Menu

BE ul kufijtë e lejuar të plumbit dhe kadmiumit në produktet ushqimore

Komisioni Evropian, si një masë për të mbrojtur shëndetin e publikut, ka vendosur nivele të reja maksimale për përdorimin e plumbit dhe kadmiumit në një sërë produktesh ushqimore. Masat do të vihen në zbatim duke filluar nga 30 gushti për kufijtë e plumbit dhe një ditë më vonë për kadmiumin. Ato mbulojnë një sërë produktesh të tilla si fruta, perime, mish si dhe shtesa të tjera ushqimore.

Sipas Komisionit Europian, qëllimi kryesor është që të zvogëlohet më tej prania e ndotësve të metaleve të rënda në ushqim. Stella Kyriakides, Komisionere Europiane për Shëndetin dhe Sigurinë e Ushqimit, tha se një vendim i tillë kërkon të mbrojë mbi çdo gjë konsumatorët duke e bërë ushqimin më të sigurt dhe më të shëndetshëm për ta. ‘Gjithashtu është një hap përpara në përforcimin e standardeve të BE -së për sigurinë ushqimore dhe për një ushqim më të sigurt, më të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm për qytetarët’, tha ajo.

Kufijtë e kadmiumit

Grupet ushqimore që kontribuojnë më së shumti në ekspozimin dietik të kadmiumit janë drithërat dhe produktet e drithërave, perimet, frutat e thata dhe mishi i pulave, patatet si dhe mishi dhe nënproduktet e tij.

Në janar 2009, një opinion i Autoritetit Europian për Sigurinë e Ushqimit (EFSA) mbi prezencën e kadmiumit në ushqim arriti në përfundimin se ai është veçanërisht toksik për veshkat dhe mund të shkaktojë dëmtimin e tye. Agjencia vendosi një kufi javor të tolerueshëm për kadmiumin prej 2.5 μg për kilogram të peshës trupore.

Gjithashtu, Autoriteti Europian për Sigurinë e Ushqimit (EFSA) arriti në përfundimin se grupet e konsumatorëve të tillë si vegjetarianët, fëmijët, duhanpirësit dhe njerëzit që jetojnë në zona shumë të kontaminuara mund të tejkalojnë marrjen javore me rreth dyfishin e limitit të lejuar.

Në këtë mënyrë, BE vendosi nivele të reja maksimale për ushqimet për fëmijë, si dhe produktet e çokollatës dhe kakaos.

Rregullat e përditësuara të BE -së mbulojnë produkte të tilla si panxhari, hudhra, manaferrat, arrat, peshku dhe kripa.

Udhëzimet kryesore për përmbajtjen e plumbit

Në Mars 2010, një opinion i EFSA -së për përmbajtjen e plumbit në ushqime, zbuloi se ai mund të ndikonte në zhvillimin e fëmijëve të vegjël duke shkaktuar neurotoksiticitet si dhe shkaktonte probleme kardiovaskulare tek të rriturit. Autoriteti shprehu një shqetësim se nivelet e ekspozimit dietik ndaj plumbit mund të ndikojnë në zhvillimin neurologjik tek fetuset, foshnjat dhe fëmijët.

Gjetjet u mbështetën edhe nga një raport tjetër i institucioneve të Kombeve të Bashkuara: Organizatës Ndërkombëtare për Ushqimin (FAO) si dhe Organizata Botërore të Shëndetësisë (OBSH) mbi aditivët dhe ndotësit e tjerë të ushqimit.

Ndër kontribuesit kryesor të ekspozimit dietic ndaj plumbit në Europë janë: drithërat dhe nënproduktet e tyre, perime të tilla si patatet dhe perimet me gjethe si dhe uji nga rubineti.

Ligjet e rishikuara të BE -së synojnë të kufizojnë përmbajtjen e plumbit,veçanërisht në ushqime të caktuara për foshnja dhe fëmijët e vegjël, përmbajtjen e tij tek kripa si dhe kërpudhat. Për të ndihmuar në luftën kundër falsifikimeve dhe mashtrimit, siç është rasti i shtimit të kromatit të plumbit në shafranin nga India, u përcaktuan gjithashtu nivele maksimale për përdorimin e tij te erëzat.

Produktet ushqimore që tashmë janë në tregun europian, dhe që i kalojnë kufijtë e këtyre metaleve mund të vazhdojnë që të shiten deri më 28 shkurt 2022.

Burimi: Food Safety News

Qendra Alert

alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed