Menu

Sigurimet, vetëm ALBSIG nuk e njeh krizën

Nga Ersuin Shehu

Tregu i sigurimeve e kufizoi rënien gjatë muajit të dytë të pandemisë, falë një ecurie të mirë të primeve në sigurimin e katastrofave. Mbështetur në të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për prillin primet e shkruara bruto ranë me 15% me bazë vjetore, ndërsa për marsin rënia kishte qenë shumë më e thellë, me 42%.

Prilli u “shpëtua”, pjesërisht, nga një rritje e fortë e sigurimeve në klasën e fatkeqësive natyrore. Primet e sigurimit nga zjarri dhe forcat e natyrës u trefishuan krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe arritën vlerën e 279 milionë lekëve. Sigurimet në këtë klasë sollën 26% të primeve të shkruara bruto për prillin, ndërkohë që prillin e vitit të kaluar përbënin vetëm 7%.

Burimi: AMF

Zakonisht, luhatjet e sigurimeve në këtë klasë lidhen me kontrata të veçanta sigurimi në vlerë të madhe të kompanive private.

Siç ka ndodhur shpesh vitet e fundit, përfituesi i këtyre sigurimeve duket se ka qenë kryesisht kompania Albsig. Kjo dëshmohet tërthorazi nga fakti që shoqëria e sigurimeve e grupit Kastrati regjistroi një rritje të primeve të arkëtuara me gati 50% për prillin, ndërsa shumica e kompanive të tjera ishin në rënie të ndjeshme (me përjashtim të Insig, që raportoi një rritje të lehtë, me rreth 4%).

Albsig është gjithashtu e vetmja kompani që ka rritur primet e arkëtuara për katërmujorin e parë të vitit, me 21% më shumë kundrejt të njëjtës periudhë të 2019.

Rritja e primeve të Albsig në këtë klasë sigurimesh mund të jetë e lidhur me ndikimin në rritje që grupi i Shefqet Kastratit ka në sektorin publik, ku ka fituar kontrata të rëndësishme të tenderave dhe PPP-ve në vitet e fundit.

Në tërësi, shifrat progresive të katërmujorit dëshmojnë se pasojat e krizës në tregun e sigurimeve janë të qarta, me një rënie të primeve prej afërsisht 11% krahasuar me katërmujorin e vitit të kaluar.

Pa kontratat e përfituara nga Albisg në sigurimin e katastrofave, rënia do të kishte qenë natyrisht më e thellë. Shumica dërrmuese e klasave të sigurimit paraqiten në rënie të ndjeshme, duke filluar nga segmenti më i rëndësishëm i tregut, ai përgjegjësive për dëmet motorrike ndaj palëve të treta. Për katërmujorin klasat e përfshira në këtë grup kanë rënë me 16%.

Marrë nga Paraja.net

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed