Menu

Gjykata e Larte

Gjykata e Lartë publikon 9 kandidatët për tre vendet vakante në "Kushtetuese", ja emrat që shkojnë në KED

Gjykata e Lartë përmes një njoftimi zyrtar për mediat ka dhënë informacione në lidhje me 3 vendet vakante për në Gjykatën Kushtetuese. Sipas Gjykatës së Lartë, për të konkurruar në këto pozicione janë paraqitur 9 kandidatura, ndersa dokumentacioni do te vleresohet nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

“Pas përfundimit të afatit 30 ditor të pranimit të kërkesave të kandidatëve, kanë paraqitur kërkesë për të konkurruar në tre vendet vakante për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese 9 kandidatë.”, thuhet në njoftimin e GJL-së.

NJOFTIMI I GJYKATES SE LARTE

Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, bazuar në nenin 125 pika 1 të Kushtetutës si dhe nenin7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në datë 03.06.2021 ka bërë shpalljen publike për plotësimin e 3 vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese që duhen plotësuar nga Gjykata e Lartë, si më poshtë:

  1. Në vendin vakant që krijohet pas largimit të znj. Vitore Tusha (mandati i plotë 9 vjeçar i së cilës ka mbaruar në vitin 2017), zgjidhet gjyqtari i ri, i cili qëndron në detyrë deri në mars të vitit 2025;
  2. Në vendin vakant të krijuar pas largimit të z. Fatmir Hoxha (mandati i plotë 9 vjeçar i të cilit ka mbaruar në vitin 2020), zgjidhet gjyqtari i ri, i cili qëndron në detyrë deri në muajin qershor të vitit 2028;
  3. Në vendin vakant të krijuar pas largimit të z. Gani Dizdarit (mandati i plotë 9 vjeçar i të cilit mbaronte në vitin 2022), zgjidhet gjyqtari i ri, i cili qëndron në detyrë deri nëmuajin mars të vitit 2022.

Pas përfundimit të afatit 30 ditor të pranimit të kërkesave të kandidatëve, kanë paraqitur kërkesë për të konkuruar në tre vendet vakante për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese këta kandidatë:

  1. Albert Demirneli (për vendin vakant të krijuar nga largimi i z. Fatmir Hoxha);
  2. Alket Jaupi (për vendin vakant të krijuar nga largimi i z. Fatmir Hoxha);
  3. Dhimitrula Spiro (për vendet vakant të krijuar nga largimi i z. Fatmir Hoxha dhe zj. Vitore Tusha);
  4. Ervin Karamuço (për vendet vakant të krijuar nga largimi i z. Fatmir Hoxha, zj. Vitore Tusha dhe z. Gani Dizdari);
  5. Helena Papa (për vendet vakant të krijuar nga largimi i z. Fatmir Hoxha dhe zj. Vitore Tusha);
  6. Saimir Visha (pa specifikim për cilin nga vendet vakant);
  7. Sandër Beci (për vendet vakant të krijuar nga largimi i z. Fatmir Hoxha dhe zj. Vitore Tusha);
  8. Vatë Staka (për vendet vakant të krijuar nga largimi i z. Fatmir Hoxha dhe zj. Vitore Tusha);
  9. Zhaklina Peto (për vendet vakant të krijuar nga largimi i z. Fatmir Hoxha dhe zj. Vitore Tusha).

Bazuar në nenin 7/ç, pika 1 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, lista e kandidatëve, si dhe dokumentacioni i paraqitur prej tyre i janë dërguar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vlerësimin e kushteve dhe kritereve të emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese.

alert.al/

Ambasadori Soreca me Naureda Llagamin: Tani përparësia e KLGJ, plotësimi i Gjykatës së Lartë

Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, ka zhvilluar sot një takim me kryetaren e KLGJ, Naureda Llagami.

Përmes një mesazhi në “Twitter”, ambasadori Soreca thekson se ka diskutuar me Llagamin mbi përparësitë e Këshillit të Lartë Gjyqësore, duke përfshirë edhe Gjykatën e Lartë e ngritjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve.

“Diskutim i shkëlqyer me kryetaren e KLGJ, Llagami, rreth përparësive të Këshillit, përfshirë avancimet në Gjykatën e Lartë, hartën gjyqësore dhe ngritjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve. Efikasiteti është fjala kyçe në këtë fazë të re të Reformës në Drejtësi. BE vazhdon të mbështesë punën e KLGJ”, thekson ambasadori Soreca.

