Menu

Pezullohen nga detyra prokurorët Edmond Karriqi dhe Maksim Sota, ja kush e merr drejtimin në Prokurorinë e Kukësit

Me 10 vota pro (në mungesë të anëtares Esmeralda Keshi), KLP pezullon nga detyra prokurorët Edmond Karriqi dhe Maksim Sota për shkak të masës së sigurisë personale “arrest me burg”, respektivisht “arrest në shtëpi”, vendosur nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pezullimi zgjat deri në rënien e shkakut për të cilin është vendosur, sikundër kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Apelit.

Përse akuzohet prokurori Sota?

Prokurori Maksim Sota u vu në pranga në kuadër të operacionit “Shpirti”. Ai akuzohet për shpërdorim detyre dhe sipas dosjes së prokurorisë, Sota kishte jetuar dhe në një shtëpi me një nga trafikantët e prangosur si dhe ka ndihmuar kreun e grupit, Ilirjan Ducellarin (Zaimi), që të eliminonte problemet me drejtësinë. Vetë prokurori ka ka mohuar përfshirjen e tij në grupin e strukturuar kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Sipas dosjes, roli i supozuar i prokurorit Maksim Sota rezulton nga deklarimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë Donial Droli dhe Maringlen Shusha, sipas të cilëve drejtuesi i grupit kriminal shqiptar Ilirjan Duçellari (Zaimi), arrestuar në Shqipëri në korrik 2020, kishte lidhje me prokurorin, madje i kishte siguruar një shtëpi me qira të cilën e paguante trafikanti, kur Maksim Sota jetonte bashkë me Maringlen Shushaj. Megjitjatë, ai i ka mohuar këto akuza duke thënë se ka jetuar te shtëpia e vëllait të tij në Vlorë. Mbi bazën e këtyre dëshmive, u krijua dyshimi për “infiltrimin e grupit kriminal në radhët e përfaqësuesve që ushtrojnë ndjekjen penale në emër të Shtetit me pasojë të drejtpërdrejtë vështirësi dhe pengesa shtesë në drejtim të parandalimit dhe luftimit të këtyre veprimtarive kriminale”. Gjykata mbi këto elemente ka bazuar akuzat ndaj prokurorit Maksim Sota për shpërdorim detyre.

Prokurori Kariqi

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dërgoi në qeli prokurorin e Kavajës, Edmond Karriqi, nën akuzë për korrupsion së bashku me shoferin Isuf Gega, që konsiderohet nga SPAK si personi që negocioi për të liruar pesë persona, të cilët u arrestuan nga policia me 4.5 gramë kanabis.

SPAK këmbëngul se dy të kërkuarit e tjerë Emrijan Dedja dhe Dritan Dedja komunikuan në telefon e më tej zhvilluan takime në qytetin e Kavajës, ku u fol për pagesën. Madje një kamera sigurie në një qendre tregtare tregon se si Dedja u paraqit ne një ‘exchange’ dhe konvertoi rreth 2 mijë euro. Pas ketij takimi, Dedja telefonon të atin duke e qetësuar e duke i thënë se pagesa u krye dhe se ai duhej të qetësohej pasi i vëllai do të dilte sa më shpejt.

Lita në vend të Kariqit

Për shkak të pezullimit nga detyra të prokurorit Edmond Karriqi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, i caktuar përkohësisht si Drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, Këshilli vendosi transferimin përkohësisht, me pëlqimin e tij, të z. Xhevahir Lita, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, i cili do të ushtrojë detyrën si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës  së Shkallës së Parë Kukës, përkohësisht  nga data 05.07.2021 – 04.01.2022.

Gjithashtu, me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi me votë unanime, që prokurori Xhevahir Lita të caktohet përkohësisht të ushtrojë edhe funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për një afat tremujor, nga data 05.07.2021 – 04.10.2021, pasi ai i plotëson kushtet e përcaktuara në ligj dhe në Rregulloren përkatëse të Këshillit.

alert.al/

Related Posts

LEAVE A COMMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed