Menu

Së paku 80 njerëz të vdekur nga përmbytjet në Gjermani

Së paku 80 njerëz humbën jetën nga përmbytet në Gjermani – më të rëndat në disa dekada – thanë autoritetet të premten.

Ekipet e shpëtimit janë duke vazhduar kërkimet për qindra njerëz të tjerë të zhdukur.

“Kam frikë se shkallën e plotë të katastrofës do ta shohim në ditët në vijim”, tha kancelarja gjermane, Angela Merkel, nga Uashingtoni, ku qëndroi për vizitë zyrtare.

Merkel premtoi mbështetje të plotë për të prekurit, duke thënë se Qeveria e saj nuk do ta lërë vetëm popullin “në këtë kohë të vështirë dhe të tmerrshme”.

Landet gjermane Rajnland Falc dhe Nordrajn Vesthalen janë më të goditurat, por Belgjika dhe Holanda janë prekur gjithashtu keq, ndërsa përmbytje ka edhe në Luksemburg dhe Zvicër.

Autoritetet belge kanë raportuar për së paku 11 persona të vdekur.

Shira të furishëm parashikohen në të gjithë rajonin edhe gjatë ditës së sotme.

Rreth 15,000 policë, ushtarë dhe punonjës të shërbimit të urgjencës janë duke marrë pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit në Gjermani. Helikopterët kanë nxjerrë banorët e bllokuar nga majat e çative, ndërsa tanket po pastrojnë rrugët nga pemët dhe mbeturinat e rëna.

“Askush nuk e ka pritur këtë – nga ka ardhur gjithë ky shi? Është çmenduri”, tha Annemarie Mueller, një banore 65-vjeçare nga qyteti i përmbytur Majen.

 

Burimi: Radio Evropa e Lirë

Related Posts