Menu

Mungesa e monitorimit rrit rreziqet e përdorimit pa kriter të pesticideve

40% e prodhimit bujqësor global humbet çdo vit për shkak të sëmundjeve të bimëve dhe parazitëve. Kjo përqindje pritet të rritet për shkak të ndryshimeve klimatike, duke i nxitur fermerët që të përdorin më shumë helme.

Por, dëmi nuk ndalet te xhepi i tyre.

Përdorimi i pesticideve çon në mënyrë të pashmangshme në formimin e mbetjeve në bimë, ujë dhe tokë, të cilat transferohen në zinxhirin ushqimor dhe kthehen në rrezik për shëndetin e njeriut nëse kalojnë sasinë e lejuar. Për ta shmanguar këtë rrezik ekziston një kuadër ligjor për monitorimin e importit, tregtimin dhe përdorimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve.

Megjithatë, të dhënat e mbledhura nga BIRN nëpërmjet ligjit ‘Për të drejtën e informimit’ tregojnë se institucionet shqiptare nuk i kryejnë në mënyrën dhe afatet e duhura kontrollet për ndotjen që pesticidet shkaktojnë në produktet bujqësore dhe në mjedis.

Monitorime në ujin e pijshëm kryhen vetëm për mbetjet e pesticideve klororganike – të përdorura në bujqësi gjatë regjimit komunist, të cilat konsiderohen shkaktare për krijimin e tumoreve, shkatërrimin e gjendrave endokrine si dhe problemeve me fertilitetin apo deformimet e fetusit te gratë shtatzëna, sepse për këto pesticide ka laboratorë.

Edhe kontrollet për toksicitetin e produkteve bujqësore nuk janë të përshtatshme, pasi bëhen shumë vonë për të shmangur shitjen dhe konsumin e tyre në tregun vendas, në rastin kur zbulohen mbetje mbi normat e lejuara.

Pesticidet e skaduara përbëjnë gjithashtu një ngërç të pazgjidhur prej vitesh në Shqipëri. Ndonëse ligji parashikon që ato duhen larguar nga territori i Shqipërisë ose inceneruar nga kompani të licencuara, asnjëra nga këto nuk ndodh.

Këto janë vetëm disa nga problemet që ekzistojnë në tregun bujqësor vendas dhe ekspertët paralajmërojnë se konsumatorët duhet të jenë të kujdesshëm.

“Vetë termi pesticid nënkupton substancë vrasëse për organizmat dëmtues”- shpjegoi Prof.Dr.Ferdi Brahushi, pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe autor i disa studimeve për çështje ku bujqësia lidhet me mjedisin.

“Por ato nuk vrasin vetëm organizmat për të cilat janë prodhuar, por edhe organizmat e tjerë, përfshirë këtu edhe njeriun”, shtoi ai.

Produktet për mbrojtjen e bimëve, PMB, përdoren për të kontrolluar ose dëmtuar parazitët ose dëmtuesit e bimëve. PMB janë forma më e përdorur e pesticideve, ndaj shpesh këta terma shkëmbehen me njëri-tjetrin.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Ushqimit dhe Bujqësisë, FAO, përdorimi i pesticideve në Shqipëri është rritur me 503 për qind nga viti 1990 në vitin 2019 – rritja më e madhe e regjistruar në Evropë pas Malit të Zi.

Rritja e përdorimit të pesticideve në Shqipëri ka nisur në një periudhë kaotike gjatë ndërrimit të sistemeve dhe viteve të para të pluralizmit.

“Për disa vite, gjendja ka qenë goxha jashtë kontrollit; kush me diplomë, kush pa diplomë shiste pesticide”, thotë Ajet Hyka, agronom në pension. (Birn)

Qendra Alert/Alert.al

 

 

Related Posts