Menu

Subvencionet për rritjen e çmimeve të inputeve, ja çfarë duhet të dorëzojnë fermerët

Fermerët e serave për të përfituar subvencionet direkte nga rritja e çmimeve të inputeve bujqësore përveç certifikatës të pronësisë të tokës duhet të dorëzojnë edhe faturat e blerjes të materialit mbjellës.

Faturat e blerjes së fidanëve duhet të përputhen me periudhën e realizimit të mbjelljeve. Ministria e Zhvillimit Rural dhe Bujqësor dhe Ministria e Financave dhe ekonomisë botuan në fletoren zyrtare udhëzimin e përbashkët për procedurat që duhet të ndjekin fermerët për aplikimet për 5 Masat mbështetëse me skemën kombëtare.

Masa në mbështetje të fermerëve të serrave zbatohet për herë të parë. Mbështetje për fidanë, farë dhe impute të tjera do të jetë 200,000 lekë për ha për sezon dhe jo për më shumë se 2 sezone, për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë, luleshtrydheve në serat individuale ose nga grup fermerësh, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1  ha dhe jo më shumë se 1,500,000 lekë për aplikant.

Përfitues të mundshëm sipas udhëzimit do të jenë fermerë individualë, grup fermerësh, SHBB-ja, person fizik ose juridik.

Aplikanti duhet të ketë NIPT aktiv. Në rastin e aplikimit si grup fermerësh, aplikimi quhet i vlefshëm vetëm nëse të gjithë anëtarët e grupit kanë NIPT në status aktiv. Aplikantë të kësaj mase janë fermerë që kultivojnë perime, rrush për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike. Në rastin e aplikimit si grup fermerësh duhet të kenë marrëveshje dakordësie, e cila ngarkohet në sistem.

Sipërfaqja e mbjellë/që mbillet të jetë jo më pak se 1 ha dhe lloji (specia) i mbjellë me kultura perimore të jenë të njëjtë, për të paktën një sezon. Në marrëveshje përcaktohet sipërfaqja totale e mbjellë/që do të mbillet për çdo anëtar dhe si grup, në çdo sezon, si dhe përfaqësuesi i grupit/subjektit që bën aplikimin.

Sipas udhëzimit aplikanti duhet të dorëzojë plan-vendosjen e serrës me të dhënat kryesore. Toka të jetë në pronësi të aplikantit ose me qira jo më pak se një vit, përfshirë edhe vitin e aplikimit. Të ketë faturë për blerjen e materialit mbjellës të kulturave perimore. Faturat e blerjes së fidanëve duhet të përputhen me periudhën e realizimit të mbjelljeve. Për rrushin e tavolinës dhe luleshtrydhen të ketë faturë për blerjen e plehrave ose pesticideve.

Pronësia mbi tokën bujqësore, vërtetohet me një nga dokumentet, si: certifikatë pronësie, e shoqëruar me hartën treguese dhe kartelën e pasurisë së paluajtshme; akti i marrjes së tokës në pronësi (AMTP), sipas legjislacionit për ndarjen e tokës bujqësore, bashkëlidhur me fragmentin e hartës kadastrale, të vërtetuar nga DAMT-ja ose njësia administrative ku ndodhet ngastra.

Në të dyja rastet, kur aplikuesi është një nga anëtarët e familjes bujqësore dhe pronësia i takon familjes bujqësore, është e nevojshme dakordësia e bashkëpronarëve të familjes bujqësore sipas legjislacionit në fuqi. Kur aplikuesi ka përdorur për serrën tokë me qira duhet të dorëzojë kontratë qiraje me akt noterial ose një dokument të ligjshëm të nënshkruar mes palëve. Afati i qiradhënies të jetë jo më pak se një vit, përfshirë edhe vitin e aplikimit. Për përfitimin e subvencioneve nga skemat kombëtare aplikimet nisën më 25 shkurt dhe përfundojnë më 25 mars. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed