Plot 24.3 milionë euro. Kjo është kostoja që ka përfituar sektori shëndetësor shqiptar për të përballuar pandeminë e koronavirusit, kosto e pamjaftueshme për të përballuar nevojat reale. Ndërkohë, gjithë shërbimi ka qenë i centralizuar në Tiranë, duke nxjerrë jashtë loje të gjitha spitalet rajonale e bashkiake, të cilat përgjatë kësaj periudhe patën edhe një rënie të konsiderueshme të të ardhurave të tyre dytësore.
Në raportin “Ndiq paranë e Covid-19”, të realizuar nga shoqata “Together for Life” me mbështetjen e “Westminster Foundation for Democracy” është bërë një analizë e plotë se ç’ndodhi me paratë që u vunë në dispozicion për të përballuar pandeminë Covid-19.
Sipas raportit, duke marrë në konsideratë faktin se në vitin 2020 Shqipëria dhe e gjithë bota u prekën nga një situatë e pazakontë prej pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, buxheti i shtetit shqiptar i këtij viti kaloi në rishikim tre herë në vetëm 6 muaj. Por, edhe pse buxheti është rishikuar disa herë për vitin 2020, disa prej programeve të MSHMS-së nuk kanë pasur asnjë ndryshim në buxhetin e alokuar, si: Planifikimi, Menaxhimi dhe Administrimi, Shërbimet e Kujdesit Parësor apo Shërbimet e Shëndetit Publik. Ndryshimet e vetme në alokim janë bërë në programin e Shërbimeve të Kujdesit Dytësor, Shërbimit Kombëtar të Urgjencës dhe Përfshirjes Sociale.
Raporti vlerëson se para shpërthimit të Covid-19, sistemi shëndetësor shqiptar u përball me vështirësi kritike në financimin dhe ofrimin e shërbimeve. Kostot për frymë për shëndetësinë shqiptare (2.9%) janë dukshëm më të ulëta se mesatarja e BE-së (10%) dhe mënyra se si shpenzohet financimi i pakët është joefikas ose në kundërshtim me profilin e sëmundshmërisë në rajon.
Gjithashtu rezulton se fondet për veprimet parandaluese për të mbrojtur popullatën nga infeksioni janë lënë pas dore, dhe gjithçka ka mbetur vetëm në këshillimet për mbajtjen e maskave, larjen e duarve dhe ruajtjen e distancës shoqërore, si dhe mungojnë ekipe të trajnuara për të ndihmuar pacientët me Covid-19, të cilët ndiqen nga mjeku i familjes dhe trajtohen në shtëpi.
Sipas të dhënave të këtij raporti, në Spitalin Universitar të Traumës janë transferuar të gjitha urgjencat e kirurgjisë, por edhe ato të patologjive malinje, duke trefishuar punën në këtë spital. Kjo mbingarkesë ndodh kur spitalet rajonale kanë kapacitetet infrastrukturore dhe të burimeve njerëzore për të përballuar fluksin e urgjencave kirurgjikale dhe ato të sëmundjeve malinje. Analistët e raportit pohojnë se vendosja në funksion e spitaleve rajonale nuk kërkon investime me shuma të mëdha, por është kosto – eficiente për burimet njerëzore dhe për financat.
Faktet kryesore dhe gjetjet
Shqipëria në dy vitet e fundit (2019 & 2020) ka shpenzuar për shëndetin dhe mbrojtjen sociale 2.9% e PBB.
Buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është 512,03 milion Euro, sipas Ligjit të Buxhetit 2020.
Nga marsi i vitit 2020 deri në shtatorin e vitit 2020, ligji i buxhetit i vitit 2020 është ndryshuar 3 herë
Ndikimi i akteve normative në ligjin e buxhetit 2020 parashikohet të ketë një deficit prej 132,6 milion Euro në buxhetin e vitit 2020 për shpenzimet totale të Qeverisë (përfshirë sektorin e shëndetësisë).
Buxheti i akorduar nga aktet normative për të trajtuar pandeminë Covid-19, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është:
Rreth 14.5 Milion Euro (1.8 miliardë lekë) për shpenzimet operacionale
9.7 milion Euro (1.2 miliardë lekë) për shpenzimet kapitale.
Donacionet e bëra nga individë, organizata, institucione dhe qeveri të huaja, si dhe ndihma shëndetësore e disponueshme nga MShMS, arrijnë në një vlerë totale prej 4.2 milion Euro.
MShMS ka shpenzuar 266.4 milion Euro deri në shtator 2020, dhe shpenzimet për spitalet janë 93.4 milion Euro.
Buxheti i mbetur deri në fund të vitit, është 200.28 milion Euro.
Transferimi i fondeve në spitalet rajonale arrin në 93.4 milion euro, të cilat përbëjnë 26% të të gjitha fondeve në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Pjesa më e madhe e shpenzimeve në një spital ka shkuar për pagat dhe shpërblimet e stafit, që arrin mesatarisht në 58% të totalit.
Shpenzimet për ilaçe dhe pajisje mjekësore arrijnë në rreth 20% të shpenzimeve totale mujore të spitaleve
Shpenzimet e tjera operacionale kanë një pjesë prej 22% të shpenzimeve totale mujore të spitaleve.
15 kontrata prokurimi (sekrete) që janë aprovuar në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave përfshijnë një shumë totale prej 4,05 milion Euro
Kontratat e prokurimit në lidhje me procedurën e negociuar pa shpallje ishin në një vlerë totale prej 2.18 milion Euro.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaron rritjen e kapaciteteve terapeutike intensive dhe nën intensive, duke dedikuar 500 shtretër, 80% e tyre me linja oksigjeni, gjysma e të cilave janë të reja (COVID 3 dhe 4)
Personeli mjekësor i specializuar në sëmundjet infektive (epidemiolog dhe reanimator), është i pamjaftueshëm në rast të rritjes së numrit të pacientëve që trajtohen në spitale
Nga 200 respiratorë të raportuar në sistemin spitalor para fillimit të pandemisë Covid-19, 173 aparate për frymëmarrje u shtuan përmes blerjeve nga MShMS me ndihmën e donatorëve, gjë që rriti kapacitetet në spitalet Covid dhe disa spitale rajonale.
Përmes donacioneve dhe financimit në MShMS, Dy spitalet Covid (3) dhe Covid (4) janë kompletuar me shtretër dhe pajisje mjekësore.
Mundësitë e kufizuara të grupeve epidemiologjike, të ndjekura nga rritja e kërkesave për analiza, veçanërisht në Tiranë-Durrës, kanë rritur kohën e pritjes për t’u testuar.
LEAVE A COMMENT