Menu

Sulmi kibernetik në Shqipëri, nën akuzë 5 ekspertë të Administratës Publike

5 ekspertë të Teknologjisë së Informacionit në Administratën Publike në Shqipëri janë vënë nën akuzë për “Shpërdorim detyre”, lidhur me sulmin kibernetik të muajit korrik, i cili goditi sistemet qeveritare të informacionit. Ndaj të 5 ekspertëve, dy prej të cilëve përgjegjës sektori në Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë e Burgjeve, Prokuroria kërkoi “arrest shtëpie”, por gjykata e Tiranës vendosi një masë edhe më të lehtë, atë të “detyrim për paraqitje”.

Një raport i kompanisë Microsoft, ka vlerësuar se sulmi kibernetik është mundësuar përmes platformës “administrata.al”. Prokuroria thotë se gjatë sulmit janë shfrytëzuar dobësitë e sistemeve të instaluara nga kompani private, të cilat nga njëra anë nuk kanë bërë përditësimin e tyre, dhe nga ana tjetër kanë keqkonfiguruar pjesë të sistemeve. Nga hetimi i brendshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ka rezultuar se ekspertët e administratës publike, nuk kanë respektuar rregulloret e brendshme. “Stafi i Teknologjisë së informacionit, pranë Departamentit të Administratës publike (DAP) mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem. Në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit, dhe Rregullores së Brendshme të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, (AKSHI) duke kërkuar informacion dhe duke u përditësuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t”-shpjegon Prokuroria e Tiranës në njoftimin zyrtar për rastin. Autoritetet shqiptare bën përgjegjëse Qeverinë e Iranit si organizatore të sulmit duke u kundërpërgjigjur me ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet.

Qendra Alert/Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed