Menu

Pse disa vende ndalojnë importet nga Ukraina?

Hungaria i bashkohet Polonisë dhe Sllovakisë për ndalimin përkohësisht të importit të drithit nga Ukraina. BE kritikon vendimin për masat e njëanshme tregtare.

Qeveritë e Polonisë dhe të Hungarisë thanë se e ndërmarrin këtë hap për të mbrojtur prodhuesit e tyre. Qeveritë e të dy vendeve thanë se furnizimet e shumta nga Ukraina kishin shkaktuar shtrembërim të tregut dhe prej tyre ishin ulur së fundmi çmimet dhe sasia e shitjeve të prodhuesve vendas.

Në muajin mars disa vende të Evropës Lindore iu drejtuan Komisionit Evropian dhe raportuan se importet e drithërave, farave vajore, vezëve, shpendëve dhe sheqerit nga Ukraina kishin arritur nivele të paprecedentë.

Ato kërkuan që për këtë shkak të vendosen sërish tarifa doganore për importet e prodhimeve bujqësore nga Ukraina. Megjithatë Bashkimi Evropian e zgjati deri në qershor 2024 periudhën e lejimit të importeve pa taksa të grurit nga Ukrainës.

Shtrembërim i raporteve në treg

Ministria hungareze e Bujqësisë sqaroi se “vazhdimi i dinamikës aktuale në treg do të shkaktonte shumë dëme për bujqësinë hungareze, prandaj kjo dinamikë duhet të ndalohet me masa të jashtëzakonshme”.

Hungaria tha se ndalimi i importeve vlen për drithërat, farat vajore dhe produktet e tjera bujqësore dhe për momentin do të qëndrojë në fuqi deri më 30 qershor. Sipas Ministrisë hungareze të Bujqësisë, prodhimet ukrainase ofrohen me çmime kaq të lira për shkak të proceseve të prodhimit që nuk lejohen më në BE si dhe për shkak të statusit të tyre për t’u përjashtuar nga taksat doganore në BE. Kjo bën që ato të shtrembërojnë raportet e tregut në Hungari dhe vende të tjera të Evropës Qendrore.

Polonia i ndaloi importet e grurit nga Ukraina për arsye të ngjashme. Kurse Sllovakia i kishte ndaluar importet e drithit nga Ukrainaqë të premten (14.04) duke përmendur si shkak përmbajtjen e pesticideve të grurit ukrainas.

Ukraina tha se i vjen keq për këtë veprim dhe se dëshiron të zhvillojë bisedime për të zgjidhur çështjen.

Bashkimi Evropian e kritikoi ndalimin e importeve të grurit nga Ukraina që vendosën Polonia, Sllovakia dhe Hungaria. Masat e njëanshme tregtare nga shtetet anëtare të BE-së nuk lejohen, tha zëdhënësi i Komisionit të BE-së. Lidhur me vendimin e Polonisë dhe të Hungarisë “është e rëndësishme të theksohet se politika tregtare është kompetencë ekskluzive e BE-së dhe për këtë arsye veprimet e njëanshme nuk janë të pranueshme”, tha zëdhënësi i Komisionit të BE-së. Sidomos në kohë sfiduese është e rëndësishme që vendimet brenda BE-së të koordinohen, thuhet në deklaratë.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts