Menu

Sigurimi i së ardhmes mes krizave globale, përfaqësuesi i FAO-s, Raimund Jehle: Edhe Shqipëria s’ka qenë imune ndaj ndryshimeve

Sigurimi i së ardhmes: Roli jetik i ndërhyrjeve për ruajtjen e sigurimit te ushqimit mes krizave globale dhe ndryshimeve të politikës së gjelbër. Ishte kjo tema dhe fokusi i intervistës së Raimund Jehle, përfaqësues i FAO në Shqipëri, me gazetarin dhe aurotin e Emizionit ALERT, Granit Sokolaj, njëherësh dhe Drejtor i Qendrës ALERT, organizatë për mbrojtjen e konsumatorëve.

Sokolaj: Z. Jehle, duke marrë parasysh një mori ndryshimesh që priten të ndodhin për shkak të krizës së vazhdueshme të çmimeve, ushqimit dhe energjisë që prek botën, dhe angazhimet e vendeve për të miratuar politika më të gjelbra, me reduktimin e emetimeve të gazeve serrë dhe të gjitha masat që BE-ja është duke ndërmarë për mbrojtjen e mjedisit, sa të rëndësishme janë disa ndërhyrje specifike që synojnë të mos rrezikojnë sigurimin e ushqimit?

Raimund Jehle: Faleminderit për pyetjen tuaj, besoj se kjo çështje është shumë e duhur për t’u trajtuar, pra sigurimi i ushqimit (në krahasim me sigurinë ushqimore, të cilat përgjithësisht në gjuhën shqipe ndërthuren me njëra-tjetrën, por janë dy koncepte krejtësisht të ndryshme).

Ajo që ne vërejmë tani globalisht për sa i përket sistemeve ushqimore, është një paqëndrueshmëri e përgjithshme e çmimeve, mungesa te furnizimit me ushqim dhe një krizë energjetike, të cilat janë thellësisht të ndërthurura. Pamundesia për të kuptuar këtë realitet dhe pamundësia për t’iu përgjigjur në kohë, mund të përkeqësojë problemet ekzistuese brenda sektorëve agroushqimor të vendeve, veçanërisht të prekura nga lufta Ukrainë-Rusi.

Sipas vlerësimit tonë, ne raport me krizën e luftës në Ukrainë, Shqipëria nuk ka qenë imune ndaj ndryshimeve të tilla. Nga njëra anë, mund të themi se vendi arriti në mënyrë të kenaqshme të shmangë çdo mungesë ushqimore, pra sigurimi i ushqimit nuk qe nje ceshtje per Shqiperine. Megjithatë, vendi vazhdoi të importonte grurë nga furnizuesit e tij tradicionalë, cka zbuloi një varësi të konsiderueshme nga një numer i vogël i vendeve si Federata Ruse, Ukraina dhe Serbia (të cilat së bashku janë përgjegjëse për 92% të importeve të grurit të Shqipërisë në 2022).

Nese shohim situaten deri në qershor 2023, ne e gjetëm Shqipërinë duke u përballur me një normë të paprecedentë inflacioni prej 14%. Kjo rritje ka tkurrur fuqinë blerëse të familjeve shqiptare, duke goditur më së shumti grupet më vulnerabel. Vetëm inflacioni i ushqimeve u rrit me 27.5%, me koston e bukës dhe drithërave që u rrit deri me 24.7% në krahasim me nivelet e dhjetorit 2020. Duke pasur parasysh se familjet me të ardhura të ulëta ndajnë një pjesë më të madhe të buxhetit të tyre për këto produkte, ndikimi është veçanërisht i rëndë.

Mjedisi inflacionist nuk ka kursyer as kategoritë e tjera ushqimore esenciale. Produktet e qumështit, për shembull, panë një rritje të çmimit prej 36.6%, ndërsa frutat dhe perimet nuk ishin shumë prapa, me rritje përkatësisht 33.7% dhe 35.2%. Këto kategori janë pjesë përbërëse e dietës shqiptare, duke e bërë situatën edhe më shqetësuese.

Rritja e kostove të inputeve i ka vënë fermerët e vegjël dhe të mesëm në një situatë të ngushtë. Çmimet për plehra kimik, ushqim për kafshë dhe inpute të tjera bujqësore janë rritur nga 2 deri në 2.5 fish, ndonjëherë edhe më shumë. Përballë këtyre kostove në rritje, fermerët janë detyruar të shkurtojnë përdorimin e inputeve, një vendim që vjen me pasojat e veta – rendimente më të ulëta, degradim i tokës dhe në fund të fundit, një reduktim të rentabilitetit të të korrave që komprometon buxhetet e familjeve.

