Menu

Shqipëria mes turizmit, hidrogjenit dhe vëmendjes globale

Vëmendje e turistëve perëndimor drejt Shqipërisë gradualisht po rritet. Por kjo nuk mjafton. Mobilizimi vendor për përmirësimin e shërbimeve në sektorin e turizmit është hapi i radhës i nevojshëm. Sektori i energjisë së gjelbër duhet të jetë në krye listës së përparësive sé bashku me turizmin. Prodhimi i Hidrogjenit të gjelbër nga uji (teknologjia e elektrolizës), së bashku me Hidrogjenin natyral,, janë  mundësia e dytë për të cilën Shqipëria duhet të fillojë të mobilizohet përmes bashkë-investimit me Perëndimin për tregun evropian.

 

Nga Skender Xhakaliu, Koblenz*

Ekonomia e Shqipërisë, një ndër më të pazhvilluarat në kontinentin Evropian, perspektivën e ka të hapur dhe ajo është në duart e saj.

Mundësitë që ajo të bëjë një hap të ri e të madh në një të ardhme të afërt në disa sektorë të industrisë janë të mëdha, pikërisht në momentin e përplasjeve të mëdha midis superfuqive botërore të dy blloqeve, vendeve të perëndimit dhe tandemit ruso-kinez, përkatësisht.

Turizmi

Vonesat e përmirësimit të gjendjes në sektorin e turizmit dhe standardizimit të tij me atë të vendeve evropiane, tashmë duket se janë kuptuar nga përgjegjësit në Shqipëri, dhe është duke ndodhur një vëmendjesim i klasës politike dhe të biznesit të këtij sektori, për investimet tejet të nevojshme që numri i vizitorëve të huaj nga rreth 10 milion që ishte në 2023 të rritet edhe më tej në 2024 dhe në vitet e ardhshme.

Shifrat e vitit të kaluar të numrit të turistëve nuk duhet që shkaktojnë vetëkënaqësi, por ato duhet që të jenë këndellje për përmirësimet që duhet të bëhen në infrastrukturën(at) në brigjet e detit të vendit, dhe atë në mënyrë të ekuilibruar nëpër krejt vendin, pra jo vetëm nga mesi i Shqipërisë e deri në jug, por po aq edhe nga mesi i Shqipërisë e deri në veri tek kufiri me Malin e Zi.

Turistët evropianë shprehen të kënaqur me bukuritë natyrore të bregdetit në Shqipëri, por jo edhe aq me cilësinë e shërbimeve.

Përqendrimi i menjëhershëm i masave duhet të jetë në cilësi të shërbimeve (hotelieri e ushqim – sektori HoReCa), për të ruajtur pra edhe rritur më shumë numrin e turistëve të huaj.

Pra, sektori i turizmit detar në Shqipëri e ka një moment tejet të mirë, por ai kërkon përkujdesje të shtuar tash dhe mobilizim të sektorit publik dhe atij privat për të bërë maksimumin e për ta shndërruar vendin në garues në cilësi të shërbimeve me vendet fqinje të rajonit të gjerë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Këtu pa lënë pas dore dhe rëndësinë e turizmit malor, kulturor e historik, mjaft të kërkuara në guidat e vizitorëve të huaj, por që edhe ato kanë mungesat e veta e nevojat e menjëhershme për përmirësim.

Energjia – Hidrogjeni

Sektori i energjisë është një aspekt me mundësi e jashtëzakonshme për Shqipërinë, dhe pikërisht në momentet kur vendet e zhvilluara ndodhet në mobilizim masiv në garën se kush më shumë do të jetë prodhues i energjisë së gjelbër.

Vendet e Bashkimit Evropian, po aq edhe SHBA-të dhe aleatët e tjerë të dy fuqive perëndimore, janë duke u mobilizuar tashmë edhe për prodhim Hidrogjeni të gjelbër po ashtu.

Bashkimi Evropian në dokumentin e parë të tij REpowerEU të vitit 2022, e ka futur Hidrogjenin e gjelbër në listën e planeve konkrete me burimet e tjera të energjisë së pastër, përkatësisht të energjisë së gjelbër, dhe tashmë fondet për investimet e nevojshme për prodhim të hidrogjenit të gjelbër po ndodhin. Madje Bashkimi Evropian e ka krijuar edhe një bankë të posaçme për Hidrogjenin, përkatësisht prodhim të tij me ndarjen e ujit (H20 ) në Hidrogjen (H2) dhe Oksigjen (O), pra për teknologjinë prodhuese dhe instalimet përcjellëse për transportim të tij deri tek industritë për përdorimin e tij.

