Një aktiviste amerikane për mjedisin, Anna Sacks, ka marrë vëmendje të madhe nga media tradicionale për shkak të postimeve të saj në llogari të ndryshme në median sociale. Ajo zakonisht bën postime të ndryshme në TikTok apo Instagram, të sendeve dhe ushqimeve që gjenden në pikat e grumbullimit të mbetjeve. Këto postime kanë si qëllim ndërgjegjësimin e individëve dhe kompanive të mëdha, që realisht ata po prodhojnë më shumë sesa po konsumojnë, dhe shumë produkte apo ushqime të tyre përfundojnë në mbetje apo thënë ndryshe në plehra.
Puna që ajo bën është e thjeshtë. Ajo kontrollon pikat e hedhjes së mbeturinave në qytetin e New Yorkut, dhe mbetjet që gjen aty, i publikon në llogaritë e saj në median sociale.
30 vjeçarja amerikane është një aktiviste për mjedisin, e cila flet me entuziasëm për punën që ajo po bën.
‘Nuk mendoj ta lë këtë punë. E bëj sepse më pëlqen dhe sepse është zbavitëse dhe shumë interesante dhe është një punë që më shlodh. Shpesh e humbas ndjesinë e kohës’.
Ndër vite, ajo ka marrë një vëmendje të shtuar të mediave. Në janar të vitit 2020 një media lokale e shoqëroi atë gjatë punës në një pike grumbullimi mbeturinash, dhe zbuloi që kompania Starbucks, hidhte çdo natë aty ushqimin e pashitur.
‘Së pari mendoj, që janë produkte që nuk duheshin prodhuar kurrë, por meqenëse janë prodhuar, duhet që të përdoren’, shprehet Anna Sacks.
Ajo beson që ‘mbetjet’ nuk do të quheshin ‘mbetje’ nëse do të ndodheshin në një vendndodhje tjetër.
Gjatë vitit 2019, Sacks i dërgoi një email CEOs së CVS Pharmacy, duke i kujtuar që po hidhnin gjëra në vend që ti dhuronin ato. Një ditë më pas, Sacks u njoftua nga menaxheri rajonal i kësaj kompanie në New York, që do të fillonin të dhuronin disa gjëra të linjës së tyre të dyqaneve.
Anna Sacks është e mendimit që prodhuesit e mëdhenj duhet që ti dhurojnë gjërat e pashitura, ose të pak të përdorura, punonjësve me paga më të ulëta, në vend që ti hedhin ato, duke i kaluar barrierat burokratike gjatë fazës së dhurimit të tyre. Ajo shprehet që nuk dëshiron të jetë pjesë e debatit nëse është më e mirë shoqëria kapitaliste apo shoqëritë socialiste apo komuniste, sepse ajo nuk i shikon gjërat si të dyzuara. A është e mundur të përfytyrojmë diçka më të mirë sesa këto dy sisteme, shprehet ajo. A është e mundur të imagjinojnmë një sistem tjetër qeverisës, dhe më të përmirësuar nga sistemi aktual?
Burimi: The Guardian
Qendra Alert
alert.al
LINI NJË KOMENT