Të gjitha çmimet e mallrave ushqimore u shtrenjtuan në shtator, duke arritur kulmin 10-vjeçar, njofton Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO). Shkak për këtë shtrenjtim është bërë shtrëngimi i kushteve të furnizimit dhe kërkesa e fortë për produktet kryesore si gruri apo vaji.
Indeksi i çmimeve të ushqimit të FAO-s, që gjurmon çmimet ndërkombëtare të mallrave ushqimore më të tregtuara në botë, ishte mesatarisht 130.0 pikë muajin e kaluar, niveli më i lartë që nga shtatori 2011, sipas të dhënave të agjencisë.
Shifra për muajin gusht u rishikua në 128.5, nga 127.4 që ishte për të njëjtin muaj.
Në bazë vjetore, çmimet u rritën me 32.8% në shtator.
Çmimet e mallrave bujqësore janë rritur ndjeshëm vitin e kaluar, të ndikuara nga pengesat në korrje dhe rritja e kërkesës në Kinë.
Indeksi i çmimeve të drithërave të FAO u rrit me 2.0% në shtator nga muaji i mëparshëm. Kjo u parapri nga një rritje prej gati 4% e çmimeve të grurit, dhe agjencia e OKB-së vuri në dukje uljen e disponueshmërisë së eksporteve për shkak të kërkesës së madhe.
“Ndër drithërat kryesore, gruri do të jetë fokusi në javët e ardhshme pasi kërkesa duhet të testohet kundrejt rritjes së shpejtë të çmimeve,” tha krye ekonomisti i FAO-s, Abdolreza Abbassian në një deklaratë.
Çmimet botërore të vajit bimor u rritën me 1.7% në bazë mujore dhe treguan një rritje vjetore prej rreth 60%, pasi çmimet e vajit të palmës u rritën nga kërkesa e fuqishme e importit dhe shqetësimet për mungesat e fuqisë punëtore në Malajzi, tha FAO.
Çmimet globale të sheqerit u rritën me 0.5% në shtator, për shkak të shqetësimeve për motin e keq në Brazil, që është eksportuesi kryesor. Kjo është kompensuar pjesërisht nga ngadalësimi i kërkesës për import dhe një perspektivë e favorshme e prodhimit në Indi dhe Tajlandë, sipas FAO-s.
FAO parashikon që të prodhohet 776.7 milion ton grurë në 2021, ku rendimenti thuhet se do të jetë më i lartë në Evropën Lindore dhe Australi, të cilat pritet të kompensojnë rënien e prodhimit në Kanada dhe Federatën Ruse. Ndërkohë prodhimi botëror i orizit është parashikuar në 50 milion ton, një rekord i ri, duke reflektuar kryesisht pritjet më të mëdha nga prodhimi kryesor që është India. Rezervat globale të drithërave pritet të ulen në periudhën 2021/22, por ende do të jenë në një nivel të mjaftueshëm, nënvizon FAO.(Reuters)
Qendra Alert/Alert.al
LEAVE A COMMENT