I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, ish-ministri i Shëndetësisë dhe eksperti i Shëndetit Publik Gjergji Koja ka folur për cilësinë e tamponeve dhe veçanërisht të kiteve dhe reagentëve laboratorik. Koja deklaroi se ndryshe nga alarmi që është ngritur në Suedi për rezultate të gabuara të testimit, ku 3700 njerëzve iu tha gabimisht se ishin të infektuar me covid-19, në vendin tonë nuk ekziston një gjë e tillë. Sipas ekspertit, kitet dhe reagentët për testin e PCR nuk vijnë tek ne nga Kina dhe janë të regjistruara në listën e OBSH dhe të certifikuara më pas nga Agjencia e Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjeksore.
“Nuk e di si ka vepruar Suedia në një rast të tillë, por në dijeninë time në Shqipëri është një alarm i kotë. Kitet dhe reagentët për testin e PCR nuk vijnë tek ne nga Kina, janë të standardeve ndërkombëtare, nga kompanitë më të fushqishme në Amerikë dhe në Britaninë e Madhe dhe nuk mund të vëmë në dyshim cilësinë e tyre. Ka disa rregulla në Shqipëri që disiplinojnë regjistrimin e kiteve e reagentëve, nga Agjencia e Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjeksore, përkatësisht në ligjin 89 të vitit 2014, për pajisjen në mjekësinë ligjore. Ky ligj funksionon edhe në këto kushte covid-19, pasi ligji është i njëjtë për të gjitha situatat. Kitet para se të vijnë në Shqipëri, së pari regjistrohen në listën e OBSH, pastaj certifikohen nga Agjencia e Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjeksore, pra kalon në një sistem filtrimi për të cilët personat e caktuar mbajnë përgjegjësi. Janë hallka ligjore që kontrollojnë, monitorojnë dhe certifikojnë dhe kitet që vijnë në ISHP i kanë kaluar të gjitha barrierat që nisin nga OBSH. Historia ka treguar që në vendin tonë s’kemi patur incidente të tilla si Suedia”-tha Koja.
Qendra Alert/Alert.al
LEAVE A COMMENT