Ambasadorja Yuri Kim: Të funksionojë Gjykata e Lartë, pavarësisht shkëmbinjve që bllokojnë rrugën

Ambasadorja e SHBA ka kërkuar që Reforma në Drejtësi të vazhdojë me vënien në funksion të Gjykatës së Lartë, pavarësisht pengesave që mund të dalin. Apeli i saj u bë gjatë fjalës së mbajtur para gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe përfaqësuesve të tjerë të drejtësisë.

Fjala e plotë e Ambasadores Yuri Kim

Të nderuar Kryetar dhe gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, përfaqësues të nderuar të institucioneve shqiptare të drejtësisë, partnerë, të dashur të ftuar. Është kënaqësi për mua të marr pjesë në këtë aktivitet. E vlerësoj ftesën dhe mundësinë.

Në vitin 2016, Qeveria e SHBA mbështeti ndryshimet kushtetuese dhe ligjore, të cilat krijuan një kornizë për reformën gjithëpërfshirëse të drejtësisë në Shqipëri. Jam krenare që jam këtu sot për të ripohuar mbështetjen tonë të vazhdueshme për reformën në drejtësi dhe miratimin e kësaj pakete të fundit të ndryshimeve ligjore. Këto ndryshime të fundit përbëjnë një moment të rëndësishëm historik në përpjekjet e Shqipërisë për reformën në drejtësi dhe do të lehtësojnë shqyrtimin e çështjeve nga Gjykata e Lartë.

Gjatë qëndrimit tim këtu në Shqipëri, më kanë treguar shumë herë për rëndësinë e maleve për historinë e Shqipërisë. Historia e reformës në drejtësi nuk është e ndryshme nga kjo.

Që nga viti 2016, ju, aktorët kryesorë në sistemin e drejtësisë së Shqipërisë, së bashku me popullin e Shqipërisë, keni qenë duke iu ngjitur një mali. Ky ka qenë një shteg i kthesave të papritura, sfidave dhe pengesave të paparashikuara. Jam këtu sot për t’ju kujtuar se po i afroheni majës. Ju them se pamja nga lart është e një të ardhmeje më të ndritur dhe me mundësi më të mira. Vizioni se ku mund të shkoni nga atje është i qartë. Ne do të arrijmë atje së bashku, hap pas hapi.

Një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale është një hap që duhet ta ndërmerrni për të vazhduar ngjitjen e malit. Ju po lëvizni në drejtimin e duhur, por unë e nxis Këshillin e Lartë Gjyqësor që të përfundojë procedurat për vlerësimin dhe të rendisë e caktojë kandidatët më të mirë të verifikuar që kanë aplikuar për ngritje në detyrë në Gjykatën e Lartë. Sapo Këshilli ta bëjë këtë, kjo do të hapë rrugën për udhëtimin e Gjykatës së Lartë drejt majës së malit. Majën mund ta arrini vetëm nëse punoni së bashku.

Në opinionin e tij të qershorit 2020, Komisioni i Venecias nënvizoi se funksionimi i Gjykatës së Lartë mund të jetë edhe më vendimtar për stabilitetin e Shqipërisë, sesa prania e Gjykatës Kushtetuese. Për këtë qëllim, jam krenare për punën që po bëjmë për të zvogëluar numrin e çështjeve të prapambetura të Gjykatës së Lartë dhe për të vendosur politika që parandalojnë përsëritjen e tyre. Përmes punës së Nëpunësve për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura, të mbështetur nga SHBA, ne po bëjmë pjesën tonë që të përmirësojmë efikasitetin në Gjykatën e Lartë dhe për të siguruar që një Gjykatë e Lartë funksionale të ndihmojë për t’u siguruar qytetarëve shqiptarë qasje në drejtësi, një pikë thelbësore për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Institucionet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën e Lartë, janë tashmë funksionale dhe reforma në drejtësi po sjell zhvillime dhe rezultate pozitive. Publiku shqiptar meriton të shohë se çfarë janë

të afta të bëjnë këto institucione me të pasur kapacitet të plotë! Të gjithë jemi duke iu ngjitur së bashku majës së atij mali. Shqipëria është tani në kulmin e reformës reale në drejtësi.

Shtetet e Bashkuara ju nxisin të ruani ritmin dhe punën e mirë, pavarësisht nga pengesat që hasni, dhe pavarësisht nga shkëmbinjtë që bllokojnë rrugën tuaj. Të japësh drejtësi është një sipërmarrje e rëndësishme dhe sfiduese. Mbështetja jonë për ju dhe sistemin do të vazhdojë! Do të takohemi në majë!

Faleminderit!

alert.al/