Menu

Lodrat “vrasësit” e heshtur të fëmijëve! Si ta kuptojnë prindërit kur ato janë helmuese dhe me kimikate?

Nga Vilma KËRÇIKU

Të gjithë “dorëzohemi” para fëmijëve, aq më tepër kur ata kërkojnë t’u blejmë lodra apo mjete të tjera argëtuese. Në fakt herë pas here është ngritur alarmi se ka lodra që janë të dëmshme për shëndetin e fëmijëve, pasi lëndët helmuese të gjendura në të janë pjesë e mijëra kimikateve dhe lidhur me këtë prindërit e kanë të pamundur të arrijnë të kuptojnë nëse lodrat që blejnë për fëmijët e tyre janë “vrastare” apo argëtuese.

Mjekja toksikologe Esmeralda Thoma thotë se shenjat që shfaqen si pasojë e ekspozimit të fëmijëve me lodra të prodhuara pa standarde janë: “Irritim i lëkurës, i syve apo zhvillimi i ndonjë alergjie të mundshme si pasojë e lëndëve që përmbajnë këto lodra të fëmijëve. Në përgjithësi është shumë e vështirë të dallohen dhe diagnostikohen sëmundjet që shkaktohen si pasojë e ekspozimit nga këto lodra vetëm në rast se flasim për një lidhje të drejtëpërdrejtë të shenjave që theksuam më lart sa herë që fëmija luan me një lodër të caktuar.”

Loja e fëmijëve nëpërmjet lodrave të ndryshme apo dhe nëpërmjet lojërave që ato krijojnë kanë një efekt shumë pozitiv në zhvillimin mendor dhe konjektiv të fëmijëve. Nëse lodrat nuk janë të prodhuara me standarde europiane ato mund të kthehen lehtësisht në problem për fëmijët për zhvillimin mendor dhe atë fizik. Ndërkohë lodrat e krijuara sipas kritereve të mirëpërcaktuara të DSM5 nuk krijojnë varësi, por shërbejnë si mekanizëm që fëmijët të rriten dhe zhvillohen në baza të shëndosha.

Lodrat e prodhuara pa standarde dhe ekspozimi afatgjatë ndaj tyre sjell me vete disa sëmundje, si: Zhvillimi i kancereve të ndryshme, dobësim i sistemit imunitar, defekte të zhvillimit mendor dhe konjektiv të fëmijëve, të zhvillimit hormonal të fëmijëve si dhe problem të rritjes dhe zhvillimit fizik të tyre ku veç këtyre mjekja Thoma thekson se në disa raste ekspozimi afatgjatë me këto lodra është i lidhur drejtëpërdrejtë dhe me lindjen premature të fëmijëve, zakonisht tek nënat që në shtatzëni janë të ekspozuara me lëndë të ndryshme helmuese ose toksike që gjenden lehtësisht në shtëpi.

Një shqetësim më vete janë kimikatet që gjendet zakonisht në lodra dhe në ambientet ku ne jetojmë dhe punojmë, duke e bërë kështu të paevitueshëm kontaktin me to.

“Metalet e rënda, si plumbi, arseniku, kaliumi dhe mërkuri nuk janë të vetmet lëndë helmuese të organizmit, por janë gjithashtu dhe një sër kimikatesh të ndryshme plastike. Nëse fëmijët ekspozohen për një kohë të gjatë ndaj metaleve të rënda dhe lëndëve plastike bën që me kalimin e kohës të kthehet në problem të mirëfilltë shendetësor për fëmijët, ku në shumicën e rasteve është shumë e vështirë të diagnostikohet për shkak të mungesës së teknikave specifike laboratorike për matjen e lëndëve në gjak.”

Një problem më vete dhe që gjendet masivisht nëpër lodra të ndryshme plastike janë ngjyruesit. “Sa më e ndezur të jetë ngjyra e lodrave që fëmijët po luajnë aq më shumë ngjyrues plastik artificial kanë këto lëndë dhe aq më të rrezikshme bëhen ato për shëndetin e fëmijëve.” Lidhur me këtë mjekja toksiloge Esmeralda Thoma bën që prindërit të shmnagin sa më shumë të jetë e mundur këto lloj lodrash që janë të ngjyrosura me ngjyrues artificial.

Lodra pa standarde, kimikate, ngjyrues nuk janë vetëm këto elementet që të “vrasin” në heshtje, pasi një rrezik i fshehur vijion të mbetet dhe ekspozimi ndaj plumbit, të paktën kështu e konsideron Organizata Botërore e Shëndetësisë. Fëmijë dhe të rritur, të gjithë ne dashur pa dashur jemi të ekspozuar ndaj plumbit në mënyrë konstante pasi ai gjendet kudo, në të gjitha ambientet që në jetojmë, ku me kalimin e kohës sjell dëmë të mëdha shëndetësore.

Dr. toksikologe, Esmerlada Thoma tekson se: “Plumbi është një nga metalet e rënda i cili gjendet në bojërat e ndryshme që lyejmë shtëpinë, në tubacionet e ujit, në produkte të ndryshme industriale siç janë bateritë, në tokë, gjenden në ujin e pishëm, në atmosferë si pjesë e pluhërit të përditshëm. Ekspozimi ndaj plumbit për një kohë të gjatë ndërhyn direkt në sintezën e hemoglobinës dhe rrjedhimisht shkakton te fëmijët anemi e cila në vetvete është kollaj e dedektueshme si anemi, por e vështirë për t’u diangonstikuar nëse vjen nga ekspozimi ndaj plumbit pa matur nivelin e plumbit në gjak.”

Por, ku akumolohet shpejt plumbi?

“Truri, veshkat dhe mëlçitë janë organet që plumbi akumulohet më shpejt, të cilat me kalimin e kohës shfaqin probleme. Plumbi ka veprim të drejtëpërdrejtë me sistemin nervor qendror, ku me kalimin e kohës shkkaton dëmtime të pakthyeshme. Plumbi akumulohet në organe të forta (kocka, mëlçia, veshkat) dhe duhen dekada të tëra për t’u larguar nga organizmi. Plumbi eliminohet nëpërmjet veshkave, i cili është një proces fiziologjik në vetvete, por nëse i rrituri ose fëmija ekspozohet çdo ditë dhe për kohë të gjatë e me sasi të madhe të plumbit veshka nga ana e tyre bëhet e pafatë për të eliminuar sasinë e madhe të plumbit dhe rrjedhimisht plumbi do depoziohet për vite të tëra nëpër kocka ose në indet e tij.

Në tregjet e Tiranës dhe jo vetëm shumica e lodrave që tregtohen janë prodhime kineze. Një kujdes i vazhdueshëm që duhet të tregojnë prindërit teksa blejnë lodra dhe që mund ta kontrollojnë lehtësisht janë etiketat. Por fatkeqësia qëndron se shpesh këto etiketa në gjuhën shqipe mungojnë dhe konsumatori gjendjet përballë një rreziku që nuk e di se çfarë e pret…

*Autorja e këtij materiali është gazetare me eksperiencë 13-vjeçare në media të shkruara dhe elektronike,e fokusuar kryesisht te çeshtjet sociale. Aktualisht punon në televizionin kombëtar Top Channel.

 

 

** Ky publikim është prodhuar në kuadër të projektit “ALERT pë mbrojtjen e konsumatorit”, me mbështetjen e Programit #SustainMedia, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Qendrës ALERT dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së ose të qeverisë gjermane.

Related Posts