Menu

Studimet, 67% të rinj pa aktivitet fizik, MAS i inkurajon me 400 klasa sportive

Pandemia, ofrimi i shërbimeve online në vetvete forcoi më shumë raportin mes njerëzve dhe teknologjisë. Të rinjtë kohën e tyre të lirë më tepër e kalojnë duke lundruar në internet se sa në aktivitetet sportive, edukuese dhe kulturore.

Ky raport i ngushtë me teknologjinë përveç avantazheve që njerëzit mund të kryejnë të gjitha shërbimet e tyre online pa qenë e nevojshme të humbasin kohë fizike në institucione, sportele, qendra tregtare, supermarket ka dhe disavantazhe të mëdha. Teknologjia po “burgos” gjithnjë e më shumë të rinjtë në këtë ekran virtual dhe ka minimizuar përpjekjet për ushtrimin e aktivitetit fizik.

Studimi i fundit reflekton rezultatet e anketimeve të 256.000 të rinjve në botë. Gjetjet tregojnë se 67% e tyre nuk po ushtronin as 60 minuta të rekomanduara aktivitet fizik në ditë.

Të dhënat e indeksit të masës trupore treguan se 25% e të rinjve klasifikoheshin si mbipeshë ose obezë.

Studimi evidenton dallim të qartë të të rinjve që janë aktivë dhe të rinjve që janë joaktivë për mënyrën se si mendojnë ata për veten, mënyrën se si reagojnë, optimizmi dhe pesimizmi etj.

Përsa i takon situatës në Shqipëri  dhe iniciatiave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për përfshirjen e sa më shumë aktiviteteve fizike në institucionet arsimore, Rovena Elmazi këshilltarja e sportit e Ministrit të Arsimit dhe Sportit tha se “Nga ana institucionale është hartuar dhe miratuar rregullorja për organizimin e aktiviteteve ne shkolla në bashkëpunim në Bashkitë dhe ZVA. Vetëm në këtë vit shkollor janë hapur 400 klasa sportive në 6 disiplina sportive, atletike, gjimnastikë, tenis, futboll, basketball, dhe volejboll”.

Jeta e shëndetshme e të rinjve përmes stilit eco health nënkupton një alternim midis aktiviteteve fizike dhe një ushqyerje e shëndetshme.

Të dhënat tregojnë nevojën për të synuar nivele të ulëta të aktivitetit fizik tek të rinjtë përmes adresimit të njohurive të dobëta të aktivitetit lidhur me shëndetin dhe aftësive të ulëta themelore të lëvizjes. Mbështetje të veçantë në këtë rast duhet të kenë edhe fëmijët më aftësi të kufizara.

Rovena Elmazi këshilltarja e sportit e Ministrit të Arsimit dhe Sportit tha se: “Për herë të parë u hartuan dhe miratuan programe te edukimit fizik për fëmijët me Aftësi të Kufizuara. Çdo vit Organizohet java Europiane e sportit koordinuar nga MAS”.

Studimet evidentojnë se aktiviteti fizik zvogëlon rrezikun e përjetimit të depresionit dhe se ndërhyrjet e aktivitetit fizik reduktojnë simptomat e depresionit tek fëmijët dhe adoleshentët.

Aktiviteti fizik ka efekte pozitive në funksionin konjitiv dhe sipas ekspertëve jep rezultate pozitive në shkollë në procesin e mësim nxënies, forcon memorien tek fëmijët dhe adoleshentët.

Pavarësisht se ka nisma të rëndësishme si rritja e orëve të edukimit fizik, inkurajimi i fëmijëve dhe adoleshentëve për të qenë pjesë e aktiviteteve fizike si pasion apo si nevojë, institucionet shëndetësore bëjnë thirrje dhe rekomandojnë shfrytëzimin e çdo hapësire për ndjekjen e aktiviteteve fizike. Ecja, vrapi, noti, sportet në tërsi janë në një sfidë të jashtëzakonshme me botën virtuale ku kjo kategori është më e predispozuar të qëndroj para një ekrani të smartphonit më shumë se sa të ndjek aktivitete në natyrë.

Në kuadër të shpalljes së Tiranës si Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 që po zbatohet  nga Kongresi Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë po organizohen një sërë nismash si pjesë e Programit EcoHealth promovon një mënyrë të shëndetshme jetese tek të rinjtë dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin e tyre për rëndësinë thelbësore të një ekosistemi të shëndetshëm për të gjitha qeniet dhe organizmat që gjenden në natyrë.

Related Posts