Menu

Mos i lejoni fëmijët të qëndrojnë shumë kohë para televizorit, ja çfarë rrezikojnë

Fëmijët që kalojnë më shumë se 2 orë para televizorit kanë më shumë gjasa që të jenë të varur nga bixhozi, duhani, kanabisi dhe alkooli kur ata të rriten, tregojnë të dhënat e një studimi të ri. Studiuesit në Zelandën e Re shikuan të dhënat e 1.000 njerëzve nga fëmijëria deri në moshën 45 vjeçare. U bënë hulumtime çdo dy deri në gjashtë vjet për përdorimin e televizorit, nëse ata i ishin futur bixhozit apo çfarë droga përdornin.

Rezultatet treguan se ata që shikonin më shumë se dy orë TV gjatë netëve të javës, nga mosha pesë deri në 15 vjeç, kishin 29 për qind më shumë gjasa të kishin një problem bixhozi kur të rriteshin sesa ata që kalonin më pak kohë të ngjitur pas ekraneve.

Ata kishin gjithashtu 20 për qind më shumë gjasa të ishin të varur nga produktet e duhanit dhe kishin pasur një rrezik më të lartë të çrregullimit të përdorimit të alkoolit ose kanabisit në krahasim me ata që kalonin më pak kohë para ekraneve.

Gjetjet mund të shkaktojnë shqetësim, duke pasur parasysh një studim të veçantë të publikuar në fillim të këtij muaji që tregoi se fëmijët amerikanë tani po shpenzojnë rreth katër orë në ditë duke ngulur sytë para ekraneve. Studiuesit sugjeruan se shikimi i pafund i televizorit mund të çojë në problem të varësisë te fëmijët dhe ta bëjë më të lehtë kalimin në një lloj tjetër varësie.

Dr. Helena McAnally, një eksperte e mjekësisë parandaluese në Universitetin e Otagos, e cila udhëhoqi punimin, ka thënë: “Ky hulumtim tregon se, për disa njerëz, shikimi i televizorit mund të jetë një shprehi e hershme e një problemi të varësisë ose mund të çojë më vonë në varësi me substancat dhe çrregullime të tjera”.

Megjithatë, rezultatet janë vetëm vëzhguese, që do të thotë se shkencëtarët nuk mund të vërtetojnë se televizioni nxit rrezikun e sjelljeve problematike më vonë në jetë. Ata nuk mund t’i përjashtojnë edhe faktorët tjerë, si gjenetika, ndikimi prindëror ose mungesa e mbështetjes sociale.

Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon që fëmijët të mos shikojnë më shumë se dy orë televizor çdo natë të javës – transmeton Daily Mail.

Rritja e kohës para ekranit është gjithashtu e lidhur me një probabilitet më të lartë të mbipeshës në një moshë të re, duke rritur rrezikun e një sërë kushtesh shëndetësore më vonë në jetë. Studimi u botua në Revistën Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor dhe Varësisë (International Journal of Mental Health and Addiction). Është nxjerrë nga Studimi Multidisiplinar i Shëndetit dhe Zhvillimit të Dunedin, i njohur gjithashtu si Studimi Dunedin.

Qendra Alert/Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed