Gjetjet e Qendrës ALERT dhe problematikat që po hasen me produktet ushqimore gjatë analizimit të tyre, iu prezantuan sot Zëvendësministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Z.Roland Kristo.
Qendra ALERT po zbaton projektin “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, si një ndihmesë për konsumatorin në gjetjen dhe denoncimin e rasteve abuzive me sigurinë ushqimore, veçanërisht për produkte të shportës. Projekti në fjalë mbështetet financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë.
Qendra ALERT e njohu Zëvendësministrin Kristo me objektivat e projektit dhe problematikat që hasen me sigurinë ushqimore, të cilat kanë rezultuar deri tani nga analizat dhe pjesa më e madhe e tyre presin publikimet në ditët në vijim.
Objektivat e projektit që iu prezantuan dhe Z.Kristo, kanë të bëjnë me përmirësimin e sigurisë ushqimore, por edhe me masat që duhet të ndërmarrin institucionet që kanë për detyrë garantimin e saj. Konkretisht, pas panoramës së prezantuar, Zëvendësministrit të Bujqësisë iu kërkua marrja e masave dhe ndikimi ndaj AKU, si institucion varësie dhe ligjzbatues, për vlerësimin e riskut mbi baza të forta analizash dhe risqesh, si dhe opioniesh shkencore; rritja e numrit dhe e cilësisë së inspektimeve në të gjithë zinxhirin e ushqimit dhe më kryesorja, komunikimi i riskut për konsumatorët, gjë që nuk bëhet në asnjë rast nga Autoriteti. Komunikimi i Riskut është detyrë ligjore e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, e përcaktuar në Ligjin Nr.9863 “Për Ushqimin” (i ndryshuar), si dhe nga VKM Nr.708 “Për Organizimin dhe Funksionimin e AKU”, por është dhe një nga masat më të mira për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve nga produktet ushqimore jo konform standardeve të sigurisë.
Zv.Ministrit Kristo, të cilit iu vunë në dispozicion dhe raport-analizat e deritanishme të produkteve, shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucionit që përfaqëson, që ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë, por edhe ata të AKU-së, të marrin masa për përmirësimin e problematikave për ndërhyrje të menjëhershme në evidentimin e probleve, referuar dhe analizave të produkteve ushqimore, si dhe një bashkëpunim më të ngushtë me AKU-në për vlerësimin e riskut, shtimin e numrit të inspektimeve mbi bazë risku, si dhe për komunikimin e rregullt të riqeve për konsumatorët.
Ministria e Bujqësisë do të vazhdojë të mbajë të informuar, sipas Kristos, Qendrën Alert, do të bashkëpunojë me të për ecurinë e këtyre masave në favor të mbrojtjes së konsumatorit dhe rritjes së sigurisë ushqimore.
Materiali është realizuar nga Qendra ALERT, si pjesë e projektit “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, të mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
Qendra ALERT / Alert.al
LEAVE A COMMENT