Këto zhvillime përkeqësojnë dobësitë ekzistuese në sektorin e bujqësisë, duke përfshirë mungesën e fuqisë punëtore dhe aksesin në treg. Një rënie në kapacitetet prodhuese është e dukshme, nga zvogëlimi i tufave të gjedhit per shembull, serat e pashfrytëzuara dhe pemishtet e braktisura të mollëve.

Më e rëndësishmja, ne vërejmë një ndryshim mjaft të dukshëm në strukturën e fermave në Shqipëri, me fermat e mesme- te medha duke u bërë më të forta dhe fermeret e vegjël që tërhiqen nga sektori. Kjo është një çështje që ne si FAO e kemi në vemendje te shtuar dhe po punojmë së bashku me qeverinë dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë të zhvillimit për ta trajtuar dhe zbutur sa më shpejt të jetë e mundur.

Më lejoni të përmend këtu dy fusha ku duhet bërë më shumë punë për shembull:

Pavarësisht nga efekti i dukshëm i rritjes së eksporteve në PBB, ne inkurajojmë Shqipërinë të diversifikojë burimet e saj të mallrave bujqësore të importuara, veçanërisht të produkteve kryesore si gruri, por edhe produktet e qumështit. Zëvendësimi i importit është në këtë drejtim një mënyrë interesante dhe konstruktive për të zbutur çdo efekt tjetër negativ që mund të rezultojë nga këto kriza të vazhdueshme

Mbështetja e zhvillimit të zinxhirëve të vlerave bujqësore efikase dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë përmirësimet e infrastrukturës, lidhjet e tregut dhe aksesin në informacionin e tregut, të cilat fermerëve u mungojnë ende në mënyrë thelbësore. Forcimi i zinxhirëve të vlerës (gjithashtu përmes formave të tjera të bashkëpunimit, si për shembull Organizatat e Prodhuesve) mund t’i ndihmojë fermerët e vegjël të aksesojnë tregjet me vlerë më të lartë, të reduktojnë humbjet pas vjeljes dhe të përmirësojnë të ardhurat e tyre të përgjithshme dhe sigurinë ushqimore.

Sokolaj: Më lejoni t’i kthehem edhe një here kontekstit të prodhimit të ushqimit në Evropë, ku kemi parë fermerë të indinjuar në qytete anembanë kontinentit dhe ligjvënës evropianë që luftojnë se si të shuajnë zemërimin e shkaktuar pjesërisht nga rregulloret e reja të gjelbërta bujqësore. Ky reagim i ashpër nënvizon kompromiset e vështira me të cilat përballen qeveritë ndërsa ato lundrojnë në tranzicionin e energjisë dhe ekonomise se gjelber. Po për Shqipërinë? Si mundet vendi të lundrojë kompromise të ngjashme?

Raimund Jehle: Ndryshimet klimatike tashmë po ndikojnë ndjeshem në produktivitetin bujqësor dhe zinxhirët e furnizimit me ushqime. Ngjarjet ekstreme të motit, ndryshimi i modeleve të reshjeve dhe luhatjet e temperaturës po prishin praktikat tradicionale të bujqësisë dhe po kërcënojnë sigurinë ushqimore në mbarë botën, por edhe këtu në Shqipëri. Ne kemi vëzhguar për shembull sesi thatësira ka ndikuar në sektorin e vreshtave apo vajit të ullirit këtë vit, pavarësisht se viti i kaluar ishte i mirë. Mungesa e investimeve të duhura, por edhe adoptimi i bujqësisë inteligjente, shpeshherë është një bllokues për produktivitetin e fermave dhe këto çështje duhet të adresohen sa më shpejt të jetë e mundur. Ndërsa vendet angazhohen për të reduktuar emetimet e gazeve serrë, ndërhyrjet që zbusin efektet e ndryshimeve klimatike në prodhimin e ushqimit bëhen gjithnjë e më jetike.

Në Shqipëri, promovimi i praktikave të qëndrueshme bujqësore, të tilla si bujqësia organike për shembull, mund të ndihmojë në uljen e emetimeve duke ruajtur apo edhe rritur produktivitetin. Këto nuk janë rregullime të mëdha që kërkojnë investime të konsiderueshme, shpesh është një çështje mendësie. Për më tepër, do të thosha gjithashtu se përmirësimi i praktikave të menaxhimit të bagëtive, të tilla si rregullimet e ushqimit per kafshe dhe strategjitë e menaxhimit të mbetjeve te tyre, mund të reduktojnë emetimet e metanit nga gjedhi.

Ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike është thelbësor për të garantuar sigurinë ushqimore përballë modeleve gjithnjë e më të paparashikueshme të motit. Investimi në praktikat bujqësore të zgjuara për klimën, të tilla si bujqësia e ruajtjes dhe masat e ruajtjes së tokës, mund të rrisin qëndrueshmërinë ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike duke përmirësuar shëndetin dhe produktivitetin e tokës.

Temperaturat më të larta mund të përshpejtojnë përhapjen e dëmtuesve dhe sëmundjeve, duke ndikuar në shëndetin e të korrave. Ndërhyrjet mund të përfshijnë promovimin e praktikave të integruara të menaxhimit të dëmtuesve, të tilla si rotacioni i të korrave dhe metodat e kontrollit biologjik, për të reduktuar varësinë nga pesticidet kimike dhe për të zbutur ndikimet e luhatjeve të temperaturës në rendimentet e të korrave. Në këtë rast, ne po punojmë me komunitetin lokal të Tropojës dhe po kryejmë aktivitete të menaxhimit të dëmtuesve për masivin e gështenjës, një perlë e vërtetë për komunitetin dhe traditën e Shqipërisë së Veriut.

Sokolaj: Si e shihni Shqipërinë në vitin 2024, zhvillimin e sektorëve të prodhimit në krahasim me vendet e rajonit apo edhe me BE-në? Cilat janë projektet e FAO-s në Shqipëri dhe çfarë synojnë ato?

Raimund Jehle: Shqipëria është e pozicionuar shumë mirë për zhvillim te metejshem ne sektorët e saj të prodhimit, megjithëse përballet me sfida në krahasim me vendet fqinje dhe vendet anëtare të BE-së. Vendi ka potencialin për t’u bërë edhe më konkurrues duke investuar në njohuri dhe duke përmirësuar kapacitetet përpunuese për të përmbushur në mënyrë efektive kërkesat e tregut.

Ndërsa eksportet mbeten një strategji e vlefshme, Shqipëria duhet të fokusohet gjithashtu në zhvillimin e industrise të saj vendase të agropërpunimit dhe nxitjen e inovacionit për të nxitur rritjen ekonomike. Kjo përfshin një zhvendosje të mendësisë drejt metodave të prodhimit që i japin përparësi efikasitetit, qëndrueshmërisë dhe shtimit të vlerës. Duke investuar në teknologji, transferimin e njohurive, praktikat e zgjuara për klimën dhe përpunimin pas korrjes, fermerët mund të ulin kostot e prodhimit dhe të rrisin cilësinë e produkteve të tyre. Në këtë drejtim, FAO do të ndihmojë agro-përpunuesit që të fillojnë të adoptojnë praktika në përputhje me SDG, përmes projektit të saj për ndërtimin e partneriteteve me sektorin privat.

Gjithashtu, rritja e industrisë së turizmit në Shqipëri paraqet mundësi për fermerët e vegjël për të diversifikuar rrjedhat e tyre të të ardhurave. Integrimi i këtyre fermerëve të vegjël në sektorin e agroturizmit jo vetëm që u siguron atyre të ardhura shtesë, por gjithashtu u lejon atyre të shfaqin produktet e tyre dhe praktikat e qëndrueshme bujqësore për të përmbushur kërkesën në rritje nga turistët.

Për sa i përket projekteve të FAO-s në Shqipëri, ato synojnë të mbështesin sektorin bujqësor të vendit nëpërmjet nismave për ngritjen e kapaciteteve, transferimit të teknologjisë dhe praktikave të qëndrueshme. Ndër të tjera, ne do të punojmë në dixhitalizim, për të përmirësuar aftësitë e nevojshme për të lundruar në sektorin bashkëkohor agroushqimor, për të rritur konkurrencën e produkteve shqiptare si në tregun vendas ashtu edhe në atë ndërkombëtar, duke promovuar rritjen gjithëpërfshirëse dhe qëndrueshmërinë përballë sfidave globale. Kjo është arsyeja pse ne kemi gjithashtu një fokus të vazhdueshëm në fuqizimin ekonomik të grave në zonat rurale, të cilat janë shtylla kurrizore për ekonominë rurale.

Si përfundim, e ardhmja e Shqipërisë në sektorët e prodhimit varet nga aftësia e saj për të përqafuar inovacionin, për të rritur konkurrencën dhe për të përfituar nga mundësitë në zhvillim si agroturizmi.

Sokolaj: Vende te vogla si Shqiperia, Kosova, Maqedonia e Veriut apo te tjera ne Ballkan dhe qe me prodhimin e brendshem nuk perballojne nevojat e popullsise, a duhet te kene politika me te zhvilluara per nxitjen e prodhimit te brendshem?

