Menu

Mbrojtje e hekurt dhe Sterling, Anglia mposht Gjermaninë dhe kalon në çerekfinale

Anglia “djeg” Gjermaninë dhe kalon në çerekfinale. Skuadra e drejtuar nga Gary Southgate triumfoi me rezultatin 2-0 ndaj një rivali historik si “panzer”-at, duke i dërguar këta të fundit në shtëpi që në fazën e 1/8-ave, teksa mbrojtja, që vijon të ruajë të paprekur portën e Pickford dhe Raheem Sterling konfirmohen pikat më të forta të “tre luanëve” në këtë edicion të Kampionatit Europian.

Në “Wembley” nuk u zhvillua një 90-minutësh nga ata që të mbeten në mendje, pasi duke parë rëndësinë e sfidës, të dy skuadrat u treguan shumë të kujdesshme të mbyllin hapësirat dhe të mos kalojnë asnjëherë në aventurë.

Shkëndijën e parë të rrezikshme e dha Raheem Sterling në minutën e 16’, por goditja e tij u ndal nga portieri Manuel Neuer, ndërsa në të 34-ën Timo Werner pati një mundësi mjaft të mirë për gjermanët, por finalizimi ishte i dobët dhe u topi u prit nga Pickford.

Ndonëse në hije për minuta të tëra, kapiteni Harry Kane pa t’i dilte një top mjaft i mirë në zonë dhe dribloi bukur portierin Neuer, por lëshoi topin më shumë nga këmbët dhe aty ndërhyri menjëherë Hummels, duke i hequr mundësinë e shënimit.

Pjesa e dytë nisi më mirë për Gjermaninë, që kërcënoi menjëherë me një goditje të bukur nga distanca, të fantazistit të Chelsea-t Kai Havertz, por po kaq i bukur ishte edhe reagimi i portierit Pickford, që grushtoi topin dhe e dërgoi në këndore.

Megjithatë kur sfida dukej se kishte rënë në qetësi dhe zëvendësimet e trajnerëve nuk po jepnin efekt, Anglia zbriti me një sulm të shpejtë e të saktë, ku Luke Shaw shërbeu saktë në zonë, aty ku Raheem Sterling shtyu topin në rrjetë, duke u dhënë avantazhin “tre luanëve”.

Ka festë në “Wembley” me anglezët që thërrasin në kor emrin e Raheem Sterling, por sulmuesi i Manchester City-t emocionohet më shumë se duhet dhe gabon një top në mënyrë flagrante, duke i dhënë mundësi Muller-it të shënojë golin e barazimit, por gjuajtja e veteranit gjerman përfundoi vetëm pak centimetra jashtë portës së Pickford.

Llogaritë e ndeshjes i mbylli Harry Kane 4 minuta para fundit, teksa pas një kundërsulmi të shpejtë, mori një kros të saktë nga Jack Grealish dhe shtyu topin në rrjetë për herë të dytë, duke gjetur golin e tij të parë personal në Euro 2020 dhe njëkohësisht duke vulosur kalimin e Anglisë ën çerekfinale, ku do të përballet me fituesen e çiftit Suedi-Ukrainë.

Merr fund në fazën e 1/8-ave Kampionati Europian për Gjermaninë, një skuadër që u kualifikua me vuajtje dhe realisht bindi vetëm në ndeshjen e dytë në grup ndaj Portugalisë, ndërsa Anglia mban gjallë ëndrrën për të festuar në finalen e madhe të “Wembley”-t më 11 korrik.

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed