Menu

Ekonomia njeh rënie si pasojë e coronavirusit, eksportet ulen me 36.2%

Mbyllja e kufijve si masë mbrojtjeje ndaj coronavirusit ka shënuar ulje të eksporteve dhe importeve, për pasojë rënie edhe ekonomike. Referuar të dhënave të tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT, rezulton se në Mars 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 18 mld lekë, duke u ulur me 36,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 29,0 %, në krahasim me Shkurt 2020.

E njëjta tendencë ëhstë konstatuar edhe me importet. Importet e mallrave arritën vlerën 42 mld lekë, duke u ulur me 25,4 %, në krahasim me një vit më pare dhe me 19,3 %, në krahasim me Shkurt 2020. Deficiti tregtar i këtij muaji është 24 mld lekë, duke u ulur me 14,9 %, krahasuar me Mars 2019 dhe me 10,2 %, në krahasim me Shkurt 2020.

Në tremujorin e parë 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 66 mld lekë, duke u ulur me 9,0 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 135 mld lekë, duke u ulur me 8,5 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 70 mld lekë, duke u ulur me 8,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019.

Kush ndikoi?

Rënia vjetore e eksporteve prej 36,2 %, këtë muaj është ndikuar nga grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -18,4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -8,9 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -6,6 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me 0,04 pikë përqindje.

Eksportet, gjatë këtij tremujori janë ulur me -9,0 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Tekstile dhe këpucë” me -7,3 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -3,1 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me -0,2 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me +1,1 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +0,4 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +0,2 pikë përqindje.

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve:

Rënia vjetore e importeve prej 25,4 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me -7,4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -5,2 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -4,8 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Ushqim, pije, duhan” me +0,7 pikë përqindje.

Si tremujor, importet janë ulur me 8,5 %, krahasuar me tremujorin e parë 2019. Grupet që kanë ndikuar neativisht në uljen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,4 pikë përqindje, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me -2,4 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,9 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Ushqim, pije, duhan” me +0,6 pikë përqindje.

Qendra Alert/Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed