I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, nënkolonel dhe eksperti i sigurisë Fatjon Softa ka folur për ngjarjet që u shënuan këtë sezon veror nga mjetet ujore dhe vuri theksin tek mungesa e kontrolleve nga policia dhe mungesën e standardeve të sigurisë.
“Ka qenë një vit i trazuar, gushti ka qenë i ngarkuar, ndërsa humbja e jetës së një vajze 7 vjeçe e bën situatën akoma më komplekse, që duhet të analizohet në tërësinë e saj dhe mosfunksionimin dhe koordinimin e institucioneve. Është Ministria e Brendshme, pra policia, pushteti lokal, Prefekti i cili ka rol të rëndësishëm pasi bën rakordimin mes policisë dhe pushtetit lokal dhe institucionet e tjera. Në verë u paraqitën një plan masash, por në të vërtetë nuk patëm kontroll real, por vetëm plan masash të mbetur në letër. Për sigurinë në det dhe bregdet, ngjarja tregoi se plani i masave nuk funksionoi. Ndërsa u pa përgjegjësia e policisë si para edhe pas ngjarjes. Masat e sigurisë ishin të mangta, të vakta, nuk ka patur prezencë të policisë për kontrollin e hapësirës detare, zonat duhet të ishin të përcaktuara dhe të kontrolluara. Më tragjike ishte edhe korrupsioni, përfaqësues të lartë të Ministrisë së Brendshme nuk pyesin për ligje apo rregulla, por përfitojnë nga uniforma dhe bëjnë ngjarje të kësaj natyre. Munguan edhe kontrollet ndaj mjeteve që lëviznin në det, me licenca apo pa to, ndaj përdoruesve nëse kishin patent apo jo, nëse ishin në gjendje të droguar apo alkoolizuar etj. Kjo pasi edhe deti ka probleme të sigurisë, sidomos në gjire ëshë edhe më vështirë. Në 5 vjet, drejtorët e Policisë së Shtetit janë zgjedhur nga politika dhe përdorur prej saj. Në vijën bregdetare kemi dy lloj bregdeti, Durrësin që është det i hapur dhe mundësia e kontrollit është më e lehtë dhe jugu që është më e vështirë, për shkak të gjireve. Kemi patur mungesë edhe të rojeve bregdetare, rrallë sheh një person në kullë që t’i jape ndihmë një personi në rrezik, ndërsa në vend të bovave ishin shishe të mbushura me bojë, si mund të flasim për standard sigurie?”-tha dhe eksperti i sigurisë Fatjon Softa.
Qendra Alert/Alert.al
LEAVE A COMMENT