Menu

Pilku: Kontrolli zyrtar i qumështit duhet të nisë nga fermat, jo nga fabrikat

Në emisionin  Alert të Granit Sokolajt, Ilir Pilku, drejtor ekzekutiv i Institutit të Përmirësimit të Cilësisë (IPQ), u ndal tek domosdoshmëria e krijimit të urave të bashkëpunimit mes shoqatave të blegtorëve dhe atyre të përpunuesve të qumështit, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe rritjen e cilësisë së produkteve që shkojnë tek konsumatori.

“Dua ta përgëzoj GIZ-in për mesazhet që përcjell nëpërmjet këtyre temave që i shërbejnë bashkëpunimit mes aktorëve të sektorit. Duhet të kemi ura të qëndrueshme bashkëpunimi mes shoqatave të blegtorëve dhe shoqatave të përpunuesve të qumështit,” tha Pilku.

Duke iu referuar problematikës së aflatoksinave, ai pranoi se kjo mbetet një çështje e ndjeshme që shpesh trajtohet në mënyrë të fshehtë. “Aflatoksinat janë ndër problemet tona më serioze. Në shumë raste nuk flitet hapur për to, por është një çështje që duhet trajtuar me transparencë dhe përgjegjësi,” u shpreh Pilku, duke iu referuar edhe qëndrimit të GIZ-it për këtë problem.

Ai shpjegoi se me hyrjen në fuqi të rregullores së re 625/2017, mënyra e kontrollit zyrtar ka ndryshuar ndjeshëm, duke theksuar se kontrolli i fabrikave nuk mund të konsiderohet kontroll burimor, por vetëm verifikim shtesë. “Sipas rregullores së re, inspektimet nuk janë më të rastësishme. Kontrolli zyrtar duhet të kryhet në mënyrë të intensifikuar në fermat blegtorale, sepse aty nis çdo problem. Kontrolli në fabrikë është vetëm verifikim shtesë apo mbledhje informacioni për ato ferma që janë identifikuar me risk,” theksoi ai.

Sipas drejtuesit të IPQ-së, përmirësimi i sistemit të kontrollit dhe bashkëpunimi real mes institucioneve dhe aktorëve të sektorit janë kushtet bazë për forcimin e standardeve të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

Related Posts