Menu

Fëmijët në çerdhe e kopshte? Drejtoresha Zhaneta Beqiri sqaron mënyrat e regjistrimit, afatet dhe prioritetet – Video

Është pikërisht periudha e regjistrimeve në çerdhet e Tiranës, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Për këtë arsye, shumë prindër kanë paqartësi se, si do të regjistrojnë të vegjlit e tyre në çerdhe e kopshte, dokumentacioni që duhet, procedurat, afatet etj. Drejtoresha e Përgjithshme Çerdheve dhe Kopshteve të Tiranës, Znj.Zhaneta Beqiri, në një intervistë dhënë për emisionin “7 pa 5” në Vizion Plus, ka spjeguar procedurën dhe afatet. Regjistrimet, sipas saj, në çerdhe kanë nisur ditën e hënë dhe përfundojnë të premten më 11 qershor. Kjo periudhë është e vlefshme për të gjithë ata fëmijët që kanë mbushur 6 muaj apo i mbushin edhe në ditët e muajt në vijim.

Në të gjitha çerdhet e Tiranës janë ngritur komisionet e regjistrimit, ku prindrit duhet të çojnë dokumentacionin e kërkuar, dy certifikata, personale dhe familjare të fëmijës, si dhe dy vërtetime pune. Kjo e fundit duket se i ka konfuzuar paksa prindrit, ndërkohë që Znj.Beqiri e spjegon në këtë mënyrë përse duhen vërtetimet e punës për të dy prindrit. “Së pari, kërkesa për frekuentimin  e çerdheve është shumë e madhe. Për shkak të veçorive ndryshe të çerdheve, për shkak të kapaciteteve më të vogla, sepse një bebe do kujdes më të madh, vëmendje më të madhe, kushte për ushqim e fjetje më specifike se ata që janë më të rritur e frekuentojnë kopshtet, numrit më të vogël të bebeve në grupe, atëherë prioritet iu jepet fëmijëve që kanë të dy prindrit të punësuar, gjë që vërtetohet nëpërmjet këtyre dokumenteve. Kjo nuk do të thotë se nuk pranohen apo nuk regjistrohen edhe ata me njërin prind në punë, por gjithçka bëhet sipas prioriteteve”, tha Beqiri.

Ndryshe nga kopshtet, ku regjistrimet bëhen në fillim shtatori, çerdhet e kanë në këtë periudhë afatin zyrtar, por normalisht ka dhe gjatë gjithë vitit. Kjo, pasi sipas Znj.Beqiri, nëse një fëmijë lind tani, padyshim që pas 6 muajsh i lind e drejta të frekuentojë çerdhen e që në atë moment, prindwrit mund të paraqiten pranë Drejtorisë së Çerdheve e Koshteve, dorëzojnë dokumentacionin e duhur dhe fëmija nis frekuentimin.

Ndërsa për kopshtet, që vitin e kaluar ka pasur një risi. Fëmijët që mbushin 3 vjeç kalojnë në Kopsht. Dhe, për të lehtësuar procedurat, Drejtoria e Çerdheve dhe Kopshteve të Tiranës nuk iu kërkon më prindërve dokumentacionin nga e para, pasi ato gjenden në dosjet e fëmijëve që në çerdhe. “E kemi nisur që vitin e kaluar e kështu do vazhdojë edhe këtë vit e në vazhdim. Fëmijët që frekuentojnë çerdhen i kalojmë automatikisht në Kopsht. Vetëm se, prindrit duhet të shprehin interesin e tyre për kopshtin ku duan, gjithmonë brenda njësisë apo zonave që iu takon dhe nuk kanë asnjë nevojë për dokumenta tjera shtesë apo pa kaluar para një komisioni. Fëmija që ka mbushur 3 vjeç frekuenton çerdhen deri më 31 gusht dhe në 1 shtator kalon në Kopsht”, theksoi Drejtoresha e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve.

Alert.al

Related Posts

LEAVE A COMMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed