Menu

“Akt i dënueshëm, Rregullorja e Kuvendit pengon raportimin e gazetarëve”, Meta reagon në mbrojtje të mediave

Nuk reagojnë shoqatat e gazetarëve, por Presidenti Meta s’ka qëndruar indiferent para shkeljes së të drejtave të gazetarëve nga Kuvendi. Miratimi i rregullores së re të këtij institucioni, që kufizon punën normale të gazetarëve dhe operatorëve është quajtur nga Meta si një akt antidemokratik.  “I dënueshëm, i papranueshëm dhe antidemokratik vendimi i Kuvendit njëpartiak për ndalimin e raportimit të pavarur të gazetarëve dhe zëvendësimin me transmetime zyrtare të kontrolluara”, deklaron Meta në reagimin e tij pak më parë.

“Ky akt, që vjen në të njëjtën kohë me nxitimin e mazhorancës për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audioviziv, kufizon lirinë dhe pavarësinë e medias, instalon një regjim censure, shkel të drejtat e njeriut dhe dëshmon sërish armiqësinë e këtij Kuvendi monist me lirinë e medias dhe demokracinë në Shqipëri”, thekson Presidenti Meta.

Më tej Meta rendit precedentët e tjerë të këtij institucioni në raport me median. “Është pikërisht Kuvendi aktual, që në historinë e parlamentarizmit pluralist ka marrë vendimet më skandaloze për shtypjen e fjalës së lirë, përfshi miratimin dhe mostërheqjen prej gati një viti të paketës antikushtetuese “Antishpifje”, në refuzim të hapur të rekomandimeve të Komisionit të Venecias”, deklaron Meta.

“Duke mbështetur shqetësimin e drejtë të komunitetit të gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe të kolegëve të tyre të huaj, mbi regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias, i bëj thirrje Kuvendit monist dhe mazhorancës të tërhiqet menjëherë nga këto praktika të ngjashme me regjimin e Lukashenkos, që po dëmtojnë seriozisht integrimin europian të vendit”.

alert.al/

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed