Menu

Rritet kërkesa nga Europa, 5-fishohen eksportet e vezëve për janar 2023

Prodhuesit e vezëve në Shqipëri po përjetojnë një situatë pozitive për shkak të rritjes së kërkesës për këtë produkt në Europë.

Në janar 2023 eksportet e vezëve janë 3-fishuar në sasi raport me muajin janar 2022, duke arritur në 217 mijë kg. Në vlerë, eksportet u 5-fishuar, për shkak të çmimit më të lartë, duke arritur në gati 53 milionë lekë.

Në 10 vitet e fundit sipas të dhënave të doganave kjo është sasia më e lartë e eksportit të vezëve për periudhën e muajit janar. Rritja e eksporteve ka nisur që muajin dhjetor 2022. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021 eksportet janë 24 herë më të larta.

Shkak i shtimit të eksporteve është mungesa e vezëve në tregun europian dhe SHBA. Shpërthimet e gripit të shpendëve në SHBA dhe Europë kanë vështirësuar furnizimet që prej muajit dhjetor të vitit të kaluar.

Gripi i shpendëve shton mungesën dhe rrit çmimet e vezëve në Europë dhe SHBA

Prej 2 muajsh kutia e vezëve po kthehet në simbolin e inflacionit të çmimeve në SHBA dhe për disa shtete të Europës. Reduktimi i ofertës ka sjellë rritje të çmimeve. Shkaku kryesor i mungesës së vezëve duket të jetë gripi i shpendëve, më formalisht i referuar si gripi patogjen i shpendëve (HPAI). Që nga 23 janari 2023, shifrat e fundit të publikuara nga Departamenti Amerikan i Bujqësisë tregojnë se 58,1 milionë pula janë prekur nga gripi i shpendëve në 47 shtete të SHBA.

Në fund të nëntorit 2022, BBC e përshkroi valën aktuale të gripit të shpendëve si “më e keqja ndonjëherë në Evropë dhe në SHBA”.

Reduktimi i ofertës së shpendëve që bëjnë vezë ka sjellë rritje të çmimeve.

Në fillim të muajit janar në SHBA është shënuar çmimi më i lartë i vezëve duke arritur në 5,3 USD nga 1,93 USD/dozen që ishte në janar 2022. Çmimi ishte gati 2 fish më i lartë. Prej 3 ditësh në SHBA çmimi i vezëve është ulur 50% në raport me fillimin e muajit janar. Shkak i rënies së çmimit janë eksportet e vezëve nga Meksika, ku në shumë raste u tentuan të futen edhe kontrabandë. Në BE, vendet që janë më të prekura nga rritja e çmimeve janë Hungaria (125.4%), Gjermania (106%) dhe Holanda (90.6%). Përveç gripit të shpendëve, industria në mbarë botën është prekur nga rritja e kostove të prodhimit, duke përfshirë ushqimin e pulave, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts