Menu

Kërcënimi ndaj kafshëve si pasojë e ndryshimeve të klimës

Ndërsa udhëheqësit botërorë arritën një marrëveshje në Glasgou për të frenuar ndryshimin e klimës, arinjtë polarë tashmë po vuajnë pasojat e kësaj dukurie. Arktiku po ngrohet dy herë më shpejt se pjesa tjetër e botës. Shkencëtarët dhe aktivistët e mjedisit thonë se kafshët janë duke u përballur tashmë më kërcënimin që po sjell ndryshimi i klimës. I bukur, gjithnjë e më i uritur dhe në rrezik nga zhdukja, ariu polar varet nga akulli i detit që tani po shkrinë për shkak të ngrohjes së planetit tonë. Në Arktikun e ashpër temperaturat e ulta janë të domosdoshme për ariun polar.

Shkencëtarët dhe aktivistët thonë se vendosja e arinjve polarë në listën e specieve “të kërcënuara” nga zhdukja është një sinjal paralajmërues për pjesën tjetër të planetit.

“Akulli është i rëndësishëm për arinjtë polarë sepse krijon mundësinë që ata të lëvizin në sipërfaqen e tij për të kapur prenë e tyre. Akulli duhet të ketë një trashësi dhe qëndrueshmëri të caktuar në mënyrë që arinjtë polarë të jenë në gjendje të kapin në mënyrë efektive fokat që notojnë në cepat e akullnajave”, thotë Steven Amstrup, shkencëtar i organizatës Ndërkombëtare Arinjtë Polarë.

Akulli i detit Arktik, uji i ngrirë i oqeanit, tkurret gjatë verës me rritjen e temperaturave, pastaj ngrin përsëri në dimrin e gjatë. Arktiku po ngrohet dy herë më shpejt se pjesa tjetër e botës. Kjo po shkaktohet nga dukuria e quajtur “përforcimi Arktik”. Në thelb, akulli i bardhë në Arktik pasqyron nxehtësinë. Kur ai shkrihet, uji i detit thith shumë më tepër nxehtësi, duke i ngrohur oqeanet edhe më shpejt, thonë shkencëtarët. Tkurrja e akullit të detit çon në uljen e numrit të arinjve polarë. Pra, atyre u duhet më shumë akull për të lëvizur dhe gjetur ushqim të mjaftueshëm gjatë ditëve të verës, që do t’u ndihmonte ta kalonin dimrin e ashpër më mirë.

Që nga fillimi i shkrirjes së akullit në vitet 1980 arinjtë polarë nuk kanë qenë në gjendje të mirë shëndetësore, thotë shkencëtari Amstrup..Një përqindje më e madhe e këlyshëve po vdesin para ditëlindjes së tyre të parë.

Vitet e fundit akulli i detit është tkurrur shumë gjatë verës.

Kjo i ka detyruar arinjtë të lëvizin në akullin mbi ujëra të thella, nganjëherë mbi 1 kilometër thellësi, thotë zoti Amstrup.

“Është dëshpëruese të shohësh me sy të lirë atë që tani po ndodh në Arktik. Pasi kthehesh në botën reale, shikon përreth dhe e kupton se askush nuk po i ndryshon gjërat me shpejtësinë e duhur për të frenuar ndryshimin e klimës”, thotë biologia detare e Universitetit të Uashingtonit, Kristin Laidre, e cila merret me studimin e arinjve polarë.

Pavarësisht angazhimit të udhëheqësve botërorë në Skoci për të rritur përpjekjet për të frenuar ndryshimin e klimës, shkencëtarët që monitorojnë akullin e Detit Arktik dhe shohin gjendjen e arinjve polarë e dinë se tashmë ka një nivel të lartë të ngrohjes.

“Është pothuajse e pamundur për ne të shohim se si mund të shmangim momentin, kur Deti Arktik do të jetë pa akull, madje edhe nëse jemi në gjendje të bëjmë më shumë në përpjekjet për të pakësuar emetimet”, thotë Twila Moon, shkencëtare e Qendrës Kombëtare të të Dhënave të Borës dhe Akullit. (Associated Press)

Qendra Alert/Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed