Menu

29 Prill, Simpozium RETRO-FIVA, Panairi Retro_Tiranë

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) dhe RETRO Albania do të organizojnë për herë të parë në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Mjeteve Historike (FIVA), Simpoziumin “Bashkëpunim dhe Partneritet me Qeverinë dhe Institucionet e tjera/ Cooperation and Partnership with GOV and other Institutions”, i cili do të zhvillohet në datën 29 Prill, Ora 09:00, Maritim Hotel Plaza, Tiranë, si dhe do të organizohet një event i madh RETRO në sheshin “Skënderbej” përgjatë gjithë së shtunës, datë 29 Prill.

1.SIMPOZIUMI RETRO dhe FIVA – 29 Prill, Ora 09:00-17:30

Përzgjedhja e Shqipërisë si vendi mikpritës në organizimin e këtij simpoziumi, vjen pak muaj pas anëtarësimit të shumëpritur të RETRO Albania në FIVA në Nëntor 2022. Tashmë Shqipëria konsiderohet si një shembull për politikat lehtësuese për importin dhe regjistrimin e mjeteve që plotësojnë kriteret për statusin RETRO, ku mjetet që fitojnë këtë status në Shqipëri përfitojnë 90 ditë qarkullim në vit e pa detyrime taksash për mjetin, duke nxitur koleksionistët të pasurojnë Regjistrin e Mjeteve RETRO si një vlerë e trashëgimisë kulturore dhe historisë së automotorizimit që do të flasë ndër breza.

Ky event i rëndësishëm i cili do të mbahet për herë të parë në Tiranë, Shqipëri, do të bashkojë ekspertë, grupe interesi, dhe pjesëmarrës nga e gjithë bota për të diskutuar rëndësinë e politikave dhe bashkëpunimit me qeverinë dhe institucionet e tjera për të ruajtur të ardhmen e mjeteve historike, si pjesë e trashëgimisë kulturore. Të ftuar të tjerë në këtë simpozium do jenë përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Bashkia Tiranë dhe institucione të tjera të lidhura me temën dhe organizimet e tjera të kësaj dite. Krahas kësaj, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të vizitojnë në ambientet e Hotel Plaza, koleksione automotive në sallën hyrëse dhe në sallën ku do zhvillohet simpoziumi, në trajtë retrospektive e rikthimi në nostalgji.

VINI RE: Siç parashtrohet dhe në programin bashkëlidhur, MEDIA Moment do të zhvillohet në orarin 17:00-17:30 ku gazetarët mund të intervistojnë organizatorët dhe përfaqësuesit kryesorë.

2.RETRO BAZAAR – 29 Prill, Ora 10:00-22:00, SHESHI “SKËNDERBEJ”

Koleksioni i Mjeteve Retro, Stenda ekspozimi vintage dhe artizanale, Muzikë dhe Argëtim

Në kuadër të Simpoziumit, do të organizohet RETRO BAZAAR ose ndryshe panairi i madh RETRO në sheshin ‘Skënderbej’, ku vizitorët kureshtarë e të apasionuarit pas nostalgjisë do të kenë mundësinë të admirojnë nga afër mbi 50 mjete të ekspozuara të koleksionit RETRO, të shoqëruara me muzikë Jazz & Swing, ushqim e pije, si dhe do të ketë stenda ku profesionistë të fushës dhe të apasionuar do të ekspozojnë pasionin e tyre RETRO përmes punimeve të tyre artizanale, artefakte, punime artistike me metal, dru, qeramikë, veshje vintage, objekte e orendi të vjetra, si dhe një hapësirë dedikuar traditës folklorike shqiptare si pjesë e identitetit tonë kombëtar për t’u promovuar si një aset kulturor.

https://www.facebook.com/events/6088902657871006

https://www.facebook.com/dpshtrr.gov.al

https://www.facebook.com/retro.albania

Qendra Alert/Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed