Menu

Tenderi 23 mln euro për uniformat e Policisë, SPAK arreston ish-drejtoreshën e prokurimeve dhe 7 zyrtarë

Tetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme janë arrestuar ditën e sotme dhe një tjetër është lënë në ‘arrest shtëpie’, pasi një operacioni antikorrupsion nga SPAK, në lidhje me abuzimet me prokurimet publike. Më konkretisht, operacioni është ndërmarrë në lidhje me abuzimin me tenderin e uniformave të policisë me vlerë 23 milionë euro, ku mes të arrestuarve është edhe ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, e cila iu shkarkua nga kjo detyrë më 2 korrik, vetëm një javë më parë, si pjesë e ristrukturimit të kupolës drejtuese të Policisë së Shtetit, që Kryeministri Rama dhe Ministri Çuçi e njoftuan më herët.

Urdhër arrestet

Urdhër arresti janë lëshuar po ashtu edhe për anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj. Ndërkohë është lënë në ‘arrest shtëpie’ Anisa Bogdani, e cila ishte anëtare e njësisë së prokurimit. Po ashtu SPAK ka kryer kontrolle edhe në banesat e të arrstuarve.Hetimet kanë nisur për disa tendera të dyshimte nga Agjencia e Përqendruar në Ministrinë e Brendshme. Prokurori i SPAK, Dritan Premçi ka kërkuar nga GJKKO arrestimin e 9 zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme.

SPAK ka gjetur parregullsi e falsifikim të dokumenteve dhe favorizim të kompanive pjesëmarrëse në këtë tender. Gjatë hetimit janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, bërë nga anëtarët e Njësisë së Prokurimit, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Kreshnik Bejkaj. Fatmir Demneri, Mariglen Buzali, Gezim Mingaj, në bashkëpunim me njeri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës. Drejtor i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, ku si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedure prokurimi.

Kush e denoncoi tenderin?

Operacioni i SPAK vjen gati një vit pasi deputetët e opozitës, Myslim Murrizi dhe Halit Valteri kallëzuan në SPAK, më 3 gusht të 2020, tenderin e Ministrisë së Brendshme për uniformat  e policisë me vlerë prej 23 milionë eurosh. Ata pretenduan se tenderi i ishte dhënë një kompanie gërmimesh që nuk kishte lidhje me rrobaqepësinë, duke i kërkuar SPAK që të hetojë.

Grupi parlamentar demokrat, i drejtuar nga Myslym Murrizi ka kallëzuar në atë kohë ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, lidhur me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit, po ashtu ish-ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Murrizi e akuzonte Lleshajn dhe Xhaçkën për “Korrupsion Aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”; “Korrupsion Aktiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë”; “Shpërdorim detyre”; “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”; “Korrupsion Pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”; “Korrupsion Pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë”, Nuk dihet nëse SPAK po heton ndaj ketyre dy personave.

U shkarkua nje javë më parë

Edlira Naqellari, ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, e cila u arrestua sot pas aksionit të SPAK në lidhje me abuzimet me prokurimet publike, rezulton se u shkarkua nga kjo detyrë vetëm 1 javë më parë.

Naqellari u shkarkua më 2 korrik, si pjesë e ndryshimeve që u bënë për ristrukturimin e Policisë së Shtetit, ndërsa në vend të saj u komandua njëra prej drejtuesve të Njësive të Agjencisë, Nertila Mihali. Edlira Naqellari është motra e Kryetares së Gjykatës se Lezhës, Ornela Naqellari.

 

 

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed