Fermerët italianë kanë nisur protestat kundër markës së famshme të çokokremit Nutella për shkak të mbjelljes së shumtë të pemëve të lajthive në kodrat që më parë mbilleshin me bimësi të ndryshme duke përfshirë ullinj dhe vreshta.
Por kohët e fundit, kompania Ferrero, prodhuesi Italian i Nutellës ka vendosur që shumë kodra në Itali të prodhojnë vetëm lajthi, duke krijuar plantacione me vetëm këtë pemë, duke mos pasur më fermerë të vegjël, kullota apo edhe vreshta me rrush.
Kultivimi i lajthive është bërë kaq masiv duke ndryshuar në mënyrë të shpejtë ekosistemin në të cilin banojnë fermerët italianë, dhe sipas tyre nuk ka më një mjedis të qëndrueshëm.
Ata deklarojnë që pemët me lajthi tashmë po kultivohen kudo, dhe kjo gjë po dëmton tokën e tyre.
Vendimi i kompanisë Ferrero për të mos u furnizuar më me lajthi nga Turqia, e cila është dhe prodhuesi kryesor i tyre në botë, erdhi si pasojë e dëshirës për të rritur prodhimin vendas në Itali, për të mos u varur nga furnizuesit e jashtëm si dhe për të pasur të drejta më të mëdha për punonjësit e përfshirë në këtë sektor. Kjo sepse konsumatorët po ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë për mënyrën sesi ushqimi i tyre është prodhuar dhe në lidhje me origjinën e tij.
Por, këto politika të kompanisë Ferrero, për ta përqendruar prodhimin e lajthive në Itali, kanë ngritur probleme të tjera mjedisore, duke e ndarë komunitetin në qëndrime të ndryshme: ata që kërkojnë që të rrisin fitimet e tyre duke prodhuar vetëm lajthi dhe ata që besojnë që rezultantja e kultivimit të vetëm kësaj bime do të thotë shkatërrim i mjedisit.
Që nga mesi i viteve 1960-të, lajthitë në Itali janë kultivuar vetëm në zonën e Vignanello-s, por ndërkohë projekti Nocciola Italia, thënë ndryshe projekti italian për lajthitë, kërkon që të rrisë prodhimin me 30% të tyre duke shtuar edhe 90 000 hektarë të tjerë deri në vitin 2025.
Ndaj kompanisë Ferrero u shtuan presionet nga politikanët që kërkonin që ata të mos ishin të varur nga furnizuesit turq. Po ashtu ndikoi dhe konkurenca me kompaninë vendase Barrilla, e cila lançoi një fushatë të produkteve të bëra nga “100 për qind lajthi italiane”.
Kompania Ferrero është shprehur që ajo është fokusuar vetëm në rajone ku ekzistonte rreziku që toka bujqësore mund të braktisej ose që nuk kultivohej. Por ekspertët e mjedisit paralajmërojnë që kjo politikë e kompanisë ka sjellë që fermerët të mbjellin pemët e lajthive edhe në zona që ato nuk mund të rriten, të tilla si afër bregdetit. Bujqësia intensive gjithashtu mund të pakësojë akuiferët nëntokësorë dhe të zhdukë habitatet e tyre nga speciet autoktone. Ambjentalistët gjithashtu thonë se monokulturat ndihmojnë në përhapjen e sëmundjeve dhe insekteve të bimëve, duke rezultuar në përdorimin më të madh të pesticideve dhe herbicideve. Megjithatë, plani kombëtar i rimëkëmbjes i qeverisë italiane ka një komponent bujqësor prej 6.8 miliardë euro, një pjesë e të cilit kërkon të nxisë bujqësinë organike, të përmirësojë biodiversitetin dhe të zvogëlojë përdorimin e kimikateve.
Ferrero ka kundërshtuar në mënyrë të prerë pretendimet se veprimet e saj dëmtojnë mjedisin.
“Kultivimi i lajthisë nuk po shkatërron fshatrat italiane; në fakt, vendi ka një histori të gjatë të kultivimit të lajthisë dhe është një nga vendet kryesore prodhuese, me lajthi italiane që përdoren nga kompanitë në industri të shumta”, është shprehur kompania në një deklaratë për Financial Times.
Kompania tha se ka mbledhur ekspertë bujqësorë dhe shkencorë për të adresuar sfidat e qëndrueshmërisë dhe se promovoi praktikat më të mira përmes programit të saj të qëndrueshmërisë. Shumë fermerë italianë kanë mirëpritur gjithashtu të ardhurat që siguron kultivimi i lajthive.
‘Ky debat është surreal’, shprehet Lorenzo Bazzana nga Coldiretti, sindikata e fermerëve italianë. “Monokultura, qoftë e grurit, misrit apo hardhisë, nuk është asgjë e re. I takon secilit sipërmarrës të bëjë zgjedhjet e veta dhe të ketë përgjegjësinë për të ndjekur teknikat e sakta agronomike’.
Rritja më shumë e prodhimit të lajthive në Itali e ndihmon kompaninë Ferrero të shkurtojë disa zinxhirë furnizimi dhe të rrisë aftësinë e saj të monitorimit. Aktualisht furnizohet me një të tretën e të korrave vjetore të lajthive të Turqisë, e cila përbën 65-70 përqind të prodhimit botëror të lajthisë, dhe gjithashtu ka furnizime nga Kili dhe Gjeorgjia.
Por ndërsa industria e lajthisë në Itali po rritet, ka një presion të shtuar mbi kultivuesit për të ruajtur furnizimet me cilësi të lartë.
“Tregu duhet të ushqehet vazhdimisht. Ai dëshiron lajthi të përsosur dhe e dëshiron shpejt atë, shprehet Marcello Lagrimanti, i cili filloi të rrisë lajthitë në Vignanello në 2017.
Duke vëzhguar fermat përreth tij, Andreocci pohon se i kuptonte argumentat e fqinjëve të tij, por ka frikë të shprehet.
“Nga pikëpamja ekonomike, tani [kjo] është gjëja më e mirë që ekziston. Kur mbërrin një kompani e madhe, komuniteti lokal përqendrohet në një produkt që paguan. Krjohet punë dhe fitim’, thotë ai.
‘Por, çfarë u lëmë brezave të ardhshëm? Nëse vazhdojmë të plaçkisim tokën, siç po bëjmë, nuk do të mbetet asgjë tjetër veç shkretëtirës’.
Burimi: Financial Times
Qendra Alert
alert.al
LINI NJË KOMENT