Nëse do flitej në gjuhën e parashikimeve yjore, kjo javë për të gjithë politikanët, pavarësisht nëse janë të lindur në pranverë, verë, vjeshtë apo dimër, do kishte një emërues të përbashkët, “ditë të nxehta debati”.
Java që sapo do vendosë politikën në llogoret e retorikës.
Të mërkurën 122 ligjvënësit do të mblidhen në seancë të jashtëzakonshme për të votuar shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës.
Më 28 Maj, komisioni hetimor parlamentar miratoi raportin përfundimtar ku propozohet shkarkimi i Presidentit Meta. Dokumenti voluminoz parashikon shkeljet kushtetutese që mazhoranca pretendon se ka kryer Ilir Meta gjatë fuhatës elektorale dhe ditën e heshtjes zgjedhore. Raporti evidenton se Ilir Meta nuk përfaqëson më unitetin kombëtar, ka mbajtur qëndrime të njëanshme politike, me sulmet kundër mazhorancës dhe mbështetjen për opozitën, duke shkelur parimin kushtetues për paanësi politike. Raporti thotë se me deklaratat e tij Presidenti Meta është përpjekur të krijojë krizë me SHBA. Po ashtu raporti thekson se Presidenti Meta ka kryer shkelje duke përdorur një gjuhë e cila ka nxitur dhunën, pasojë e të cilës ishte edhe vrasja në Elbasan, pak ditë para zgjedhjeve.
Në reagimin e tij, të premten e 4 Qershorit, Presidenti Meta tha nga Elbasani: “Lutja është që Zoti t’i falë ato se nuk dijnë çfarë bëjnë, dhe t’i udhëheqë të gjithë në rrugën e të mirës të përbashkët”
Për shkarkimin e Presidentit Meta, sipas parashikimeve kushtetutese, në seancë nevojiten 94 vota. Duket se mazhoranca socialiste ka bindjen se gëzon mbëhstetjen e nevojshme edhe të deputëteve të së ashtuquajturës opozitë parlamentre për t’ia arritur qëllimi të shkarkimit të Ilir Metës. Megjithatë vendimi final për këtë çështje i takon Gjykatës Kushtetuese.
Ngjarja e dytë që do prekë një pjesë të politikës, ka të bëjë me Kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së. Socialistët do të mblidhen të shtunën e 12 Qershorit, një datë jo e zakontë për ta, pasi shënon 30 vjetorin e krijimit të kësaj partie. Kongresi do të analizojë rezultatin e zgjedhjeve të 25 Prillit dhe punën e çdo strukture partiake. Për këtë qëllim, pak ditë më parë, Asambleja Kombëtare e PS-së vendosi ngritjen e një Komisioni të Posaçëm të Analizës. Po ashtu, Kongresi do t’i shërbejë PS-së për të prezantuar edhe prioritetet e programit për mandatin e tretë qeverisës.
Të nesërmen e Kongresit socialist, do jetë dita e demokratëve. PD do të zhvillojë zgjedhjet për kryetarin e ri të saj. Lulzim Bashës mandati në krye të partisë i mbaronte më 22 Korrik, por bashkë me kupolën drejtuese të PD-së u vendos që zgjedhjet të kryhen më herët.
Demokratët do të duhet të zgjedhin kryetarin e 4 viteve të ardhshme, duke votuar një ndër 4 kandidatët: Lulzim Basha, Agron Shehaj, Edit Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.
Javët e fushatës zgjedhore në PD kanë treguar retorikë të fortë, ku nga 3 kandidtatët nuk kanë munguar sulmet kundër kreut në detyrë Lulzim Basha, duke e bërë atë përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve politike të 25 Prillit. Ndërkohë që ky i fundit akuzon kryeministrin Rama, jo vetëm për manipulim të zgjedhjeve, por edhe si përçarës të demokratëve.
E nëse të gjithë politikanët do kenë një javë të nxehtë, qytetarit të thjeshtë i mbetet të zgjedhë se çfarë do të bëjë, të mendojë se për kë bien këmbanat, apo të mendojë për çatinë e shtëpisë së tij.
alert.al/