Sipas të dhënave të fundit nga Instituti Zooprofilaktik Eksperimental i Piemonte, Liguria dhe Valle d’Aosta, kufomat e derrave të egër të gjetur të ngordhur për shkak të murtajës afrikane të derrit janë 27. Për momentin, zona e prekur përbëhet nga komunat e vendosura në Piemonte dhe Liguria. Kufoma e derrit të parë të egër që ngordhi nga murtaja u gjet më 5 janar 2022 dhe menjëherë më pas u ngrit një njësi e krizës pranë Ministrisë së Shëndetësisë së Italisë për të menaxhuar një situatë aspak të lehtë. Rreziku është frenimi i virusit që mund të dëmtojë të gjithë sektorin e përpunimit të mishit të derrit.
Për të kuptuar se sa ngjitës është mjafton të thuhet se virusi ka prekur dhjetëra vende prej vitesh, duke shkaktuar vdekjen e miliona kafshëve. Frika e veterinerëve është se do të mbërrijë në ferma dhe në atë moment do të ishte vërtet një fatkeqësi për sektorin sepse do të vinte ndalimi i eksportit. Në fakt, ka vende si Japonia dhe Kuba, të cilat tashmë kanë ndaluar importin e produkteve italiane. Tani le të shohim se çfarë është murtaja afrikane e derrave dhe pse është kaq e frikësuar. Ministria e Shëndetësisë së Italisë e cilëson si një infeksion viral që prek derrat e egër dhe derrat shtëpiak, por që nuk transmetohet te njerëzit. Është një sëmundje shumë infektive dhe shpesh fatale për kafshët. Këtu janë përgjigjet e ministrisë për pyetjet kryesore:
- Kur u shfaq dhe ku u përhap?
Sëmundja u zbulua në Afrikë në vitin 1921 dhe disa dekada më vonë u raportua në Evropë. Deri në fund të viteve 1990 ishte një rrezik i nënvlerësuar. Në vitin 2007, infeksioni u raportua në Kaukaz. Në këtë zonë sëmundja ka gjetur kushtet ideale për t’u përhapur, jo vetëm në rrjetin e dendur të fermave familjare të karakterizuara nga niveli i ulët i biosigurisë, por edhe në popullatën e derrit të egër. Infeksioni u përhap me shpejtësi drejt veriut, duke prekur në mënyrë progresive Federatën Ruse dhe disa republika të tjera që i përkasin ish-Bashkimit Sovjetik, duke përfshirë edhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si Poloninë, Gjermaninë, Estoninë, Letoninë, Sllovakinë, Greqinë, Lituaninë, Rumaninë, Hungarinë dhe Bullgarinë.
- Si transmetohet?
Sëmundja është shumë infektive dhe transmetimi mund të ndodhë në disa mënyra. Derrat e egër infektohen me njëri-tjetrin nëpërmjet kontaktit të thjeshtë me kafshët e infektuara që kullosin ose jetojnë në natyrë. Një mjet tjetër është ngrënia e mishit ose nënprodukteve të mishit nga kafshët e infektuara. Më pas është kontakti i kafshëve me çdo objekt të kontaminuar nga virusi, si veshjet e personelit që punon në ferma, automjetet dhe pajisjet. Mënyra më e zakonshme e përhapjes është qarkullimi i produkteve të derrit të kontaminuar dhe asgjësimi i paligjshëm i kufomave. Virusi ka rezistencë të mirë në mjedisin e jashtëm dhe mund të qëndrojë deri në 100 ditë, duke mbijetuar brenda mishit të kuruar për disa muaj ose duke i rezistuar temperaturave të larta. Për të kuptuar se sa e vështirë është të bllokosh infeksionin, mjafton të mendosh se kur derrat e egër kalojnë pranë qendrave të banuara dhe rrëmojnë në mbeturina, mund të infektohen dhe të transferojnë virusin për dhjetëra kilometra përmes feçeve dhe urinës. (IlFattoAlimentare)
Qendra Alert/Alert.al
LINI NJË KOMENT