Menu

Gratë në kurse trajnimi për të hyrë në punë në industrinë e teknologjisë

Industria e teknologjisë ka punësuar prej kohësh kryesisht burra në role teknike. Por një grup jofitimprurës në Siatëll të Uashingtonit po përpiqet ta ndryshojë këtë prirje. Rebeca Muñiz donte të bëhej inxhiniere kur ishte më e re, por i dukej e vështirë të kishte një karrierë në industrinë e teknologjisë.

“Kam qenë kryesisht rreth burrave të bardhë dhe nuk ndihesha rehat”, thotë Rebeca.

Tani Rebeca Muñiz, e cila punonte në fushën e komunikimit, është studente në akademinë Ada Developers, një organizatë jofitimprurëse në Seattle që trajnon gratë nga grupet e nënpërfaqësuara në teknologji. Për gjashtë muaj, këta studentë mësohen se si të jenë zhvillues programesh dhe më pas bëjnë praktikë.

Drejtuesja e Akademisë Lauren Sato thotë se organizata ka një vizion ambicioz për atë se çfarë do të thotë sukses.

“Ne kemi ndikim të rëndësishëm tek rritja çdo vit e numrit të grave dhe diversitetit gjinor tek kjo industri”.

Në mbarë botën, programet e trajnimit intensiv kanë marrë hov, duke u premtuar aftësi punësimi atyre që janë të etur për të hyrë shpejt në industrinë e teknologjisë. Disa nga programet kanë pasur rezultate të përziera, duke premtuar shumë mundësi punësimi dhe duke kërkuar pagesa të larta. Por në Ada, trainimi është falas ndërsa ofrohet edhe kujdesi për fëmijët. Por shkalla e pranimit është e ulët dhe përvoja mund të jetë sfiduese.

“Sinqerisht kam qarë shumë. Ka momente kur bëj diçka gabim dhe nuk e kam idenë si ta zgjidh”.

Klasat janë me kohë të plotë, dhe shumë kanë vështirësi. Alie Ibarra ka qenë mësuese e lëndëve sociale.

“Frika ime më e madhe është dështimi. Mendoj se ky është një rrezik i madh që po marr në ndryshimin e karrierës”.

Që kur u themelua në vitin 2013, Ada ka pasur më shumë se 300 të diplomuar – 94% prej tyre kanë gjetur një punë në teknologji, thotë organizata.

Por për shumë prej studentëve, nuk ka të bëjë vetëm me gjetjen e një pune, por edhe ndryshimin e industrisë së teknologjisë pasi të jenë brenda.

“Dua të mos jem thjesht një grua me ngjyrë në diskutimet në tryezë”, thotë Rebeca.

Kjo akademi që po zgjerohet në nivel kombëtar, duket për çdo të diplomuar si një katalizator i mundshëm ndryshimi. (VOA)

Qendra Alert/Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed