Menu

Siguria ushqimore, ja kush janë produktet me pesticide mbi normë, ekspertët apel biznesit dhe qytetarëve: Mos blini në tregje informale

Nga Fation BINJAKU*

Qershitë, karotat, specat, spinaqi apo sallata, produkte që ne i përdorim më së shumti në tryezat tona duket se janë ato që duhet ti shmangim më shumë. Të paktën këtë ka treguar një monitorim i fundit i kryer nga autoritetet përkatëse për matjen e nivelit të pesticideve të përdorura apo helmeve siç e themi ne në gjuhën tonë të përditshme. Specifikisht nga kontrollet e kryera prej Autoritetit Kombëtar të Ushqimit përgjatë vitit 2023 dhe në muajt e  parë të vitit 2024 janë evidentuar dhjetra raste me nivelin e pesticideve mbi normën e lejuar te frutat dhe perimet.

Rastet e konstatuara

‘’Në lidhje me përdorimin e pesticideve në produktet fruta-perime, për periudhën janar 2023 – dhjetor 2023, u morën nga subjekte të ndryshme në total 945 mostra të produkteve fruta dhe perime. Për 4 mujorin e parë të 2024-ës, nga trupat inspektuese të AKU-së, u morën në subjekte të ndryshme në total 214 mostra të produkteve fruta dhe perime sipas planifikimit përkatës. Nga analizimi i kampionëve të dërguar në laboratorin e ISUV ka rezultuar se niveli i mbetjeve të pesticideve për matrica të ndryshmeka rezultuar mbi normën e lejuar. Konkretisht për vitin 2023 kanë rezultuar në total: 98 mostra jokonforme, (11 domate, 6 kastravecë, 9 luleshtrydhe, 2 mandarina, 15 pjeshkë/nektarinë, 4 portokalle, 4 qershi, 2 sallatë jeshile, 7 speca, 1 spinaq, 17 ullinj tavoline, 11 rrush tavoline, 1 lakër, 4 karrota dhe 4 mollë). Referuar 4 mujorit të parë të 2024-ës, kanë rezultuar në total:21 mostra jokonforme, (1 ullinj tavoline, 4 sallatë jeshile, 14 luleshtrydhe, 1 spec dhe 1 domate),’’ thuhet në raportin e AKU-së, ndërsa janë gjobitur 8 subjekte, për mungesë të dokumentacionit të gjurmueshmërisë referuar produktit,1 rast për veprime në kundërshtim me kushtet e higjienës së ushqimeve, si dhe janë marrë masa administrative në 52 raste referuar rezultatit mbi normë të produkteve, nga drejtoritë përkatëse. Për produktet me origjine shtazore por edhe ato me origjinë bimore rastet më të shumta të etiketuara si problematike janë produktet e vendit.

Ankesat nga qytetarët

Edhe pse vetë AKU në monitorimet e saj ka konstatuar dhjetra raste të produkteve me pesticide sërish ankesat në rrugë zyrtare të qytetarëve janë të vakëta. Pjesa më e madhe e tyre i shprehin shqetësimet në rrjetet sociale dhe në media pa denoncuar zyrtarisht.‘’Referuar numrit të ankesave ardhur nga qytetarët në lidhje me përdorimin e pesticideve gjatë vitit 2023 dhe 4 mujori i vitit 2024, ju informojmë se kanë ardhur 4 ankesa në lidhje me tregtimin e pesticideve në farmaci bujqësore apo në tregtim jokonform legjislacionit në fuqi të PMB-ve,’’ nënvizon AKU.

Hasan Stafa, ekspert prej 27 vitesh në fushën e sigurisë ushqimore, thotë se sidomos me nisjen e sezonit turistik janë marrë masa për garancinë e sigurisë ushqimore ku 27 qendra monitorimi operojnë në të gjithë vendin nga veriu në jug për të kontrolluar dhe monitoruar tregun ushqimor aq më tepër në këtë periudhë kur numri i turistëve arrin në miliona dhe përgjegjësia është edhe më e madhe

‘’Rastet e ankesave në përgjithësi për probleme me sigurinë ushqimore kanë rënë. Për vitin 2023 vetëm 163 ankesa kemi pasur për kontaminime, një shifër tepër e ulët krahasuar me vitin 2022, kur kishim 923 raste. Këto janë shifra që flasin për rritjen e sigurisë ushqimore në vendin tonë. Por pavarësisht kësaj ka ende shqetësime dhe problematika që duhen zgjidhur. Cilësia e produkteve shfaq ende probleme sidomos nga ana e bizneseve të vogla dhe atyre informale që shfrytëzojnë dhe sezonin turistik për të fituar sa më shumë duke abuzuar si me çmimet ashtu dhe cilësinë e ushqimeve. Për shembull në Durrës, Kavajë apo Divjakë, 40 % e bizneseve ofrojnë produkte që vijnë nga tregu informal, pra një treg i pakontrolluar, ku marrin qumështin, mishin, djathin, ujin, bukën, fruta-perimet, prodhimet e detit etj. Por nëse do të flasim për të gjithë vendin e themi me bindje se rreth 74 % e biznesve shqiptare kanë fituar standarde europiane në prodhimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore, aq sa produktet tona sot importohen në të gjitha vendet evropiane por edhe më gjerë duke fituar besueshmëri,’’ thekson Stafa.