Raimund Jehle: Mendoj se pika e rëndësishme është se vetë-mjaftueshmëria në aspektin e prodhimit bujqësor nuk është diçka që mund të përgjithësohet, sepse duhet të kemi parasysh, në aspektin e prodhimit bujqësor të qëndrueshëm të veçantë, se keni kushte të ndryshme të favorshme, si do të funksionojë prodhimi. Ajo që mendoj se është e rëndësishme është para së gjithash një politikë që lehtëson prodhimin e qëndrueshëm, e cila lehtëson në këtë rast edhe kushte të drejta dhe mendoj se veçanërisht për vendet e Ballkanit Perëndimor, është shumë e rëndësishme që, të mos shtetëzohet prodhimi, por është e rëndësishme të lehtësohet shkëmbimi i mëtejshëm në aspektin e tregtisë, mendoj se vendet e Ballkanit Perëndimor janë në një pozicion shumë unik. Sepse keni shumë komplementaritete. Ju keni shumë komplementaritete edhe për sa i përket produkteve të ndryshme me harmonizimin e mëtejshëm të tregtisë, me harmonizimin në këtë rast te politikave për fermerët, për bizneset, jeni në gjendje të lehtësoni në mënyrë më elastike prodhimin e ushqimit, megjithëse mund të keni fusha ku nuk do të jeni plotësisht të vetë-mjaftueshëm dhe unë po ju jap 2 shembuj. Njëra është sigurisht prodhimi i grurit. Vetëmjaftueshmëria e grurit mendoj se është rreth 50%, por mendoj se do të ishte shumë e rrezikshme të stimulohej ndjeshëm prodhimi i grurit duke marrë parasysh kushtet natyrore. Nga ana tjetër sektori i qumështit ku ka edhe shkallë më të ulët të vetë-mjaftueshmërisë, ka potencial të ri të shitjes, ka zona që nuk e kanë shfrytëzuar mjaftueshëm tokën, është menaxhimi i kullotave ndoshta në mënyrë jo adekuate dhe sigurisht ekziston mundësia për ta stimuluar më tej, për ta stimuluar pa implikime negative mjedisore, por në të njëjtën kohë për ta stimuluar edhe për nxitje të mëtejshme të të ardhurave për fermerët dhe në fund, natyrisht edhe për rritjen e vetë-mjaftueshmërisë në këtë produkt.

Sokolaj: Si eshte gjendja e sotme ne Shqiperi persa i takon shfrytezimit te siperfaqeve te mbjella dhe shfrytezimit te te gjitha resurseve per te prodhuar ushqim?

Raimund Jehle: Mendoj se kjo është një fushë dhe është një pyetje shumë e rëndësishme në këtë kontekst, e lidhur edhe me atë që sapo thashë, menaxhimi i tokës duhet të përmirësohet më tej. Mendoj se kemi një problem të madh, që copëzimi i tokës është një çështje që pengon në fakt rritjen në këtë rast edhe konkurrencën. Pra, kjo është diçka që do të ishte shumë e dobishme për t’u marrë masa për të stimuluar që copëtimi i tokës të reduktohet. Kjo është e para. E dyta është se sigurisht Shqipëria ka mjaft tokë të pashfrytëzuar, kështu që sjellja në prodhim e disa prej këtyre tokave të pashfrytëzuara është diçka që sigurisht do të ndihmonte, e cila do të jepte mundësi të reja, që do të jepte edhe mundësi të reja për të rinjtë dhe që në fund lidhet edhe me faktorin e parë për faktin se ka një pjesë të konsiderueshme të copëtimit të tokës dhe disa nga parcelat janë shumë të vogla dhe për këtë arsye ato do të braktisen dhe do të mbeten të papërdorura. Dhe e treta është sigurisht çështja e degradimit të tokës. Shqipëria preket gjithashtu nga ekspozimi klimatik, situata e ndikuar edhe nga degradimi i tokës, veçanërisht me kullimin, ku erozioni i ujit është një faktor kyç. Pra, vendosja e masave, vendosja e kullimit, le të themi infrastruktura, duke vendosur infrastrukturën vaditëse në këtë rast, sigurisht që do të ndihmonte në shfrytëzimin më të mirë, më efektiv dhe në fund edhe më të qëndrueshëm të burimeve natyrore. Kështu që mendoj se në përgjithësi do të thosha nëse marrim në konsideratë disa faktorë që Shqipëria po sheh nga sektori i bujqësisë, më shumë inovacion, më shumë, le të themi investime në sektorin e bujqësisë dhe në këtë kuptim një mjedis i qëndrueshëm politikash, është thelbësor për të pasur një te ardhme te mirë për prodhimin bujqësor, për qasjen e sistemeve ushqimore dhe në fund, sigurisht edhe për sigurinë ushqimore për të gjithë në vend dhe në rajon.

Related Posts