Menu

Greqia drejt njohjes, ngrihet statusi diplomatik i zyrës së Kosovës në Athinë, “Pro” liberalizmit të vizave

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ditën e sotme ka pritur homologun grek, Nikos Dendias, ku kanë diskutuar rreth liberalizimit të vizave dhe dialogun me Serbinë.

Gjatë fjalës së tij, Dendias tha se Greqia vazhdon të jetë në favor të librealizimit të vizave pasi Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura. Gjithashtu, ai shtoi se qeveria greke do të mbështesë Kosovën sa herë të kenë nevojë në çdo drejtim.

“Ne jemi në favor të liberalizimit të vizave pasi vendi juaj i ka përmbushur të gjitha pika. Si Greqi, keni mbështetjen për sundimin e ligjit, luftën kundër krimit e korrupsionit. Ne jemi këtu nëse keni nevojë për ndihmën tonë në këtë drejtim. Kemi zyrtarë grekë në kuadër të misionit të EULEX-it që punojnë në këtë çështje.

Ne pavarësisht qëndrimit tonë neutral dhe statusit të Kosovës, kemi një zyrë në Athinë e cila që nga viti 2019 vazhdon të jetë atje dhe të merret me çështje ekonomike dhe ne shpresojmë që kjo zyrë të jetë ndihmë edhe më shumë në marrëdhëniet tona Greqi-Kosovë”, tha ai.

Ndërsa, Gërvalla tha se me ministrin grek janë dakorduar për të vazhduar bashkëpunimin në shumë fusha, duke lënë pas përvojat e hidhura të së kaluarës.

Ndërkohë, Presidentja e Republikës së Kosovës,  Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias. Presidentja Osmani ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve janë të mira dhe ka potencuar se njohja e Kosovës nga Greqia do t`i thellojë edhe më tej marrëdhëniet bilaterale e multilaterale ndërmjet të dy vendeve.

Në këtë kontekst, Osmani, gjithashtu ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në mekanizmat e euro-atlantik të sigurisë. Presidentja Osmani ka potencuar edhe nevojën për rritjen e shkëmbimit tregtar e ekonomik, si dhe bashkëpunimin në sferën e turizmit e kulturës.

Ndërkaq ministri Dendias i ka dhënë mbështetje Kosovës në rrugën evropiane, sikurse edhe në procesin e liberalizimit të vizave.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Greqisë janë pajtuar që si një hap i mëtejmë drejt një shkëmbimi të ngushtë dhe të dendur të ngrihet statusi i Zyrës së Kosovës në Athinë nga një zyre e thjeshtë ekonomike, në një zyre të të ashtuquajtur interesi me qasje tashmë jo vetëm në çështje ekonomike, por edhe në fusha tjera, duke përfshirë edhe atë politike”, tha ajo.

alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed