Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi ka deklarua se bletaria do të mbështetet me fonde nga Skema Kombëtare edhe për vitin 2020. “Edhe sivjet ne do subvencionojmë nga Skema Kombëtare sektorin e bletarisë, si një nga sektorët më të rëndësishëm, jo vetëm për faktin se mjalti është një produkt kaq i domosdoshëm për njeriun, por bleta shkencërisht është nga qeniet më të rëndësishme rruzullin tokësor”, tha ministri Çuçi.
Më pas ai njoftoi një zhvillim tjetër pozitiv për sektorin e bletarisë në vend që është pikërisht hapja e eksportit me Kinën. Ministri Çuçi tha se kjo është një mundësi e madhe për bletërritësit tanë, që duhet të shoqërohet gjithashtu edhe me rritjen e prodhimit vendas.
“Ne kemi nënshkruar marrëveshjen me qeverinë e Kinës për të hapur eksportin e mjaltit drejt këtij vendi. Presim vetëm një çertifikim të fundit nga autoriteti përgjegjës doganor i qeverisë së Kinës për të filluar direkt me eksportin e mjaltit shqiptar. Kjo do të hapte mundësi akoma më të mëdha për ta zgjeruar prodhimin e mjaltit në vend”, tha ministri Çuçi.
Sipas Çuçit në VKM-në e miratuar së fundi në qeveri për fondet e Skemës Kombëtare, parashikohet subvencionimi me 1 mijë lekë për zgjua për fermat që kanë jo më pak se 50 koshere.
LINI NJË KOMENT