Menu

Rënia me 55% e udhëtarëve në autobusë dhe rritja e çmimit të naftës rrit kostot e shërbimit urban

Vijon rënia e numrit të udhëtarëve në raport me periudhën para krizës për transportin publik të Tiranës. Situatës së krijuar nga rënia e volumeve të frekuentimeve i janë shtuar dhe efektet e krizës energjetike, ku rritja e çmimit të karburantit si një nga elementët kryesorë të zërit të shpenzimeve të shërbimit të transportit publik, po shton koston e ofrimit të shërbimit. Operatorët kryesorë në Tiranë pohojnë se rënia e numrit të pasagjerëve dhe rritja e çmimit të naftës po vështirësojnë arritjen e qëndrueshmërisë financiare për sektorin më të prekur nga kriza e Covid-19, pasi të ardhurat e marra nga operimi i shërbimit nuk tejkalojnë kostot operative.

Në fund të muajit dhjetor bashkia e Tiranës miratoi vendimin për shpërndarjen e 1 mln eurove subvencione për transportin urban me qëllim mbulimin e kostove nga rënia e frekuentimit. 11 kompani të transportit urban kryeqytetas pritet të përfitojnë 15,000 deri 20,000 euro nga subvencioni i buxheti të Bashkisë të Tiranës. Pagesa për operatorët do të jetë e shtrirë për periudhë 6 mujore.

Drejtori i linjës të transportit urban të Tiranës të Re të kompanisë “Alba Trans”, Rixhin Qosja nënvizon se fondi i i subvencionit nuk do të mbulojë kostot e shërbimit për shkak të rënies të numrit të frekuentimit dhe ndryshimeve që ndodhën me çmimin e karburanteve.

“Frekuentimi në autobusë është 55% më pak se viti 2019. Aktualisht ne kemi nxjerrë në punë 60% të flotës të autobusëve. Rritja e çmimit të naftës ka shtuar kostot e operimit. Bashkia e Tiranës ende nuk ka nisur shpërndarjen e fondit të subvencionit. Kriteret për përfitimin e tij janë ende të pa certifikuara. Shpërndarja e pagesave të subvencionit parashikonte të mbulonte kostot nga rënia e numrit të udhëtarëve. Ky fond nuk arrin dot të mbulojë kostot nga rritja e çmimit të naftës. Në këtë situatë është e pamundur të kesh fitime, kompanitë vetëm sa po mbijetojnë”.  Sipas frekuentimi në linjat urbane të Tiranës të Re dhe ish Uzinës të Autotraktorëve është ulur për shkak të alternativave të tjera që kanë zgjedhur qytetarët të përdorin për transport, që pas pezullimit të shërbimit urban në muajt e karantinës.

Situata paraqitet e njëjtë edhe për kompaninë “Shega Trans”. Drejtori i transportit urban për linjën Kombinat-Kinostudio-Tufinë, Kostandin Foni se në kushtet kur frekuentimi i pasagjerëve është me rënie 50-55% dhe çmimi i naftës është rritur për të rimbëkëmbur sektorin, ndaj qeveria duhet të marrë në konsideratë plotësimin e kërkesave të tyre fiskale.

“Në takimin e zhvilluar më 25 tetor 2021 më bashkinë e Tiranës për rimbëkëmbjen e sektorit u propozua zbatimi i disa masave që nga shpërndarja e pagesave në formë subvencionesh për 11 operatorët, subvencionimi 100% i akcizës, rimbursimi i TVSH-së në shitje dhe rimbursimi e biletës për kategoritë që përfitojnë udhëtimin falas. Deri tani nuk është plotësuar asnjë nga kërkesat tona financiare përveç miratimit të fondit të subvencioneve të bashkisë të Tiranës që pritet të shpërndahet pas verifikimit për plotësimin e kritereve nga kompanitë. Me rritjen dita-ditës të çmimit të naftës subvencinomi i bashkisë nuk arrin dot të mbulojë koston e shtuar të shërbimit. Shteti duhet të miratojë heqjen e akcizës dhe taksës të karburanteve dhe zbritjen e TVSH-së në shitje nga 20% në 0”.

Subvencionet e bashkisë të Tiranës do të ndahen ndërmjet operatorëve sipas formulës kapacitet/kilometra në shërbim.  Projekti “Transporti i Qëndrueshëm Urban në Tiranë (SUTi)” i financuar nga GIZ bën përllogaritjet përkatëse tekniko-ekonomike nga të cilat rezultoi së ringritja dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimit të transportit publik qytetës është i pamundur të realizohet pa ndihmën e paketave financiare subvencionuese, kjo për shkak të kushteve aktuale të ardhurave nga shërbimi në raport me kostot e shërbimit. GIZ ndër të shtoj shton se rimëkëmbja e sektorit duhet të mbështetet edhe me rritjen e numrit të udhëtarëve sa në nivelet e para krizës. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed