Pikërisht për këtë arsye, bota e qytetëruar, i kushton rëndësi të veçantë edukimit të adoleshentëve. Një fidan i shëndoshë, i ka të gjitha gjasat të jetë një pemë e shëndoshë, prandaj është nevojë e veçantë, sidomos e prindërve të kenë kujdes gjate edukimit të tyre, sepse, siç dihet fëmija bazën e shëndoshë të edukimit e merr në fëmijëri.
Nëse ata marrin një edukatë të gabuar, atëherë do të vijë deri të edukata permisive apo riedukimi i tyre, që është një punë shumë e mundimshme, dhe merr një kohë shumë të gjatë, sepse, siç dihet nga praktika me lehtë është të parandalosh se sa të shërosh.
Gjithashtu duhet cekur se adoleshenca karakterizohet nga ndryshime të ndjeshme e të shpejta të gjendjes fizike dhe emocionale, mendime dhe ide të pasistemuara, ndjeshmëri e lartë, momente rebelimi dhe përpjekje të njëpasnjëshme eksperimentimi, shpesh herë me sindromën e imitimit.
Fëmijët e kësaj moshe fillojnë të vlerësojnë vetveten, kërkojnë të tërheqin vëmendjen e të tjerëve, sidomos të seksit të kundërt, janë të ndjeshëm ndaj opinioneve të të tjerëve, e konsiderojnë veten perfekt, të pakritikueshëm, ndihen të sigurt dhe plot shpresa për të ardhmen, ushqejnë ëndrra dhe pasione për t’u bërë njerëz të mëdhenj e të shquar.
Shpesh herë këto ndryshime shkaktojnë hutim dhe çoroditje tek fëmijët dhe aq më tepër tek prindërit dhe edukatorët. Mjaft prej tyre pajtohen me gjendjen, i rrallojnë përkëdheljet, përkujdesjet dhe lavdërimet që u kanë dhuruar atyre si të mitur, si dhe ndeshen me vështirësi komunikimi, mosbindje dhe kundërshtime.
Disa të tjerë janë të prirë t’i vlerësojnë sjelljet e papërshtatshme të adoleshentëve si kalimtare dhe përpiqen që t’i justifikojnë si procese të rritjes. Injorimi i këtyre sjelljeve bën që adoleshenti t’i përforcojë edhe më tej këto simptoma. Shumë prindër i harxhojnë energjitë për vogëlsira, nuk vlerësojnë problemet kryesore të kësaj moshe, kërkojnë t’i zgjidhin konfliktet me presion dhe urdhra, veprime këto që krijojnë reaksion.
Neglizhimi i këtyre sjelljeve ka sjellë si rezultat që adoleshentët me prirje negative të manifestojnë jo vetëm sjellje antisociale, por të shkojnë deri në vepra kriminale. Fatkeqësisht, në statistikat kriminale treguesi i krimeve të kryera nga adoleshentët është një zë që duhet marrë në konsideratë.
Qendra Alert/Alert.al
LEAVE A COMMENT