos u mbështetur në tabelën e miratuar nga DPSHTRR, konkretisht:

– 414 km Tiranë-Tiranë për datën 02.09.2019 me makinën AA937VV,  ku për çdo ditë, maksimumi kryhen 2 inspektime me nga gjysmë dite punë.

-129 km Tiranë-Tiranë për datën 29.11.2019 me makinën AA872VV, ku për çdo ditë maksimumi kryhen 2 inspektime me nga gjysmë dite.

-141 km Tiranë-Kavajë-Tiranë, date 05.11.2019, makina AA912VV, ku për çdo ditë, maksimumi kryhen 2 inspektime me nga gjysmë ditë.

-133 km Tiranë-Kavajë-Tiranë, datë 19.11.2019,  makina AA912VV, ku distanca Tiranë-Kavajë është 50 km (vajtje ardhje 100 km),

-102 km DRAK.U- Njësia 2 dhe 5 Tiranë, datë 12.12.2019, makina AA912VV,

– 960 km Tiranë-Tiranë, muaji korrik 2020, makina TR 3226L.

Dokumentet shkel e shko

Fletëdaljet e naftës paraqiten në disa raste të parregullta,  pasi nuk janë të lexueshme, kanë korrigjime dhe shtesa, mungesë nënshkrimi nga marrësi, mungese urdhër-dalje nga titullari etj.

KLSH rendit në raport disa nga këto fatura me korrigjime. “Fletë dalja nr.163, datë 13.08.2019 për 212 litra naftë nuk ka nënshkrimin e marrësit. Fletë-dalja nr.133, datë  28.06.2019 për 30 litra nafte nuk ka nënshkrimin e marrësit; fletë dalja nr.188 datë 01.10.2019 për 297 litra naftë ka korrigjime në sasi (nga 197, bërë 297 litra) dhe në vlerë. Fletë dalja nr. 268, datë 20.12.2019 për 50 dhe 44 litra naftë ka korrigjime në sasi (nga 40 dhe 30, bërë 50 dhe 44 litra).

Fletë dalja nr. 112, datë 30.06.2019 ka shtesë për 100 litra naftë dhe korrigjime”. Sa sipër, vazhdon raporti i KLSH, evidentimi i lëvizjes, menaxhimit dhe konsumit të karburantit mbi bazën e një dokumentacioni mbështetës të parregullt, të paplotë dhe të paqartë si dhe të pambështetur në dokumente të tjera vërtetuese dhe plotësuese për harxhimin e karburantit si dhe mos argumentimi i rritjes së konsumit  të karburantit është në kundërshtim me: ligjin nr. 10296 date 8.7.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”.

Tender për transportin e reagentëve dhe perdeve

Sikur të mos mjaftonte abuzimi me karburantin e makinave, DRAKU paguan transport me makina të marra me tender. Më poshtë është shembulli kur DRAKU paguan 720 mijë lekë për të transportuar një raft dhe disa arka me reagent nga Siri Kodra tek DRAKU në rrugën “Hamdi Pepa”.

Sipas urdhër shpenzimit datë 24.07.2019, DRAKU  Tiranë ka likuiduar me procedurë prokurimi me vlera të vogla subjektin Y, në vlerën 72,000 lekë të reja, shpenzime transporti për 4 rrugë, për materiale e reagentë 510 kg, 1 raft, ambalazhe, bombola gazi, perde, abazhur, në linjën Siri Kodra deri tek DRAKU Tiranë,  rruga Hamdi Pepa.

Thuhet se materialet u transportuan me 4 rrugë, por nuk citohet lloji i automjetit dhe targa e tij në asnjë dokument të kësaj praktike.

“Fatura e subjektit nr.  60597242,  datë  03.07.2019  është e parregullt, pasi nuk të plotë përshkrimin e mallit, nuk është pasqyruar sasia dhe çmimi pa TVSH, mungon nënshkrimi i transportuesit dhe linja e përshkruar, mungon pasqyrimi i lloji të automjetit dhe targa e tij”, përshkruan raporti i KLSH këtë dokument.

Por, KLSH zbulon edhe një falsifikim në këtë transaksion.

“Fatura nr. 60597242, date 03.07.2019 nuk është e formatit tatimor, sepse shifrat e serive të kopjes së parë të faturës janë me ngjyre blu, në vend që të jenë të kuqe siç janë standardet.

Në këto kushte nga mos lëshimi nga OE i kësaj fature tatimore të regjistruar për shërbime të kryera, ka krijuar evazion fiskal. Blerja e shërbimeve nga furnitori me këtë lloj fature është e kundërligjshme. Për këtë faturë të parregullt nuk është  aplikuar gjoba mbi vlerën e saj si masë dënimi për krijimin e evazionit fiskal nga fumizuesit. Vlera e evazionit fiskal është 12,000 lekë të reja”, raportin KLSH.

Nga ana tjetër, nuk ka arsyetim ligjor mbi pagesën 72,000 lekë. “Kryerja e shërbimit të transportit në mënyre të ndarë (4 rrugë dhe jo vetëm 1, me qëllim uljen e kostos së shërbimit të transportit dhe respektuar parimin e ekonomicitetit) me nga 18,000 lekë/rruga, pasi nuk e justifikon ngarkesa prej 510 kg e cila është e vogël, edhe për një rrugë si dhe nuk justifikohet me këtë distance të shkurtër nga rruga “Siri Kodra” deri tek rruga “Hamdi Pepa”, nënvizon raporti i KLSH. Shpenzimi për qiramarrje mjeti transporti prej 72,000 lekë ka qene jo efektiv, jo i argumentuar dhe i pa nevojshëm, pasi DRAKU Tiranë disponon 10 automjete e veta. “Kjo do të thotë se janë shpenzuar 72,000 lekë, ndërkohë që ky shpenzim mund të ishte shmangur nga DRAKU Tirane, duke e kryer transportin me mjetet e veta”, konkludon KLSH.

Por, jo vetëm kaq, dokumentacioni i kësaj praktike pagese paraqet mangësi. “Procesverbali datë 03.07.2019 i komisionit  (krijuar sipas  urdhrit të drejtorit datë 03.07.2019 dhe tre punonjësve) nuk përcakton llojin dhe targën e automjetit si dhe kilometrat e pershkuara”, shkruhet më tej në këtë raport.

Perfundimisht, nuk ka pasur as konkurrencë ky shpenzim transporti dhe nuk është realizuar qëllimi i prokurimit, sepse ka fituar subjekti me vlerën e barabartë me fondin limit, madje dhe i paargumentuar ky fond.

Pangopësia e disa nëpunësve të këtij institucioni i ka çuar ata të abuzojnë edhe në një rast të tillë flagrant. Megjithëse është një rast qesharak për nga mënyra e realizimit dhe vlera, abuzimi me këto 720 mijë lekë, i përmbush elementët e kryerjes së disa veprave penale si “shpërdorim i detyrës”, “evazion fiskal”, “falsifikim dokumentesh”. (vijon)

KLSH ka kryer një  konktroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

 

Qendra Alert

alert.al/        

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed