Në emisionin “Alert” në Ora News, i dedikuar sigurisë ushqimore, u prezantuan gjetjet e fundit të Eurobarometrit të EFSA-s, që për herë të parë përfshiu edhe Shqipërinë e Kosovën në matjen e perceptimit të konsumatorëve për ushqimin.
Polikseni Drazho, Koordinatore Kombëtare EFSA/AKU, theksoi se për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit ky sondazh “merr një vlerë shumë të veçantë”, pasi dëshmon rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve jo vetëm për sigurinë, por edhe për cilësinë e produkteve ushqimore. Sipas saj, puna e institucioneve, organizatave jofitimprurëse dhe mediave ka ndihmuar në krijimin e një konsumatori më kritik e më të informuar.
Ndërsa Valbona Paluka, pika e kontaktit e EFSA-s në Shqipëri, kujtoi se Eurobarometri nisi në vitin 2010 në Bashkimin Evropian, pas krizave të ushqimit si “Lopa e çmendur” apo “dioksinat”, ndërsa Shqipëria u përfshi në sondazh për herë të parë në vitin 2019. Ajo tha se qëllimi është të kuptohet besimi që konsumatorët kanë ndaj autoriteteve dhe mënyrat si informohen për ushqimin.
Flamur Kadriu, Drejtor i Shëndetit Publik, e cilësoi Eurobarometrin “një mjet jashtëzakonisht të rëndësishëm” që u jep autoriteteve të dhëna të vlefshme mbi mënyrën se si perceptohen nga publiku dhe industria ushqimore.
Nga Prishtina, Yllka Dibrani, Koordinatore e EFSA-s në Kosovë, vuri në dukje se sondazhi për vitin 2025 tregon se konsumatorët kosovarë po afrohen ndjeshëm me standardet e Bashkimit Evropian, duke reflektuar një rritje të vetëdijes për ushqimin e sigurt dhe të cilësisë së lartë.
Emisioni “Alert” i kësaj të premteje solli kështu një panoramë rajonale të perceptimit publik për sigurinë ushqimore, duke dëshmuar se shqiptarët po bëhen çdo ditë e më shumë konsumatorë europianë.