Rreziku në organizëm

Laureta Duraj, mjeke dhe farmaciste thekson faktin se shteti si fillim duhet të investojë seriozisht në analizat laboratorike të ushqimeve sepse ushqimi merret përditë dhe sasia e helmeve që merret mund të jetë e madhe. “Çdo gjë të certifikohet pastaj të kalojë në konsum, kjo pasi edhe për barnat nuk kemi laborator shkencor të mirëfilltë. Ne jemi organizëm i gjallë që funksionon në bazë të ushqimit. E keni dëgjuar shprehjen ne jemi çfarë hamë, dhe është e vërtetë, ka shumë sëmundje që vijnë si pasojë e një ushqimi të disbalancuar ose si pasojë e një ngrënie të pashëndetshme. Zakonisht pesticidet janë helme edhe në bimë kur përdoren mbi sasinë e lejuar i bëjnë dëm asaj,  dhe ky dëm vjen te njeriu duke u shfaqur në sëmundje të rrezikshme si kancer, veshka, hepar etj. Pesticidet shkaktojnë kancer, shkaktojnë mutacione te qelizat tona sidomos kur janë mbi dozë. Kur ti blen një produkt me pesticide, ti bashkë me të blen një helm që të dëmton,’’ shprehet ajo ndërsa këshillon edhe qyetarët që të bëjnë kujdes me produktet që nuk janë të stinës. ‘’Personalisht vetë nuk blej asnjë gjë jashtë stine, domatet, kastavecat, specat, luleshtrydhet etj, i marr vetëm në kohën e duhur kur sasia e pesticideve është e vogël. A e dini se sot shume persona kanë arritur deri në dializë sepse sasia e madhe e uresë që përdoret në bimë dëmton rëndë veshkat,  ka shumë të rinj që kanë filluar dializën vetëm për këto arsye, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe vigjilentë që të gjitha hallkat, nga fermerët, te shteti, mjekët, vetë qytetarët, të gjithë të jemi vigjilentë dhe të ngremë shqetësimet kur hasim raste të tilla, që na rrezikojnë  seriozisht shëndetin,’’’ shprehet më tej Laureta.

Cilësia e analizave

Lidhur me cilësinë e kryerjes së analazivae vetë AKU garanton se bëhet sipas standardeve të duhura ku laboratori i referencës ISUV është ngarkuar ligjërisht për analizimin e pesticideve në produktet me origjinë bimore. Sipas AKU  metoda referente është “CEN-EN 156662-Foods of plan origin- Multimethod for the determination of pesticide residues using GC-and LC- based analysis folloëing acetonitrile extraction/ partitioning and clean- up by dispersive SPE- Modular QuEChERS- method”.’’  Sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga Ministria e Bujqësisë çdo vit e më shumë kemi një garanci më të fortë për sigurinë ushqimore. ‘’Zgjerimi i testeve të akredituara vijon nga ISUV, ku në vitin 2023 arritëm 1631 teste të akredituara. Këtë vit synojmë të akreditojmë 252 teste të tjera, duke arritur një total prej 1738 teste të akredituara, si indikatori i matjes së besueshmërisë së rezultatit lidhur me kontrollet mbi cilësinë e produkteve, shëndetit të bimëve dhe kafshëve,’’ raporton Ministria e Bujqësiëë ndërsa shton se zgjerimi i testeve të akredituara luan një rol kyç në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe përmirësimin e standardeve ushqimore në vend.

Ndërgjegjësimi

Për z.Stafa sot konsumatori është edhe më shumë i informuar mbi sigurinë ushqimore dhe di ta zgjedh produktin që ble apo konusmon. ‘’Produkti sipas ligjit të ri duhet të jetë i shoqëruar me etiketë në gjuhën shqipe, ku prodhuesi apo importuesi, është i detyruar të shënojë aty 11 kërkesa apo elemente të produktit, si origjina e produktit, përbërësit, kushtet e transportit, e drejta për kthimin e mallit, skandenca e deri te dëmshpërblimi.  Duhet të bëjmë shumë kujdes me verifikimin e datës së skadencës pasi ka edhe raste kur është false e rishkruar, e çngjyrosur, sidomos te sallamrat, qoftet, salçiçet, nëproduktet e mishit në përgjithësi, dhe veza janë shumë të rrezikshme për helmime sidomos jashtë datës së skadencës, raste që kalojnë deri në fatalitete,’’ nënvizon më tej z.Stafa ndërsa i bën thirrje edhe një herë të gjitha hallkave, biznesit, konsumatorit dhe adminitratës të jenë më të ndërgjegjësuar më të informuar  dhe më bashkëpunues ndaj çështjes së sigurisë ushqimore.

Data 7 qershor shënoi në kalendar edhe Ditën Ndërkombëtare të Sigurisë Ushqimore, për të rritur edhe më shumë ndërgjegjësimin dhe masat e marra në këtë drejtim.  Këtë vit FAO (Organizata e Ushqimit dhe Agrokulturës pranë Kombeve të Bashkuara) dhe OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) kanë zgjedhur si mesazh ndërgjegjësues, duke u bërë thirrje në mbarë botën aktorëve dhe faktorëve të sigurisë së ushqimit “Të bëhemi gati nga çdo e papritur”, edhe kur të gjithë e kemi bërë pjesën tonë për ta mbajtur ushqimin e sigurt.

*Autori i shkrimit është gazetar me perfoje 15 vjeçare ne mediat e shkruara dhe elektronike. Aktualisht drejton median online Panorama.

Related Posts