Fermerët dhe blegtorët e jugut të vendit kanë protestuar sërish për mungesën e subvencioneve, rritjen e karburantit, plehrave dhe imputeve të tjera bujqësore.
Në shenjë proteste dhe revolte ndaj qeverisë, protestuesit kanë bllokuar për disa minuta aksin nacional Berat-Lushnje, duke u ulur të gjithë në asfaltin e rrugës.
Nga Ura e Kuqit, zonë në mes të Fierit dhe Beratit, fermerët i kerkuan qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Bujqësisë marrjen e masave të menjëhershme, pasi situata në të cilën ndodhen prodhuesit vendas po i tërheq ata nga nismat e tyre.
Per disa çaste ata bllokuan segmentin rrugor Berat-Lushnje, teksa e konsiderojnë situatën në të cilën ndodhen si faliment. Kjo është protesta e dytë e fermerëve të jugut kundër vështirësive me të cilat po përballen, teksa paralajmeruan vijimin e protestave edhe më tej.
Fermerët dhe blegtorët kërkojnë që qeveria të angazhohet në rregullimin me ligj të kushteve dhe mënyrën e kryerjes së tregtisë me produktet bujqësore, për te garantuar interesat e palëve në këtë treg. Ata kanë kërkuar gjithashtu nga Ministria e Bujqësisë që të krijojë menjëherë zyrën apo agjencinë e studimit të tregjeve dhe orientimit të fermerëve.
Kryetari i Sindikatës së fermerëve të bashkuar, Ervin Resuli ka deklaruar se fermerët janë lënë në mëshirë të fatit nga qeveria dhe Ministria e Bujqësisë, duke u rrënuar ekonomikisht e duke falimentuar. Ai ka deklaruar se protesta e radhës e fermerëve dhe blegtorëve do të jetë pas një jave tek “Pushimi i Shoferit” dhe më pas, nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen nga qeveria, protestat do të përshkallëzohen përpara Ministrisë së Bujqësisë në Tiranë.
Qendra Alert/Alert.al
LINI NJË KOMENT