Menu

OKB kërkon 8 mld $ për të vaksinuar 40% të popullsisë brenda 2021

Sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guterres bëri thirrje për të mbledhur 8 miliardë dollarë për të vaksinuar në mënyrë të barabartë 40% të njerëzve në të gjithë vendet e botës, deri në fund të vitit 2021, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë nisi një plan që synon të vaksinojë 70% të botës nga mesi i vitit 2022.

Guterres i kërkoi vendeve anëtare të G20 të përmbushin “dëshirën e tyre për të vaksinuar botën” në një samit në Romë, këtë muaj.

“Të mos kesh shpërndarje të barabartë të vaksinave nuk është vetëm një mungesë morali, por është edhe budallallëk”, tha ai në një konferencë të përbashkët shtypi me Drejtorin e Përgjithshëm të OBSH Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Deri tani, më shumë se 6.3 miliardë doza të vaksinave të coronavirusit janë administruar në nivel global. Por, më shumë se gjysma e botës nuk ka marrë ende një dozë të një vaksine COVID-19, sipas “Our World in Data” dhe më pak se 5% e shtetasve afrikanë janë vaksinuar plotësisht.

Plani i OBSH-së bën thirrje që vendet me nivel të lartë vaksinash të lejojnë që dërgesat e pritshme të dozave shtesë të shkojnë së pari për programin COVAX dhe Trustin Afrikanik të Marrjes së Vaksinave (AVAT), për t’i shpërndarë ato atje ku janë më urgjente. OKB gjithashtu dëshiron që kombet më të pasura të përmbushin dhe të përshpejtojnë angazhimet e tyre për shpërndarjen e dozave të vaksinave dhe dhurimet ndaj COVAX.

Ajo i bën thirrje prodhuesve të ilaçeve që t’u japin përparësi dhe të përmbushin urgjentisht kontratat e vaksinave me programet COVAX dhe AVAT, si dhe të jenë transparentë për të dhënat mujore të prodhimit dhe të japin afate të qarta mujore për furnizimet për COVAX, AVAT dhe vendet me të ardhura të ulëta.

Tedros gjithashtu ngriti pyetjen pse vendet nuk ishin në gjendje të binin dakord për heqjen e përkohshme të të drejtave të pronësisë intelektuale mbi vaksinat dhe terapitë ndaj COVID-19. Negociatat për një lëvizje të tillë, të propozuar nga Afrika e Jugut dhe India 1 vit më parë janë bllokuar, thanë burimet pas një takimi mbi këtë temë. (Reuters)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts