Menu

Ultimatumi i Ramës për Policinë: “100 ditë afat të gjeni të infiltruarit! Vlerësoni dhunën në familje!”

Në fund të takimit me drejtuesit të rinj të Policisë së Shtetit, kryeministri Edi Rama iu la atyre një afat 100-ditor, që të gjejnë dhe të çojnë para drejtësisë të gjithë të infiltruarit brenda Policisë së Shtetit, që bashkëpunojnë me krimin.

Rama u tregua i prerë, teksa tha se në këto 100 ditë çdo qark duhet të japë patjetër rezultat, për të dhënë shembujt e qartë se nuk ekziston pandëshkueshmëria në Policinë e Shtetit.

“Unë dua t’iu them se keni 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. Asnjë ditë më shumë, vetëm 100 ditë! Që qytetarët të marrin frymë shumë të plotësuar, duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër. Asnjë shkencë, asnjë shpikje, asnjë luftë me një të panjohur, thjesht dhe vetëm gjërat që i dini, që dini t’i bëni mirë, se ndaj jeni zgjedhur, gjërat që njerëzit duan si themelin e marrëdhënies me shtetin dhe policinë e tyre. Kjo duhet bërë në respektin e vetes, të masës dërrmuese të trupës që është korrekte dhe që nuk ka pse i paguan kostos një pjesë që duhet zhdukur nga Policia e Shtetit dhe që duhet të shkojë para drejtësisë. Në çdo qark, në 100 ditë, duhen dhënë shembujt e qartë, që nuk ka polici pa ndëshkueshmëri. Ju nuk e keni fare problem t’i gjeni, t’i kapni për krahu e t’i çoni para drejtësisë. Ky është një objektiv i palëvizshëm. Në çdo qark, policë rrugorë, komisarë, shqiponja, skifterë, qakej, që rrinë si të infiltruar brenda trupit, duhet të shkojnë para drejtësisë”, tha Rama.

Më tej, kryeministri foli edhe për denoncimet për dhunën në familje, duke thënë se ka komisariate që i shpërfillin totalisht këto denoncime. Lidhur me këtë, Rama tha se brenda “Çdo komisariat do të ketë një rrjet me persona përgjegjës, që të merret me dhunën në familje dhe çdo thirrje të trajtohet me maksimumin e përkushtimit, për ato gra e vajza, që në fund fare përfundojnë në tehun e sëpatës”.

Pjesë nga fjala e Ramës:
Një nga policitë më të fuqishme në botë, ajo e SHBA, përballet çdo ditë me vrasje, plagosje e tmerre. Në këtë pikë unë jam me ju, jo me moralistët e komentatorët që nuk dinë çfarë flasin. Ndërsa në pikën e kontrollit mbi territorin të veprimtarive që bëhen haptazi, më vjen keq, por jam kundër kujtdo nga ju që e justifikon këtë si një gjë të natyrshme. Kjo është e panatyrshme, e shëmtuar, e turpshme. Nuk jemi mbledhur këtu që të bëjmë bilance suksesi, por jemi këtu për të vënë gishtin te plagët, që ju duhet t’i shëroni.

Prioriteti juaj i katërt lidhet me avancimin e mëtejshëm të revolucionit teknologjik në Policinë e Shtetit. Policia ka një flotë të re mjetesh, por ka nevojë për mbështetje të fortë për monitorim teknologjik të territorit. Për këtë arsye ne po punojmë intensivisht që më në fund të realizojmë monitorimin me kamera të rrugëve kryesore dhe më pas të shtrihemi në të gjithë territorin, për t’i dhënë mundësi policisë që të ketë një sy në territor 24 orë. Po ashtu shtrirjen e sistemit të kamerave të trupit, si dhe pajisjen apo vënien në dispozicion të Policisë së Shtetit të super-teknologjisë me dronët super-inteligjentë për një monitorim non stop të territorit, duke pasur një sy në qiell që të japë informacion në kohë reale për çdo rrënjë kanabisi, për çdo ndërtim pa leje, për çdo problem trafiku, lëvizje mjetesh e forcash kriminale, për çdo lumë, për çdo pyll, e kështu me radhë.

Prioriteti i fundit është vënia në përdorim me një standard tjetër, me një teknologji më të avancuar dhe me një protokoll më rigoroz i komisariatit digjital. Komisariati digjital ka qenë një ndihmë shumë e madhe dhe tani kemi mundësi ta çojmë në një nivel tjetër, në mënyrë që qytetarët t’i kenë komisariatet në xhep. Te komisariati digjital do përmend një element shumë shqetësues, denoncimet për dhunën në familje. Është shumë shqetësuese që Policia e Shtetit ka një ndjeshmëri të ulët ndaj këtij fenomeni. Është shumë shqetësuese që në komisariate të caktuara shpërfillen totalisht klithmat e grave, që dhunohen, e vajzave që dhunohen, në familje. Shpërfillen totalisht vuajtjet dhe dhimbjet e patregueshme të atyre që mund të ishin gra, motrat e secilit prej jush e prej nesh. Kjo është e pakomentueshme. Në këtë aspekt duhet ndërtuar brenda për brenda gjithë sistemit një rrjet me persona përgjegjës, jo një çështje mes çështjeve të tjera. Çdo komisariat do të ketë një rrjet me persona përgjegjës, që të merret me dhunën në familje dhe çdo thirrje të trajtohet me maksimumin e përkushtimit, për ato gra e vajza, që në fund fare përfundojnë në tehun e sëpatës. Nuk mund të ketë në asnjë rast dhe për asnjë arsye mirëkuptim me burrat në këtë fushë. Policia e Shteti nuk mund të jetë një kopje karikaturë e atyre gjykatave e gjykatësve që bëjnë kërdinë në kurriz të grave e vajzave, duke marrë lekë nga abuzuesit, duke i nxjerrë të lirë direkt në sallë dhe duke i hedhur prapë në fyt të bashkëshorteve apo të vajzave, që dhunojnë.

alert.al/

Related Posts

LEAVE A COMMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed