Menu

Personat me aftësi të kufizuara pa akses e mjete ndihmëse, Fondacioni “Së Bashku”, sjell praktikat e mira europiane

Personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri, nuk u garantohen edhe të drejtat e tyre bazike. Përvec pamundësisë për të aksesuar pjesën më të madhe të institucioneve apo mjedise publike si pasojë e mungesës së rampave,  vendi ynë nuk ka ngritur ende një sistem të garantimit të mjeteve ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara sipas standardeve ndërkombëtare.

Fondacioni “Së bashku”, në një studim të publikuar së fundmi evidenton se pavarësisht rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, institucionet e linjës në vendin tonë nuk kanë miratuar listën e mjeteve ndihmëse, duke mos përditësuar edhe ndryshimet, si rezultat i zhvillimit  të teknologjisë tek mjetet që lehtësojnë jetën dhe aktivitetin e personave me aftësi të kufizuara.

Me celjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, janë rritur edhe pritshmëritë e personave me të kufizuara, për garantimin e standarteve europiane. Por në mungesë të një plani veprimi, që të parashtrojë angazhimet e shtetit shqiptar në të ardhmen,  Fondacioni “Së bashku” ka hartuar, “Dokumentin informues mbi mjetet ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara”, duke sjellë praktikat e mira nga vendet e Bashkimit Europian dhe rajonit.

Drejtorja ekzekutive e Fondacionit  “Së bashku”, Suela Lala, teksa rrëfen vështirësitë e personave me aftësi të kufizuara për të siguruar mjetet e domosdoshme ndihmëse në Shqipëri, tregon edhe lehtësitë që ofrojnë për këtë kategori jo vetëm vendet e BE-së, por edhe të rajonit.

Suela Lala: Në studim, ne kemi marrë në analizë shtete që kanë praktika shumë të mira dhe të zhvilluara në ofrimin e mjeteve ndihmëse si, Italia dhe Sllovenia. Por nuk jemi kufizuar, duke përfshirë edhe vende të rajonit, që janë më pranë me Shqipërinë në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe ecurinë e procesit të Integrimit Europian, si Maqedonia dhe Mali I Zi. Ndryshe nga vendi ynë, që nuk ka ende një sistem të ngritur dhe listë të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, këto shtete ofrojnë mjete ndihmëse edhe pse me raste mund të jenë në numër të kufizuar. Tek ne, mungesa e një sistemi shkakton problematika të shumta. Edhe nëse sigurojnë me mundësitë e tyre apo nga dhurimet, karrige me rrota, dyshekë elektrikë, apo mjete të tjera ndihmëse, e kanë shumë të vështirë mirëmbajtjen dhe riparimin e tyre. Dhe këtu po diskutojmë vetëm për mjete bazë, të cilat nuk arrijnë në zonat e thella. Ndrkohë nuk bëhet fjalë për mjete me standarte bashkëkohore, si dyshekët apo jastëkët që parandalojnë plagët.

Në “Planin Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara 2021-2025”, hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, konfirmohet se ofrimi i shërbimeve publike për jetesën e pavarur të personave me aftësi të kufizuara ka qenë kryesisht i munguar, me përjashtim të disa modeleve nga shoqëria civile. Por, megjithatë nuk ofrohet një plan veprimi i mirëpërcaktuar për ndërmarrjen e një reforme në lidhje me mjetet ndihmëse.

Ngritja e sistemit sipas rekomandimeve të OBSH-së apo praktikave të vendeve fqinje, thekson Lala është domosdoshmëri pasi pajisjet janë shumë të kushtueshme dhe të papërballueshme nga personat me aftësi të kufizuara.

Është një gamë shumë e gjërë mjetesh ndihmëse të domosdoshme që duhen mbuluar nga shteti, duke nisur nga karriget me rrota cilësore, krevatë të përshtatshëm, paterica, etj.

Me kalimin e kohës, shumë prej gjyshërve tanë u dobësohet dëgjimi. Aparati I dëgjimit, është ndër mjetet që kërkon patjetër ndërhyrjen e shtetit.

Po ashtu personat që jetojnë me Urostomi dhe Kolostomi kanë kosto të lartë të mjeteve që duhet të përdorin dhe të papërballueshme nga pensioni I tyre.

Këto masa, jo vetëm përmirësojnë shëndetin dhe cilësinë e jetës së këtij grupi të popullatës, por gjithashtu ulin kostot në sektorin e shëndetit publik, duke parandaluar sëmundje dhe problematika të ndryshme. Në shtete të tjera, të moshuarit lëvizin me scoter, duke mbuluar nevojat e tyre, ndërsa në Shqipëri një pjesë e mirë e tyre, nuk arrijnë të shkojnë as tek mjeku apo në farmaci.

Personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri rezultojnë më të diskriminuarit nga institucionet publike për vitin 2022. Sipas Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, edhe vendimmarrja e këtij institucioni është fokusuar drejt kësaj kategorie nisur nga ankesat e shumta. Komisioneri Robert Gajda evidenton se:

Cështja e aksesueshmërisë mbetet problem shumë i madh në Shqipëri, madje edhe në institucione që ofrojnë shërbime me frekuencë të shpeshtë, si bashkitë apo shkollat. Vendosja e rampave është një detyrim ligjor, që vijon të injorohet nga institucionet. Ne konstatojmë që edhe brenda kategorisë së personave me aftësi të kufizuara ka diskriminim. Janë disa aftësi të kufizuara që kanë ligje të posacme, ndërsa të tjerë hasin vështirësi në përfitimin e shërbimeve që u takojnë.

Në Planin Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara 2021-2025  ndër objektivat kryesore nënvizohet, realizimi i aksesueshmërisë në mjedise, në transport si dhe në informacion dhe komunikim për personat me aftësi të kufizuara. Ky dokument nxjerr në pah dështimin e institucioneve, për t’ju garantuar kushtet e domosdoshme personave me aftësi të kufizuara.

Nga 400 objekte të verifikuara, që janë në varësi të MSHMS-së, vetëm 34% ofrojnë akses për personat me aftësi të kufizuara, por jo të gjitha në përputhje me standardet.

Mjetet ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara përfshijnë çdo pajisje apo teknologji, që përdoret për të mbështetur shëndetin dhe veprimtarinë, duke synuar ruajtjen ose përmirësimin e aftësive funksionale.  Referuar studimit të fondacionit, e vetmja pjesë e legjislacionit që gjen zbatim në lidhje me mjetet ndihmëse është ai i përjashtimit të taksave doganore, kur personat me aftësi të kufizuara blejnë jashtë vendit autovetura dhe mjete ndihmëse që u nevojiten.

Related Posts

LEAVE A COMMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed