Në kuadër të Javës së Demokracisë Vendore 2020, u zhvillua aktiviteti i Ambasadës Zvicerane në Shqipëri me temë: “Decentralizimi: 20 vjet bashkëpunim Zvicër – Shqipëri”. Me rastin e ditës së parë të Javës së Demokracisë Ambasada e Zvicrës lançoi një publikim me arritjet më të mira dhe mësimet e nxjerra në punën për thellimin e decentralizimit dhe forcimit të qeverisjes vendore në 20 vitet e fundit.
“Jam i gëzuar që jam këtu sot për të lançuar publikimin mbi mbështetjen zvicerane për decentralizimin. Reflektimi mbi çfarë e pengon dhe çfarë e ndihmon demokracinë, është shumë i rëndësishëm. Ndarja e rezultateve dhe mësimeve të nxjerra nga më shumë se 2 dekada të partneritetit me Shqipërinë për këtë temë të rëndësishme është kënaqësi. Qeveri vendore e decentralizuar dhe e forcuar si dhe zhvillimi i konsoliduar rajonal janë pjesë e kërkesave për integrimin europian të Shqipërisë. Le të mos harrojmë që decentralizimi nuk është një qëllim në vetvete por një mjet për të forcuar demokracinë dhe për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve” tha Ambasadori zviceran Adrian Maître.
Kryetarë bashkish, këshilltarë bashkiakë, dhe aktivistë civilë paraqitën tre raste të bashkëpunimit të suksesshëm në decentralizim, funksionim të qeverisë vendore dhe dhënien e shërbimeve. Këto shembuj prekën ndriçimin publik në Durrës, një rrjet të grave në politikë, dhe menaxhimin e mbetjeve në Pogradec. Kjo u pasua nga një diskutim me aktorët civilë mbi angazhimin dhe aksionet e tyre dhe me përgjigje nga autoritetet bashkiake.
Në mbyllje të aktivitetit, drejtuesja për qeverisjen në Ambasadën e Zvicrës, Chantal Nicod, foli mbi rëndësinë e informacionit nga ana e bashkive si dhe e të paturit “qytetarë të organizuar dhe këmbëngulës, si formalë ashtu edhe jo formalë”. Zvicra ka asistuar Shqipërinë për mbi 20 vite në përpjekjet e saj për të konsoliduar demokracinë vendore dhe për të çuar përpara procesin e decentralizimit të pushtetit nga qeveria qendrore tek ajo vendore.
Qendra Alert / Alert.al
LEAVE A COMMENT