Planet e Bashkimit Evropian për prodhim të hidrogjenit këtë vit janë freskuar edhe më shumë, nga sasia fillestare (20 milion ton në vit deri në vitin 2030, 10 milion prej tyre të prodhuar në vendet e Afrikës). Tash, synohet që deri në vitin 2040, të prodhohen deri në 35 milion ton hidrogjen në vit për tregun e BE-së.

Dhe pikërisht ndërlidhur me këto plane të BE-së, Shqipëria duhet që të kap momentin tash e jo më vonë për prodhim Hidrogjeni. Shqipëria ka mbi 400 km det i cili mund të shfrytëzohet për prodhim H2 të gjelbër.

Së fundi, pra këtë vit, hulumtimet thonë se në tokën e Shqipërisë, në minierat dhe në nëntokën Bulqizës, ka edhe rezerva të Hidrogjenit Natyror, sasia e rezervave të të cilit duhet ende saktësuar. Hulumtimet ende jo zyrtare thonë se Hidrogjen Natyror mund të ketë edhe në vende të tjera të Shqipërisë, përpos në Bulqizë.

Pra, Shqipëria ka dy të potencialet: detin dhe tokën për t’u bërë prodhues i hidrogjenit dhe prodhimeve të tjera që dalin nga vet hydrogjeni, e për të cilat kontinenti evropian, pra më së shumti BE, ka nevojë në kuadër të planeve për energji të gjelbër.

Deri më tash çështja e Hidrogjenit të gjelbër nuk është aktualizuar në opinion publik vendor në Shqipëri. Por kjo duhet që të ndodhë, dhe autoritetet shqiptare duhet që të mobilizohen, për të kërkuar bashkë-investitorë të huaj për prodhimin e Hidrogjenit të gjelbër nga uji, dhe të Hidrogjenit Natyror nga miniera e Bulqizës.

Meqë aktualisht Shqipëria nuk ka infrastrukturë të veten për përdorim vetjak të Hidrogjenit, ajo fillimisht mund të bëhet eksportuese  këtij burimi të ri të energjisë në vendet e BE-së, e më pastaj nga të hyrat e shitjes të krijojë fonde të mjaftueshme edhe për përdorim në tregun e brendshëm, përfshirë edhe në prodhim energjie elektrike, në mënyrë që përsëri edhe këtë prodhim të dytë ta përdorë për vete e të mos jetë e detyruar të shohë bursat dhe tregjet ndërkombëtare për blerje energjie kur kapacitetet prodhuese të hidrocentraleve vendore janë më të vogla.

Fuqizimi i sektorit të turizmit dhe prodhimi i Hidrogjenit, paralelisht me përmirësimet dhe rritjet e kapaciteteve të tjera prodhuese në sektorë të tjerë të industrisë, gradualisht do ta bënin Shqipërinë me një ekonomi shumë më të zhvilluar dhe garuese të fortë me ekonomitë konkurruese në Evropën Jug-Lindore.

E gjithë kjo do ta bënte një ‘Shqipëri të Re’, me fuqi blerëse të re të rritur të qytetarëve të saj, me gjendje ekonomike e sociale të stabilizuar e të fuqishme të tyre, e do ta bënte një Shqipëri të respektuar, të faktorizuar e të kërkuar nga Perëndimi.

Krejt çka duhet që kjo të ndodhë, është riorientimi i politikave ekonomike të Shqipërisë dhe mobilizimi i autoriteteve vendore në koordinim dhe bashkë-investim me aleatët perëndimorë sipas nevojave të tregut evropian, e ku energjia, përkatësisht burimet për prodhimet energjetike ndodhen në boshtin e krizës globale aktuale midis bllokut perëndimor në njërën anë dhe bllokut ruso-kinez në tjetrën anë.

Shqipëria e ka momentin TASH e jo më vonë.

*Autori është ish-Ambasador i Kosovës në Danimarkë dhe Gjermani. Aktualisht është anëtarë i Kryesisë së Dhomës së Biznesit të Diasporës

Related Posts