Menu

Mbërrin domatja vjollcë, me super cilësi për shëndetin

Domatja vjollcë është krijuar në mes të viteve 1990-të nga një biologe amerikane e bimëve Cathie Martin, pas gati dy dekadave që merrej me studimin e tyre. Ajo ka krijuar një domate gjenetikisht të modifikuar, që ka ngjyrë vjollcë të errët dhe që ndryshe nga domatet e tjera ka një sasi shumë të lartë të anti-oksidantëve, dyfishin e antioksidantëve që gjenden tek boronicat.

Cathie Martin ka qenë gjithmonë e interesuar sesi bimët prodhonin vlerat e tyre ushqyese. Domatja vjollcë është e para bimë që ajo krijoi për të përfituar më shumë antocianinë, një produkt natyror kundër inflamacionit. Në botën bimore përreth nesh, pigmentet e quajtura antocianinë janë shumë të përhapura. Ata treten në lëngun qelizor të bimëve. Antocianinat janë të lehta për tu nxjerrë nga bimët blu, rozë ose të kuqe. Sipas shkencëtares, ‘të gjitha bimët e larta kanë një mekanizëm për të prodhuar antocianinë, dhe bima e domates i prodhon ato gjithashtu, por tek gjethet. Ne thjesht kemi ndërruar vendet, duke bërë që domatja ta prodhojë antocianinën tek fruti.

Ndërkohë shkencëtarja thekson që megjithëse ka disa lloj variatetesh të domatesh të cilat duken në ngjyrë vjollcë të errët, ato kanë antocianinë vetëm në lëkurë dhe përfitimet e tyre shëndetësore janë të pakëta, dhe nuk e kanë atë në të njëjtat nivele si domatja e zbuluar nga ajo.

Dallimi ka qenë shumë domethënës. Kur minjve të prirur ndaj kancerit iu dhanë domate të purpurta të Cathie Martin si pjesë e dietës së tyre, ata jetuan 30 përqind më shumë sesa minjtë që ushqeheshin me të njëjtën sasi domatesh të zakonshme; ato ishin gjithashtu më pak të ndjesëm ndaj sëmundjeve inflamatore të zorrëve.

Pas botimit të njoftimit të parë nga Martin që tregon përfitimet antikancer të domateve të saj, në revistën akademike Nature Biotechnology në 2008, gazetat dhe stacionet televizive filluan të telefononin. Ajo madje filloi të merrte në konsideratë që domatja e saj të vihej në dispozicion të dyqaneve ose ta ofronte atë në internet si një lëng. Por për shkak se bima përmbante një sërë gjenesh të modifikuara, dhe është ky modifikim që i nxit domatet për të prodhuar më shumë antocianinë – ajo do të klasifikohej si një ‘organizëm i modifikuar gjenetikisht’, dhe do të shikohej me skepticizëm nga shumë grupe mjedisore dhe konsumatorësh.

Ajo do të dëshironte të prodhonte një lëng domateje të tillë si fillim në një numër të vogël, por thjesht marrja e lejeve nga Autoriteti Amerikan i Ushqimit dhe i Medikamenteve do ti kushtonte miliona dollarë.

Me kalimin e kohës, Martin i ka përgatitur dokumentacionin, por procesi ka zgjatur më shumë se gjashtë vite. Domatja ka ecur gjithashtu ngadalë në treg, sepse që nga futja e bimëve gjenetikisht të modifikuara në treg në mes të viteve 1990-të, këto produkte nuk janë shumë të pëlqyera nga konsumatorët dhe shihen me dyshim nga ato. Por shkencëtarja beson që domatja vjollcë mund ta ndryshojë këtë perceptim, sepse ndryshe nga produktet e tjera të modifikuara gjenetikisht, kjo domate nuk është krijuar për përfitime ekonomike, por mund të mbillet dhe në mjedise të vogla private, ndryshe nga prodhimet industriale bujqësore që kërkojnë të mbillen në hektarë të tërë. Gjenet e modifikuara që ajo përmban, janë marrë nga vetë bima e domates, dhe mbi të gjitha domatja vjollcë ka veti anti-inflamatore dhe anti kancerogjene, të cilat janë domethënëse, dhe janë gjëra që po kërkohen shumë në treg.

Sipas shkencëtares, fjala ‘natyrale’ nuk ekziston më, dhe ajo çfarë rritet dhe është e ngrënshme në ditët tona është e modifikuar nga ana gjenetike.

 

Burimi: New York Times

alert.al/

Related Posts